Në një kohë e në një vend ku fjalët e kanë humbur kuptimin, ku fjalët nuk njëjtësohen me veprat, ku skandalet flasin më mirë se fjalët, vetëm të prekurit e thelbit të problemit do mund të na shpëtojë . Kudo ka ankesa për Shqipërinë e shqiptarët, kujtdo i kanë marrë hakun, kushdo është i papërlyer e i vetëpërjashtuar nga të qenit hallkë e këtij sistemi dhe kurdo më lind pyetja, ku jemi gjithë këta njerëz të “pastër”?
Ku jemi kur vjen puna për të bërë dicka konkrete? A e pyesim veten para se të ankohemi e të japim mend; A e kemi kërkuar të drejtën tone; Ae kemi bërë pjesën tonë si qytetarë? Jemi paralizuar nga fjalët e nuk po prekim thelbin e sëmundjes, për rrjedhojë shërimin. Thelbi është gjithmonë i thjeshtë, i dukshëm, i qartë. Nuk ka nevojë të marrësh vesh nga politika, nuk ka nevojë të jesh orator, nuk ka nevojë të jesh i shkolluar. Që në fillim, kur iu bashkova protestës për Teatrin , ajo që më goditi më së pari nuk ishte teatri,arti,historia etj. Arsyeja nuk pati nevojë të shkonte deri aty, sepse mjaftoi togfjalëshi “ligj special” ose më saktë “shkelje kushtetute” që unë të pozicionohesha.
Kjo, edhe për logjikën e njeriut më të pashkolluar duhet të jetë shumë e frikshme sepse tregon që fuqia e këtyre njerëzve qenka mbi ligjin, pra ata mund të bëjnë absolutisht ç’të duan me ne: mjafton të ngrenë një ligj special e na shembin jo vetëm teatrin, por shtëpitë (siç po ndodh) e krejt qenien. Që në këtë moment , sipas perceptimit tim, duhet të ngriheshin të gjithë , kundra, abstenim e pro shembjes së teatrit dhe edhe këta të fundit të thonin për shembull “Teatrin ta shembim,por jo kështu. Jo duke shkelur ligjin.” Sepse kjo na prek të gjithëve.
Nuk ka vend as për diskutime, as për debate e emisione mbi vlerat e tallashit, historisë, artit etj. Nuk duhet të shkelet kushtetuta. Kaq. Ky është thelbi. Por ne vetëm vazhduam të flisnim e paraliza u përhap me shpejtësi duke prekur organet më të rëndësishme të shoqërisë. Preku Parlamentin, ku nuk ka nevojë aspak të dëgjojmë teatrin e shëmtuar të fjalëve, mjafton të shohim votat në unanimitet me kryeministrin, për të kuptuar në ç’gjendje jemi. Ky është thelbi. Preku gjykatat, rrugën e vetme për të gjetur të drejtën. Mua si qytetar më duhet thjesht që kur të kem nevojë të shkoj dhe të gjej të drejtën time, jo të paralizohem nga togfjalëshi “Reformë në Drejtësi” Kaq. Ky është thelbi.
Preku votën, liria dhe pushteti më i madh i njeriut, e drejta të zgjedhë atë që e përfaqëson që të mos shtypet (mjafton të kujtojmë sistemin e sapokaluar për t’uu ndërgjegjësuar mbi vlerën e votës), themelin e shoqërisë dhe dëgjojmë fjali si “edhe më parë janë vjedhur vota/edhe PD ka vjedhur vota/edhe Trump ka vjedhur vota etj”. Dhe…?! Ç’do të thotë kjo? Që është e drejtë vjedhja e votave, e ligjshme, nuk duhet të dënohet?! Diskutohet a lejohet nxjerrja e përgjimeve, a e ka paguar apo jo Basha gazetën gjermane, kur ajo që ka rëndësi është fakti që ato përgjime janë të vërteta.
Nuk ka rëndësi kush e tha e pse e tha, rëndësi ka që votat janë vjedhur. Ky është thelbi. Flitet pafund për biografinë e Metës kur në këtë moment nuk na duhet fare kjo, por që po pretendohen zgjedhje me vetëm një kandidat e kjo çon në monizëm dhe diktaturë. Ky është thelbi. Flitet gjithë kohën si është Basha si kryetar opozite e si do të jetë nëse vjen në pushtet e nuk flitet për atë që është në pushtet e marrëdhënien që kemi me të, që na pjell gjithë problemet. Merremi me pasojat e jo me shkaqet. Ç’rëndësi ka se kush është Basha e cfarë kërkon, kur ai në fund të fundit jo vetëm në pushtet që nuk është, por as mandatin e opozitës nuk ka?! Çfarë problemi mund të zgjidhë të marrurit me Bashën? Po këtu askush nuk mundohet të zgjidhë, këtu të gjithë shpërfaqim qashtërisht-madhërisht-epërisht lartësinë tonë me pyetje si “Ja iku ky, kush do vijë?” (Zbulim i madh kjo pyetje) Po meqë nuk dimë kush mund të vijë, po rrimë pra kështu të paralizuar, po presim dhe nja njëqind vjet deri sa të na mbijë ndonjë.
