Ajo që më nxit për të shkruar këto radhë është konstatimi që kam për një grusht njerzish të pasur, oligarkët të cilët zotërojnë pasuri maramendëse dhe jetojnë në lagje a vila luksoze, në contrast të thellë me jetën e mijëra punëtorëve, familjeve që jetojnë me paga minimale deri dhe në mjerim. Me qindra të tjerë që çdo ditë po marrin rrugët e arratisë për t’iu larguar varferisë dhe atdheut mjeran.
Këta oligarkë tashmë nuk janë vetëm të pasur, por janë diktues dhe përcaktues në politikën agresive dhe jo sociale .
Ata ndikojnë dyshimtë në politikat ekonomike të qeverisë. Fuqia e tyre shtrihet dhe në strukturat e tjera të shtetit, në parlament ku ndikojnë në miratimin e ligjeve për interesat e tyre.
Parlamenti miraton ligje që nuk kanë asnjë lidhje me zhvillimin e përbashket qytetaro-ekonomik. Kjo do të thote që njerëzit e zakonshëm nuk marrin atë që duan nga parlamenti, por edhe kur miratohet një ligj në favor të tyre, është miratuar me kujdes të veçantë dhe inkorporuar me interesat e një grushti pasanikësh.
Fakti është se qeverisë nuk i intereson se çfarë mendojnë dhe si jetojnë 90% e shqiptarëve.
“Oligarkët dhe grupet e organizuara që përfaqësojnë interesat e biznesit” kanë ndikime vendimarrëse në politikën e qeverisë shqiptare, ndërsa qytetarët e shtresës së mesme kanë pak ose aspak ndikim në mënyrën sesi vendoset, shpërndahet buxheti apo investohet.
Njerëzit me ndikim të ulët dhe origjinë vunerabël injorohen, shpërfillen a thua sikur nuk paguajnë detyrimet, sikur nuk ekzistojnë.
Problemi nuk është ekzistenca e pasurisë, ose se këta shqiptarë të pasur lobojnë për vendime në ligjbërje apo ekzekuriv, problemi është se qeveria po përfaqëson vetëm 10% të popullit shqiptar dhe interesat ekonomike që lidhen ngushtësisht me ta.
Të gjithë të tjerët jetojnë me grimca mbijetese dhe diçka më pak se demokracia.
Ky realitet ështe kthyer në normalitet të detyrueshëm dhe shpresëthyes!
Në thelb, ky është një bashkëpunim i dyshimtë dhe i paragjykuar si aferë korruptive qeveri-oligark.
Këta super të pasurit, si individ, nuk zotërojnë talente që nuk i kanë shumë të tjerë, por sepse hallkat janë vendosur në mënyrë të atillë që kjo të ndodhë.
Nëpërmjet grupeve të interesit bëjnë marrëveshje të nderlikuara të taksimit e ligjeve, punojnë aktivisht për ta ndalur rishpërndarjen e pasurive.
Këtu nis një konflikt midis demokracisë dhe oligarkisë. Praktika e taksimit dhe shpërndarjes së të ardhurave përveç se është detyrë ligjore është dhe qytetare sepse vjen nga kontribute të përbashkëta.
Pra, të gjithë duhet të përfitojmë si në arsim, shëndetësi, siguri, infrastrukturë, shëndetësi, programe sociale.
Këto burime financiare kontribuojnë në fuqizimin e shtetit, garanton meritokracinë, me pak fjalë, taksa është elementi kryesor në marrveshjen midis qytetarëve dhe qeverisë.
Oligarkët janë shndërruar në pjesë e rëndësishme e ingranazheve që vjelin buxhetin e shtetit me forma legale dhe jo pak herë me transferta të dyshimta.
Akuza për korrupsion artikuluhen çdo ditë nga media, por edhe nga instanca shtetërore si kontrolli i lartë të shtetit.
Ky është kolapsi ku është përfshirë shoqëria shqiptare, superstruktura dhe struktura e saj në gjithë korpusin e vetë.
Idealet e Republikës kanë rënë, demokracia është përbaltur, mjerimi këndon vajin e trishtë, e ardhmja mbetet e zymtë.
Po publiku si reagon ?
Nuk shkruaj “shoqëri civile” sepse e tilla mungon në këtë vend. Të ashtuquajturat të tilla, thjesht dhe qartë janë në pritje të financimit, pavarësisht nga vijnë fondet.
Heshtin ose shërbejnë për turp…
Rikthehem te publiku, por nuk gjej asnjë element reagimi, as nerv proteste.
Fatkeqësia kolektive buron pikërisht nga bindja kërbaçore dhe pranimi i çdo sanksioni që ushtrohet mbi të.
Opozita…
Duket se Kryetari i saj, Z.Lulzim Basha, ka vizionin për të korigjuar shumë praktika rraskapitëse dhe zhvatëse të ngritura në norma aktualisht.
Koha do vërtetojë sesa do arrijë të realizojë përmbysjen e madhe dhe të shumëpritur nga shumëkush.
Programi i ringritjes së ekonomisë dhe konsolidomit të shtetit të së drejtës, kërkon mē shumë zëra publikë dhe kurajo qytetare.
“Konflikti” oligarkë – popull zgjidhet përfundimisht me hetimin e çdo të ardhure financiare, zhdëmtimin e djersës së milionë taksapaguesve dhe vendosjen në pranga të hajdutëve.
Kjo nuk është luftë ndaj të pasurve, por vendosja e mundësive të barabarta në ekonominë e tregut.
Vetëm një start i tillë e fuqizon shtresën e mesme, zbut varfërinë, diferencon më të zotët në biznes dhe arritje.
Rreth opozitës, në njohjen time të largët, gjej emra të shquar ekspertësh dhe intelektualësh.
A mjafton ?
Jo, kurrësesi jo !
Vullneti politik duhet të prevalojë dhe interesat e shumicës së popullit.
Me një mendësi dhe dëshirë të tillë, Shqipëria bëhet.
Rasti për aleancën e madhe “qytetar – politikë” është 25 prilli 2021.
Verdikti ju përket shqiptarëve !