Formimi personal, i parë në kontekstin e lirisë së individit

Nga Skender Doçi

Dëshiroj ta filloj me një shembull nga bujqësia, ku njeriu që në fillesat e tij ka derdhur aty përpjekjet e para, punën dhe talentin, është lidhur ngushtësisht me territorin në të cilin jetonte, duke e parë si një vend jetese, por edhe mbijetesë si rezultat i nevojës për ushqim.
Çdo bujk e din se, sasia e misrit që do marrë nga një parcelë, është e barabartë me shumen e prodhimit të secilës bimë, si rezultat, ai bën një shërbim sa më të mirë për secilen nga bimët në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin nivel.
Për arsye të njohura dhe të panjohura, prodhimi nga një bimë në tjetrën ndryshon edhe pse kushtet, fara në mbjellje, parcela dhe shërbimet që kryen bujku janë të barabarta për secilën.
Pra, vijmë te diversiteti ku asgjë e gjallë nuk ka ngjashmëri të plotë edhe pse brenda llojit, familjes, gjinisë apo nga para-ardhësi tek pasardhësi i tij.
Kjo edhe më e dallueshme tek njeriu, pasi ndryshimet brenda individit gjatë jetës së tij, janë shumë më të mëdhaja në të gjithë treguesit. Për më tepër, njeriu është gjallesa me një rreze të madhe ndërveprimi me natyrën dhe kryesisht marrëdhëniet sociale.

Në vendet perëndimore, ku demokracia, kultura dhe teknologjia, kanë ecur me hapa marramendës, mendoj se sekreti ekziston në dy tregues, që shoqëritë e mësipërme i konceptuan diametralisht kundër me modelet që kishin më parë. Si kohë i takon shekullit të 19-të kryesisht në Evropë, ndërsa në Amerikë fillesat ishin edhe një shekull më parë nga kjo.

E para, është qëndrimi ndaj fesë.
Po të kemi parasysh tre fetë kryesore, myslimane, katolike dhe ordodokse.
Është fakt se sistemi demokratik, jo vetëm fillesat e para por edhe rezultatet shumë të mëdhaja, në një kohë relativisht të shkurtër, i pati në vendet me besim katolik.
Mendoj se përcaktuese nuk ishte natyra e fesë, pasi ajo kishte ekzistuar e tillë, në këto vende që prej 2000 vjetësh. Sekreti qëndron tek heqja dorë nga feja si një sistem, e cila me metodat e veta ofronte dhe detyronte një formim kolektiv homogjen dhe të njëanshëm, i cili nuk afronte ndryshim as zhvillim e në themel kishte ruajtjen e pushtetit dhe ndikimit absolut mbi njerëzit.
Pra, feja nuk do të ishte më një sistem shoqëror, por një organizatë e ndarë nga shteti dhe qeverisja,
Si rezultat, u krijua për njerëzit, një klimë, model dhe hapësirë jetese shumë më ndryshe nga ajo e mëparshmja.

E dyta, është liria e individit.
Në një sistem shtetëror, tani jo me ndikime dhe natyrë fetare, problemi tjetër ishte raporti i individit me shtetin, që konvergoi me një tërësi rregullash, konceptesh, dhe ligjesh që në themel kishin liritë dhe të drejtat e individit.
Për hir të së vërtetës, përpjekjet e para konkrete në kuptimin politik dhe shtetëror vijnë nga ShBA.
Kulmi i saj ishte një betejë e përgjakshme, luta civile dhe heroi i saj e i mbarë njerëzimit në fushën e lirisë dhe të së drejtës, që ishte presidenti Abraham Linkoln. Pasuar afërsisht një shekull më vonë, nga Xhon Kenedi dhe Martin Luterking të cilët ishin bashkëkohës.
Sigurisht përpjekjet kanë qenë jo të vogla dhe të vazhdueshme kohë pas kohe, nga individët, qeveritë dhe shoqëria civile, përgjatë dy shekujve të fundit. Aq më tepër, vazhdojnë edhe sot e sigurisht në të ardhmen. Si të thuash, është një koncept dhe realitet që njeriun do ta shoqërojë përgjithmonë, me luhatjet, përkeqësimet dhe kryesisht ecjet përpara.
Pra, për të ardhur tek liria e individit, të cilën sot e gëzojmë edhe ne (në një nivel të caktuar, ku ngelet për të bërë, jo shumë?!. Por shumë.. shumë… shuuuuumë…, e prapë më shumë), është një kalvarë i gjatë luftërash, përpjekjesh dhe sakrificash njerzore.
Kujtoj këtu, tekstin e asaj këngës s’vjetër të zezakëve, ku disa vargje të saj janë gdhendur mbi varrin e Martin Luterkingut:
“… Jemi të lirë
Dhe tani jemi të lirë
Fal Zotit të gjithëpushtetshëm, tani jemi të lirë…” – e kam me t’lexuar, jo me të parë.