Ai i miri që presim të vijë nuk mund të dalë kurrsesi nga një sistem si ky, ku shqiptarët më të denjë ikin jashtë se nuk mbijetojnë dot këtu. Ai kandidati i mirë do të dalë vetëm duke shembur këtë dhe të gjithë si ky. Shembim këtë dhe pastaj nuk e votojmë Bashën e askënd që mendojmë se nuk është i denjë. Kaq e thjeshtë është. Por nga ana tjetër,ai kandidati i denjë nuk do jetë asnjëherë i denjë përsa kohë populli nuk i ushtron presion e nuk kërkon të drejtën e vet. Çfarë presim, që të vijë një ditë dikush në krye e të na i sjellë të gjitha gati, të mendojë për të mirën tonë përjetësisht, kur ne vetë nuk hapim gojë për veten?!
Dhe prapë qashtërisht-madhërisht-epërisht: “Nuk dal në protestë për Bashën”. Ajo që nuk kuptojmë duke thënë këtë fjali që pretendojmë se na pastron ,është që në mënyrë të pavetëdishme themi që duhet të dalim patjetër për dikë në protestë. Marrim të mirëqenë që ata kanë në dorë jetën tonë. Domethënë, unë dal për dikë,po jo për Bashën. E marrim të mirëqenë që duhet të na përfaqësojë patjetër dikush e përjashtojmë mundësinë e të përfaqësuarit veten. Në protestë dilet për vete. Edhe sikur udhëheqësi më i mirë të jetë, nuk duhet të dalim për të, se çdo njeri është unik e duhet të flasë fjalën e tij me zërin e tij. Unë nuk kam frikë të dal në një protestë ku është dhe Basha se jam e bindur në identitetin tim, jam e bindur që vetëm unë flas në emrin tim.
Me këtë fjali tregojmë që në botëkuptimin tonë gjërat fillojnë dhe mbarojnë te emra të përvecem si Rama apo Basha, dhe nuk ka asgjë përtej këtyre. Nuk paska asgjë që më përket mua? Që nuk ma jep as Rama, as Basha, as ndonje emër tjetër? Une nuk i ndaj gjerat në Rama e Basha,as pozitë e opozitë, unë i ndaj në të drejtë e të padrejtë e për diçka që më duket e drejtë unë protestoj. Pastaj, po mirë, paska një milion e një arsye për të mos protestuar e nuk paska një për të protestuar? Një të vetme? Dhe më në fund, i kujt është faji nëse protestat i lajmëron Basha?
Pse nuk ngrihemi ne vetë në një protestë pa Bashën, pa askënd? Ku ishim ne kur thirri protestë Genc Sejko që nuk është i asnjë partie? Po ne edhe kur bëhet një protestë me fill njerëzor, siç është e teatrit, rrimë e bëjmë biografinë e gjithsecilit, gjejmë e shpikim arsye për këdo që është aty, (njëri i PD-ësë, tjetri do post, tjetri e ka personale me Ramën, etj) dhe prapë nuk dalim.
Nuk duam ta pranojmë të vërtetën, sepse ashtu i bie që të dalim në protestë e ne nuk duam këtë se duam të na zgjidhen gjërat vetë, më saktë të na i zgjidhin ata budallenjtë që protestojnë. Nuk duam ta pranojmë që një protestë është njerëzore se kjo na përball me pafuqinë tonë për të qenë njerëz… madje jo njerëz, sepse këtu nuk flitet më për ndërgjegje e ndjeshmëri ndaj të mirës apo të bukurës, këtu po flitet për instikt vetëmbrojtjeje që është instikt kafshëror.
Instikti bazë i çdo gjallese në tokë është ai i vetëmbrojtjes kur e sulmojnë apo kur u marrin atë që u takon. Ne as këtë nuk kemi. Ky është thelbi. Ndaj,t’i lëmë fjalët dhe -në emër të jetës sonë- të bëhemi kafshë, që të mund një ditë të bëhemi njerëz!