Përparim Spahiu: Qeveria nuk ka plan konkret për rrjedhjen e trurit nga Shqipëria

Ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu thotë se shpopullimi i vendit është një plagë sociale që ndikon direkt në jetën tonë dhe teksa e vë theksin tek largimi i mjekëve dhe infermierëve, shprehet se “mbajtja e profesionistëve të shëndetësisë në vend, merr një rëndësi të jashtëzakonshme në kohë pandemie”.

“Por, duket se ky është shqetësimi i fundit i kësaj qeverie. KM në ikje e ka mendjen tek parada e autoambulancave në sheshin kryesor të vendit, ndërkohë që familjarët e pacientëve janë të detyruar t’i luten sanitareve me para në duar për të mbajtur gjallë të dashurit e tyre”, shkruan Spahiu në rrjetet sociale.

Sipas tij, më 25 prill “nisim të shtrojmë rrugën e shpresës në vend. Jo vetëm për profesionistët e shëndetësisë, por për çdo shqiptar që do ta krijojë të ardhmen në shtëpinë e tij, në shtëpinë tonë, Shqipërinë!”

POSTIMI:

Shpopullimi i vendit nuk është një problem abstrakt, por një plagë sociale që ndikon direkt në jetën tonë❗

Një studim i profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Russell King ka zbuluar se numri i mjekëve për banorë ka rënë ndjeshëm në Shqipëri si rezultat i emigracionit përgjatë periudhës 2000-2018.

Në vitin 2000 Shqipëria kishte 140 mjekë për 100.000 banorë, në vitin 2016 kishte 120 dhe në vitin 2018 ky tregues ra në 110 mjekë.

Largimi masiv i mjekëve dhe infermierëve nga vendi ka dhe do ketë pasoja të parikuperueshme në të ardhmen për shëndetin publik.

Kjo qeveri nuk ka asnjë plan konkret për të ndaluar rrjedhjen e trurit nga vendi. Jo vetëm kaq, por në të kundërt ajo i inkurajon njerëzit të ikin nga sytë këmbët duke e varfëruar demografinë e vendit.

Kësaj qeverie antikombëtare i intereson një trupë e vogël elektorale, më lehtësisht e kontrollueshme. Kësaj qeverie i intereson arratisja e rinisë nga vendi, sepse rinia jonë krenare e ka shumë të vështirë të përkulet përballë joshjes kriminale “para për vota” dhe kërcënimit me largim nga puna.Jo vetëm raporti i dy profesorëve, por edhe harta e publikuar në faqen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë pak kohë më parë vërtetoi se Shqipëria renditet ndër vendet që kanë një numër më të ulët mjekësh në raport me popullsinë në botë.

Shqipëria, ka vetëm 12 mjekë për 10 mijë banorë, shifër që është më e ulëta në Europë. Maqedonia e Veriut ka 29 mjekë për 10 mijë banorë, Serbia (31), Mali i Zi (27), Bosnja (22). Rekordin në Europë e mban Greqia, me 55 mjekë për 10 mijë banorë.

Mbajtja e profesionistëve të shëndetësisë në vend, merr një rëndësi të jashtëzakonshme në kohë pandemie. Por, duket se ky është shqetësimi i fundit i kësaj qeverie. KM në ikje e ka mendjen tek parada e autoambulancave në sheshin kryesor të vendit, ndërkohë që familjarët e pacientëve janë të detyruar t’i luten sanitareve me para në duar për të mbajtur gjallë të dashurit e tyre.

Më 25 prill nisim të shtrojmë rrugën e shpresës në vend. Jo vetëm për profesionistët e shëndetësisë, por për çdo shqiptar që do ta krijojë të ardhmen në shtëpinë e tij, në shtëpinë tonë, Shqipërinë!