Njëra nga liritë themelore të individit, është “liria e formimt personal”, – koncepti eshte sipas mendimit tim. – Pavarësisht se mund të ketë me mijëra shtjellime të termit dhe koncepteve që rrjedhin prej tij (gjithmonë është fjala për njeriun, jo si qenie, por në aspektin e dijes, koncepteve, sjelljes…etj).
Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala “formim” ka kuptimin:
“Botëkuptimi dhe edukata që ka fituar dikush në jetë e në shkollë, në një mjedis të caktuar shoqëror; tërësia e dijeve që ka përvetësuar dikush në një fushë të shkencës, të teknikës a të arteve. Formim marksist (komunist). Formim klasor. Formim ideopolitik. Formim gjuhësor. Formim shkencor. Formim muzikor (artistik). Formim i gjithanshëm. Ka formim të mirë”, – sigurisht shpjegimi këtu është nga ana terminologjike, jo konceptuale – pa hyrë në rrethanat dhe kohën që u formulua.

Në një shoqëri demokratike, gjithkush është i lirë të jap e të marrë informacion, mendime, të formohet e mos të formohet, të lexoj e mos të lexoj, të sillet mirë e të sillet keq, të punoj e mos të punoj, të bëhet i dobishëm e të bëhet i dëmshëm për veten familjen e shoqërinë e dhjetëra gjëra të tilla, të cilat i ka të garantuara me ligj, biles edhe vetë ligjin është i lirë ta shkelë, nëse ai më parë vendos të pranoj e të kryej ndëshkimin (po prap sipas ligjit), që vjen si pasojë e shkeljes së tij.
Si i bëre mirë – si i bëre keq, pasojat që rrjedhin nga përcaktimet e mësipërme, pikë së pari janë në përgjegjësinë, vullnetin dhe interesin individual të secilit individ.
Në qoftë se ti, ke lexuar qindra apo mijëra libra, dikur respektoheshe apriori nga të gjithë, biles ai që vidhte libra, thoshin se nuk quhet as hajdut.
Tani jo quhesh hajdut, por shkon edhe në burg për vjedhje, dhe kështu duhet.
Nuk i bëhet vonë njeriut se sa din ti, ku gjen librat, a ke para për ti blerë, ke apo s’ ke rrethana, vullnet etj.
Në kohën që jetojmë, dija dhe formimi janë kthyer në një “mall tregu” ku dëshira, vullneti, mundësia është në përgjegjësinë dhe interesin individual të secilit, prejashto rastet e sanksionuara me ligj që është arsimimi në shkollën 9-vjeçare.
E thënë ndryshe, bëj çfarë të duash se për vete e ke!
Lëmë në një anë këtu, rastet kur formimi dhe dija jote shërbejnë dhe kthehen në një të mirë sociale apo publike, të provuara dhe të pranuara si të tilla. Këtu pastaj gjërat ndryshojnë, fillon respekti i të tjerëve, përgëzimet dhe referimet ndaj atyre që ke shkruar e thënë ti.
Kjo, jo e matur me treguesit dhe normat e realitetit shqiptarë, por duhet të jesh krahasimisht në nivelet e kolegëve homolog evropian dhe nderkombetar

Nga këtu, del rëndësia e ndërgjegjësimit mbi “formimin personal” të rinisë dhe brezave, mbi bazen e koncepimit të kohës. Pikë së pari, si një nevojë dhe interes individual, dhe më vonë goxha më vonë, si nevojë shqoqërore, patriotike e kombëtare.
Po të arrijmë këtë standart, ne si shoqëri e si komb rrjedhimisht shkojmë lart e më lart.
Ajo që dua të theksoj, është se ku konsiston formimi personal, për të cilin unë mendoj se hedhja e bazave fillon në shkollën e mesme dhe maturimi fillon në moshën 18-vjeçare, kohë që konvergon me studimet universitare e në vazhdim…

“Formimi personal”, së pari, të ndihmon në rregullimin e shumë ekuilibrave të brendshëm.
Shikoni, ne flasim shumë për shoqërinë dhe marrëdhëniet sociale brenda saj, por akoma më e komplikuar është situata brenda vetë individit si qenie.
Asnjë model, formë apo rrugë, nuk do na shpjerë përpara në qoftë se ne, para rregullimit dhe konsolidimit të shoqërisë nuk vemë rregullimin, nevojat dhe formimin e individit në veçanti.
Nga kjo qasje, duhen drejtuar energjitë, projektet, programet, modelet dhe puna, pastaj ecja e shoqërisë përpara është e garantuar.

