Mesazhi i ashpër Yuri Kim shënon çarjen përfundimtare të Ramës me Perëndimin

Nga Red VARAKU

Deklarata e drejtëpërdrejtë dhe aspak diplomatike e përfaqësueses së Presidentit Trump, ambasadores amerikane Yuri Kim, është ngjarja më e madhe politike në vend, sepse për herë të parë pas shtatë vjetëve akuzon Edi Ramën se po bën marrëveshje “prapa krahëve” të miqve dhe partnerëve tanë, në dëm të Reformës në Drejtësi dhe kundër interesit publik.


Ajo ishte si një injeksion në tru mbi vetë kryeministrin dhe propagandistët e rilindjes, të cilët për shkak të mpirjes, prej asaj dite po veprojnë dhe flasin përçart dhe kanë vetëm një merak për të cilin janë investuar deri në budallallëk: devijimin e mesazhit të ashpër dhe të prerë amerikan.
Ishte pikërisht devijimi i këtij mesazhi që e detyroi të shpallte të premten ndalimin për faljen e Bajramit, edhe pse e kishte të qartë se askush nuk do ta respektonte.


Kjo me qëllim hapjen e një debati të ri pikërisht në të njëjtën ditë kur ambasadorja shpalli hapur Edi Ramën si njeriu që kishte hyrë në një marrëveshje “prapa krahëve” për dështimin e Reformës në Drejtësi dhe Lulzim Bashën si udhëheqësi që duhet ndjekur.
Me të njëjtën taktikë vazhdon të flasë për zgjatjen e masave anti-covid të cilin e kanë ngrënë jo pak naivë, që kanë shpallur lloj lloj nismash për hapje. Kjo me të vetmin qëllim, devijimin nga mesazhi i ashpër i ambasadores amerikane.


Ndërkohë, propagandistët e tij janë vënë në një pozitë shumë të vështirë, sepse ata e dinë që deklarata e ambasadores ishte aq e qartë, sa nuk lejonte mundësi për spekulim dhe çdo përpjekje nuk do të diskretitonte vetëm kryeministrin, por edhe ata që në mënyrë krejt të pacipë tentojnë ta mbrojnë atë.


Por, duke qenë se paguhen për të shplarë trutë e njerëzve , ashtu si ato prostitutat që edhe pse të vjetra në moshë , sërish e provojnë të dalin në semafor, krejt pa logjikë i janë futur ta kthejnë deklaratën e saj në favor të kryeministrit.


Prostituimi shkon deri aty sa thonë që ambasadorja amerikane deklaratën e të premtes e kishte kundër Lulzim Bashës. Kjo tezë është aq idiote, sa fyen edhe më kokëtulët , sepse të gjithë e dëgjuam vetë Yuri Kim të përgëzonte nominalisht Lulzim Bashën për qëndrimin e tij.


Madje, ka disa trushpëlarë që thonë që opozita po tenton të bllokojë Reformën në Drejtësi dhe Reformën Zgjedhore nëpërmjet protestave për Teatrin. Në mos idiotësi, kjo është një çmenduri, sepse dihet që opozita nuk ka asgjë në dorë për t’iu imponuar kryeministrit për Reformën në Drejtësi.

Ndërkohë , është botërisht e pranuar, që nëse egziston dikush që është i interesuar për Reformën Zgjedhore, ajo është opozita dhe Lulzim Basha.


Për ata që nuk e kanë të qartë, Reforma Zgjedhore dhe zbatimi i saj menjëherë pas miratimit, është në thelb plotësimi i kërkesës kryesore të opozitës për zgjedhje të lira me një qeveri teknike dhe do të thotë dorëzim pushteti me procedurë. Pra, cila mendje idiote mund ta pranojë që opozita është kundër për përfundimin e Reformës Zgjedhore dhe për çfarë i duhet marrëveshja me një kalë të ngordhur kur dihet që fitorja e saj pritet të jetë e ngjashme me fitoren e saj në 1992?


Tani një gjë është e sigurtë. Nëse ka një njeri që ka ardhur në pushtet gjithmonë me marrëveshje në dëm të interesit publik, një njeri të cilit i rrezikohet pushteti me zgjedhje të lira dhe që ka dhënë prova që është gati të bëjë gjithçka për pushtet, përfshi dhe shitjen e gjakut të viktimave të 21 janarit, ai është Edi Rama.


Ndaj, është e qartë që ndërhyrja e Yuri Kim ua dogji në dorë skenarin palëve, që kishin rënë dakort “prapa krahëve” për deformimin e Reformës në Drejtësi dhe bllokimin e Reformës Zgjedhore, që nisi taktikisht nga Edi Rama me shembjen e Teatrit Kombëtar.


Në të njëjtën gjatësi vale me SHBA ka qenë ambasadori Soreca dhe ambasadorët më të rëndësishëm të Bashkimit Europian, dhe kjo e ka përforcuar dhe më shumë aksionin diplomatik të Yuri Kim, që do të thotë që SHBA dhe BE janë të koordinuara në mënyrë të përpiktë në operacionin për pastrimin e Shqipërisë nga plehrat.


Fatkeqësisht, Shqipëria vazhdon të mbetet një demokraci hibride dhe faktori ndërkombëtar është faktori më i rëndësishëm i ruajtjes së ekuilibrave demokratike në vend. Kthesa e tyre haptazi kundër kryeministrit dëshmon që vendimi për t’i flakur këto plehra në koshin e plehrave të historisë shqiptare është vendosur dhe këtë nuk mund ta ndalë dot më askush.