Skënderbeu dhe Partizani kanë bërë detyrën edhe kësaj javë në Kategorinë Superiore, teksa kanë marrë nga një fitore me rezultate minimale, respektivisht kundër Flamurtarit dhe Laçit. Edhe kësaj radhe, trajneri Ilir Daja nuk ka mundur të fitojë përballë “nxënësit” të tij, Orges Shehu, pasi ka qenë “ish-i” i Flamurtarit, Dejvi Bregu, i cili ka ndëshkuar vlonjatët në limite edhe pse autori i golit ka qenë në dilemë për të qenë në fushën e lojës.
Pas barazimit javën e kaluar në përblljen kundër Luftëtarit, Flamurtari nuk ka mundur të marrë një fitore ditën e sotme edhe pse përballë patën kampionët në fuqi të Superligës. Megjithatë, me këtë triumf minimal, por me vlerën e tre pikëe, Skënderbeu grumbullon 29 pikë, dy më pak se Partizani që mban kreun, ndërsa Flamurtari me 19 pikë, dhe ndodhet në vendin e 6-të të renditjes. Nga ana tjetër, në “Selman Stërmasi”, Partizani nuk ndalët as nga Laçi, pasi ka fituar me një gol të shënuar nga Bardhi me kokë në minutën e 62’ të takimit.
Ky është goli i tretë personal për Bardhin, pas atyre dy golave në ndeshjen e kaluar ndaj Kastriotit. Edhe pse skuadra laçiane tentoi disa herë që të gjente rrjetën por mbrojtja e “Demave të Kuq” dhe porta e Alban Hoxhës shmangën gjithçka, duke përfituar edhe nga kartoni i kuq që Berisha mori në minutën e 83’. Kjo fitore bën që kryeqytetasit të mbajnë kreun me 31 pikë.