Prindër, nxënës, përfaqësues të shoqërisë civile protestojnë këtë mbrëmje para Ministrisë së Arsimit për vrasjen e Martin Canit, ku kërkojnë dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu. Kërkesat kryesore janë siguria e fëmijëve në shkolla dhe zbardhja e plotë e ngjarjes.
Kjo vjen pas deklaratave të fundit të nxënësit të plagosur Luis Meçe, i cili nga spitali ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, hodhi dyshime për persona të tjera të përfshirë në ngjarje. ”Do t’i kërkohet institucioneve arsimore dhe policisë zbardhja e ngjarjes, pasi mësohet një nga nxënësit e plagosur Luis Meçe ka rrëfyer në spitalin ushtarak se nuk ka qenë vetëm autori, por edhe persona të tjerë”.
Policia ka mohuar përfshirjen e personave të tjerë në ngjarje. Policia e Shtetit thotë se ka të konfirmuar nëpërmjet dëshmive dhe pamjeve filmike e gjithë dinamika dhe deri më tani nuk ka person të tjetër që të jetë përgjegjës. Të mërkurën kryeministri Edi Rama hodhi në diskutim publik masat që duhet të ndërmerren për të ndaluar dhunën e bullizimin në rrjete sociale, për të mbyllur TikTok apo Snapchat.