Kur flasim për lirinë, pronën, të drejtat, formimin, ekonominë, mirëqenien, kapitalin, zhvillimin, lumturinë, shpresën e shoqërinë, gjithmonë kemi parasysh individin, i cili është njësi “matëse” dhe njëkohësisht “lakmues” që mat gjithë treguesit e një shteti dhe të një shoqërie demokratike.
Edhe kur flasim për rregullimin e shumë gjërave në shoqërinë tonë, nuk është aspak rruga e duhur ajo e presionit kolektiv që mund të bëjë shteti, qeveria apo ligji.
Kjo nuk ka të bëjë me bindjen, ndërgjegjësimin apo rregullimin e situatës, përkundrazi e ngadalëson e kamuflon atë dhe e përkeqëson në vazhdim.
Edhe kur bëhet fjalë për ndëshkime ligjore, jep më rezultat proçesi i ngadalshëm individ mbas individi sipas përgjegjësisë, se sa i shpejtë dhe kolektiv, edhe pse shumë njerëz mund të gjenden në të njëjtën situatë dhe meritojnë të njëjtin denim.
Kjo ka të bëjë me maturimin dhe qëndrushmërinë e një politike apo reforme që ti dëshiron të implementosh në një shoqëri, si dhe aftësinë asimiluese të vetë shoqerisë.

Kthehemi edhe një herë tek “formimi personal” dhe ndikimi që ka tek individi dhe jeta e tij.
E thamë, se të ndihmon në rregullimin e shumë ekuilibrave të brendshëm, për më saktë të ndihmon në gjithçka prejashto sëmundjet me bazë fiziologjike apo patollogjike.
Edhe aty të ndihmon me njohjen e sëmundjes, bashkëjetesën me të, metodat lehtësuese si dhe dhjetëra gjëra të tjera.
Ajo që është më e rëndësishme, të ndihmon në shërimin e të gjitha “sëmundjeve” që kanë për bazë shpirtin dhe trurin. Për më tepër që i ke bashkëudhëtare të pandashme gjatë gjithë udhëtimit në jetën tënde.
Të krijon mundësinë e të jetuarit larg ankthit, stresit,kompleksit, falimentimit, xhelozisë, egos, frikës, kooperimeve dhe varësive të sëmura.
Të krijon një lidhje të forte dhe organike me natyrën dhe mjedisin, që janë ndër shtyllat kryesore për një shëndet, jetë dhe identitet të forte personal.

E kupton dhe e përzgjedh dashurinë, si një sentiment që të shton gëzimin , forcën, motivimin për jetën, të shton lirinë dhe pavarësinë, të mbush me enërgji dhe të shtyn përpara. Duke shpëtuar njëherë e mirë nga zhvillimi pervers dhe i sëmurë i saj, siç janë fenomenet e shtrëngimit, varësia e sëmurë, emocionet negative që në themel kanë një ves pervers e mbizotërues ndaj çdo vlere tjetër tek njeriu.
Të ndihmon në ndërtimin e raporteve të mira familjare, me shoqërinë, profesionin dhe kolegët.
Të mundëson njohjen shpejt të gjërave jo të dobishme, si në aspektin personal ashtu edhe në aspektin e punës e shoqërisë. Duke kursyer nga koha dhe enërgjitë e tua, sigurisht të kufizuara, por të mirë-menaxhuara për aq sa, të ka dhanë zoti, familja, perpjekjet e tua dhe rrethanat e jetës
Për më tepër, jeton i lumtur gjatë gjithë viteve të jetës, qenia jote asimilon lehtësisht dhe përqafon çdo gjë të dobishme dhe të mirë, duke ecur përpara drejt surprizave të pafundme që i ke rreth vetes.
Pra, formimi personal është kyçi i rregullimit të çdo gjëje në kuadrin e interesit individual.

Tërësia e secilit individ të mirë-formuar, përbën bërthamën e një shoqërie.
Sa më e madhe të jetë kjo bërthamë, aq më vital është kombi.