LUÇIANO BOÇI
Në Shqipëri kanë ndodhur shumë dekretime ministrash e kabinetesh. Ka pasur kundërshti të ndryshme, vonesa situative e rrallë mosdekretime e votime kundër. Por asnjëherë nuk kishte ndodhur të kishte një dekret kaq ironik, sa ai për Ramën nga Presidenti Meta, si ministër i Jashtëm. Pasi i la kohën e duhur dyshimeve për pengim kushtetues; Pasi i dha hapësirë politikës juristëve profesionistë e tifozë të turreshin në argumente, sipas qejfit; Pasi, njëkohësisht i dhuroi kohën e nevojshme, medias të argumentonte qartazi shkeljet kushtetuese të një dekretimi të tillë; në fund Meta, gati për habinë e të gjithëve, e dekretoi Ramën.
A u masakrua cjapi alias Rama nga kasapi alias Presidenti?!
Shumëkush mundi e nxitoi të bërtasë që Rama e fitoi betejën, që Meta luajti për interesa e bla, bla, bla. Ose që Meta u tërhoq nga presioni ndërkombëtar e përralla të përafërta, siç thuhet rëndom në Shqipëri, kur dikush kërkon të tregojë, si pa dashje, pozicionin e “të preferuarit” ndaj të huajve.
Dikush tjetër në patetizëm e sipër, na deklaroi që Presidenti na shmangu një krizë të thellë institucionale.
Gjë që, për mua, nuk qëndron hiç, pasi në Shqipëri kriza të tilla janë të pakonsiderueshme në planin politik e publik. Jo se ato nuk kanë efekte, por janë shumë periferike në ndikim, për shkak të një trajektore inercie në rënie të lirë, që ndjek shteti në Shqipëri. Kjo për arsyen e thjeshtë se qeverisja është më shumë një pjesëtim të ardhurash midis atyre që qeverisin, se sa një shpërndarje parimore sektoriale e një buxheti që vilet nga qytetarët. Më shumë është një sundim interesash se sa një tërësi shërbimesh.
Përtej këtyre hamendësive, Meta, i gjendur në një situatë komplekse politiko-personaleinstitucionale dhe njëherë tjetër përdori në mënyrë efikase si rrugëdalje dhe si shteg lufte me Kryeministrin ironinë therëse. Kësaj radhe jo atë ligjërimore me shprehje të tipit “me qetësi e dashuri”, por atë vepruese. E pranoi dekretimin, pasi e kishte “therur” Ramën publikisht për shkelje të Kushtetutës, e me qesëndinë e tij e shoqëroi me arsyetimin, i cili kaplonte brenda cinizmin pozitiv dhe negativ njëkohësisht. Ishte një dekretim ekzemplar me epitafin tallës deri në vdekje: “Kushtetuta as e pengon dhe as e lejon” Ramën të bëhet… ç’të dojë.
Por nuk mbaroi e gjitha këtu.
“Cjapit” do i duhej të kalonte dhe nën ritualin ceremonial sarkastik të “rrjepjes” spektakolare, të bërë tashmë gati nga Presidenti, ende i pangopur me ironinë dhe ndoshta nga pak me autoironinë. Ishte pikërisht ky ceremonial që do prodhonte më pas, ministrin e Jashtëm më komik të historisë 100 e ca vjeçare të shtetit shqiptar.
Shfaqja e masakrimi ishte i plotë. U zhvillua një ceremonial unik, ku askush nuk buzëqeshte së jashtmi nën protokollin e fortë detyrues, po ku të gjithë shqyheshin gazit së brendshmi nga falsiteti dhe absurditeti i një dekretimi plotësisht të kontestuar e antikushtetues. Komizmi i hidhur ndjehej për së gjalli. Rama ishte i vetëm aty, sipas asaj që kishte gatuar vetë. Kryeministri Ramë, pra, shoqëronte Ramën, i cili betohej si ministër. Tendosja faciale e pamjeve i dha shfaqjes doza akoma më të forta komizmi, pasi më shumë ngjante si një ceremonial mortor, ku burrat nga gjëma e madhe shtrëngojnë vetëm duart e nuk thonë asnjë fjalë, sesa si një procesion zyrtar simbolik. Kulmi arriti kur Rama shkeli me dorë Kushtetutën, për të thënë formulën e betimit, pasi e kishte përdhosur atë me këmbë.
Rama u “rrop” kështu në sytë e opinionit publik, edhe njëherë. Jo më tani si “Davidi” i zgërdhirë i autoportretit me fotoshop, por si loloja, të cilit gabimisht i bie ushkuri i brekëve në mes të shfaqjes dhe të cilin ai mundohet trashë, ta paraqesë si repertor të skeçit të vet origjinal. Rama hyri si Kryeministër qesharak në Presidencë e doli si ministër butaforik nga ajo.
I gjendur në sëkëlldinë e lexueshme të një situate komike të hidhur, Rama nuk duroi shumë në nxitimin e tij. Tani radhën e kishte Ministria e Jashtme. Pa prezencën e Metës dhe të ironisë së tij shtrënguese, Rama shpërtheu lirshëm në aktin hakmarrës më komik të ndodhur ndonjëherë. Pa mbushur as 24 orë nga dekretimi ironik i ministrit komik, Rama ia kaloi, pa një pa dy, kompetencat e komizmit ministër të Jashtëm, personit që Kushtetuta, mbi të cilën ai u betua një ditë më parë, e pengoi t’i merrte këto atribute.
Meveprimin e tij, Rama e sanksionoi kështu, të qenurit tonë si shteti më komik në glob, me një Kryeministër po aq komik sa pjesa dërmuese e kabinetit të tij.
Ironia vazhdon.