Nga Ejona LAMA
Të mbajturit mend diçka përkon me të mësuarit rreth asaj gjëje, e ndërsa mënyra e vetme për të vënë në provë atë çfarë është mësuar është matja e asaj çfarë ne mbajmë mend. Mbajtja mend rreth asaj që kemi mësuar paraqitet gjithnjë e vështirë në të gjitha gjeneratat. Të vegjlit janë nxitur gjithmonë nga prindërit e tyre për të qenë njohës të fjalëve që në gjuhën popullore i njohim si fjalët magjike. E gjitha kjo nënkuptonte një mirëpërkujdesje prindërore dhe një sinjal të një edukimi të mirë dhe efektiv. Nëse mendojmë rreth asaj që kemi mësuar dhe hedhim sytë drejt realitetit të sotëm do të shohim që kemi një zbehje të këtyre vlerave dhe një nivel të ulët të përfshirjes së këtyre fjalëve në rutinat jetësore. Përvetëm se njerëzit justifikohen me faktin e të harruarit të asaj që duhet të jetë prioritet për ta, ata bëhen pjesë edhe të një bote ku kryefjala e saj është stresi i vazhdueshëm dhe mungesa e dëshirave për të kënaqur veten dhe të tjerët rreth. Prej shumë kohësh tashmë ky fenomen është bërë shqetësues dhe detyrues i kapaciteteve tona në përshtatjen e sjelljeve tona ndaj situatave të mërzitshme.
Mungon mirësia, e qeshura, guximi për të treguar anën e mirë të vetes dhe për të mos u bërë shfaqës i tepërt i anëve të errëta ku mbizotërojnë kritikat, konfliktet, urrejtjet dhe niveli i lartë i agresivitetit.
Është i vërtetë fakti që jemi pjesë e një bote cinike ku detyrimi më i madh i joni është të paguajmë mijëra fatura padrejtësish, por ajo është në këtë gjendje sepse pret ndryshimin tonë, një ndryshim qê nuk e di kur do të bëhet i yni.
Të qenurit të edukuar, të moralshëm dhe mirësidhënës është mënyra më e mirë për të larguar nga bota të pamoralshmit, zemërthyesit dhe gënjështarët.
Duhet kuptuar qê mirësia është një nevojë bazike, nuk ndikon në shfaqjen tonë si qënie të dobëta, përkundrazi, lartëson më tepër vlerat dhe idealet tona.
E pranoj që shpesh herë duhet të heshtim, të bërtasim pa zë, te humbasim atë çfarë kemi krijuar me sakrifica, por të qëndruarit brenda këtij rrethi pa kêrkuar dhe treguar mirësinë tonë, është një anë negative e cila na identifikon si qënie të lodhura në kërkimin e të drejtave dhe vendeve që meritojmë.
Ndaj ajo çfarë ka nevojë gjithsecili prej nesh është një recetë e thjeshtë e të jetuarit. Ajo përmban bukurinë shpirtërore dhe të mirën vetjake e ndërshoqërore.
Kështu që, një sjellje e mirë dhe një mirësi e dhuruar është një mënyrë për tu ndier më të fortë dhe të shëndetshëm.
Në këtë rast nuk kemi vetëm një vete të shpërblyer por edhe një mirëqënie shëndetësore.
Nëse bëhemi çdo ditë praktikues të mirësisë, do të ndjejmë një rritje të lumturisë së brendshme dhe këndvështrimi ynë mbi botën do të ndryshojë.
Ndryshimi fillon nga vetja dhe kështu bota do marrë nga ne, do të kuptojë fuqinë e jashtëzakonshme të mirësisë.
“Mos të mbetemi vetëm përfitues vetjakë, por ti tregojmë vetes se sa shumë ajo shkëlqen kur ne e udhëzojmë atë në drejtim të mirësisë”.
Lumturia fillon nga mirësia…
“Dhuro edhe ti mirësi”.