Nuk është e lehtë të kundërshtosh shkrimtarin që e ke fort përzemër. Nuk është e lehtë të kundërshtosh dikë që ka ndikuar në mendimin dhe formimin tënd. Nuk është e lehtë të kundërshtosh dikë që përfaqëson hartën kulturore shqiptare në Europë dhe më tutje.
Nuk është i lehtë kundërshtimi, por është akoma më e vështirë heshtja. Lejomëni të sjell në vëmendjen tuaj një pjesë nga “ “Mosmarrëveshja” Në sytë tanë do të shpaloseshin cinizmi dhe shpërfillja e kastës politike, mosmarrja seriozisht e shtetit dhe e kombit, çka do të çonte tek shkelja e çdo morali, te lidhja e zgjidhja e aleancave të paparimta, te tribalizimi, hedonizmi, pokerizimi në politikë e në jetë, gjersa përshkallëzimi i së keqes të arrinte një kulm të ri; përqeshjen me Shqipërinë. Shkëputur nga – Mosmarrëveshja Ju flisni për një kulm të ri.
Ky kulm është përqeshja me Shqipërinë. Unë atë përqeshje e ndiej në qëndrimin tuaj Z. Kadare. Po qëndroni në anën e mbrapshtë të historisë dhe po e përqeshni Shqipërinë! Unë nuk e di nëse Shqipëria e meriton dashurinë tuaj ose jo. Ndoshta mund të mos ta meritojë. Por një gjë e di me siguri: Shqipëria nuk e meriton përqeshjen tuaj! Së paku, mund t’i dhuroni heshtjen tuaj!
Post Scriptum– Në mbyllje më rivjen ndërmend një pohim krejt i vërtetë nga ju, i cili përshkruan kthjellët ëndrrën e çdo shqiptari që e do vendin e tij. Në fund të fundit, padurimi për të qenë si Europa, nuk ishte gjë tjetër, veç një tjetër padurim; e duam Shqipërinë më të mirë se ç’është. Ismail Kadare