Nga Elton Lleshi/
Të dashur miq, siç e dini ju se shkarkimi i Metës, është bllof i Edi Ramës. Ketu Ka 2 të vërteta. Zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë. Presidenti nuk do të shkarkohet. Është një periudhë e mjegullt politike, shqetësuese dhe ngatërruese për njerëzit, prandaj dua të ndaj me ju disa të vërteta dhe mendime.
Dua të them që në fillim dy të vërteta:
1.Nuk do të ketë zgjedhje lokale në 30 qershor.
2.Nuk do të shkarkojë kush Presidentin e Republikës.
Edi Rama po përpiqet të bombardojë opinionin publik me dy përbetime, që ai as nuk i mban dot, dhe as nuk ka interes t’i provojë Ai po përbetohet se do t’i mbajë zgjedhjet edhe pa dekret presidencial, edhe pa pjesëmarrje politike. Ai po përbetohet gjithashtu se do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit.
Janë të dyja bllofe dhe zhurmë me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes tuaj. Edi Rama nuk do që të flitet për krimin, drogën dhe vjedhjet e tij të përditshme. Ai nuk do që të flitet për Avdylajt dhe Dakot, për Çyrbet dhe Shullazët, për Gjiknurët, Manjat dhe Lalët. Asnjë Pazar. Pa largimin e Ramës, populli nuk ka asnjë mundësi të zgjedhë. As me 30 qershor, as me 30 korrik, as me 30 gusht. Në demokraci, zgjedhjet janë instrumenti se si njerëzit zgjedhin qeverinë dhe qeverisjen që duan.
Zgjedhjet janë mekanizmi se si vullneti i njerëzve përkthehet në institucionet qeverisëse. Por ama, është e qartë për këdo, se në kushtet e sotme nuk ka asnjë mundësi që vullneti i popullit të diktojë parlamentin dhe qeverisjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. As me 30 qershor, as me 30 korrik, as me 30 gusht. Jo përpara se të largohet Edi Rama nga kryeministër, dhe jo para se Vangjush Dako, Damian Gjiknuri dhe dhjetëra funksionarë socialistë dhe bashkëpunëtorët e tyre të botës së krimit të dalin para drejtësisë për vjedhjen e zgjedhjeve, për shkatërrimin e themelit të rendit demokratik.
Përpjekjet e mia, përpjekjet e Partisë Demokratike nuk janë përpjekje për pazare tavolinash apo negociata datash. Beteja jonë është betejë për lirinë e votës. Ajo që unë dhe bashkë me mua, qindra mijëra qytetarë po kërkojmë nga vendi ynë, nga shoqëria jonë, është standardi më minimal, por i pazëvendësueshëm i çdo shoqërie demokratike: të drejtën që shqiptarët me vullnetin e tyre të lirë të vendosin se kush do i qeverisë.
Unë nuk do të pushoj së luftuari, deri sa kjo të arrihet dhe nuk do të bëj asnjë kompromis, me askënd, as sot, as nesër, derisa kjo të arrihet.