“Rebeli” ndjek fatin e “Apostullit”. Ende pa u mbyllur Panairi i 27-të i Librit, studiuesi e gazetari Ilir Ikonomi ka prevaluar mbi botimet e tjera. Nga stenda e UET Press thonë se tashmë, në orët e fundit të ditës së katërt të panairit, vëllimi i dytë për Fan Nolin, “Rebeli”, ka qenë më i kërkuari nga lexuesit.
Autori ka qëndruar në stendë shumicën e kohës, gjatë gjithë ditëve, për të pritur lexuesit, për të dhënë autografe, për të bërë fotografi por edhe për të shkëmbyer me ta një bisedë të shkurtër. Miq e të panjohur, jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo diaspora, në emrin e tyre apo me porosi të personave të tretë, i kanë kërkuar autorit një kujtim, moment që i jep tjetër emocion një libri.
Kjo jo vetëm për faktin se Ikonomi është personazh publik, pasi shumë vite ka punuar si gazetar i “Zërit të Amerikës”, por mbi të gjitha ai është një autor i sprovuar, i cilësuar si më i miri shkrues i biografive që kemi në Shqipëri.
Këtë titull e ka marrë me biografitë për Faik Konicën, Ismail Qemalin e Esat Pashë Toptanin, botuar nga UET Press. Biografia për Nolin është një tjetër gur në gjerdanin e çmuar.
Në panairin e vitit të kaluar Ikonomi korri sukses me “Apostulli”, vëllimi i parë biografik e i imtësishëm për Nolin, ku pasqyroheshin dokumente, letërkëmbime, detaje të reja e të panjohura për këtë figurë komplekse, intelektuale dhe të rëndësishme të çështjes kombëtare shqiptare.
Në të tregoheshin 10 vitet e jetës së Nolit, pasi iku nga Egjipti në Amerikë, punoi e ndoqi Harvardin, u përfshi me Kishën e më vonë me çështjen shqiptare.
Në këto ditë të Panairit të Librit 2024 pati mjaft lexues, shpesh në radhë për botimin “Rebeli”, të ardhur me përshtypjet më të mira për punën e autorit në vëllimin e parë.
“Rebeli” sjell një periudhë gati 5- vjeçare por shumë të rëndësishme për Nolin: 1920-1924 janë vitet kur ai u bë i njohur ndërkombëtarisht dhe falë kësaj kredoje erdhi në Shqipëri me vetbesimin se do të ndryshonte të ardhmen e saj. U largua fill pas rrëzimit të qeverisë së ’24 dhe nuk u kthye kurrë më.
Se çfarë ndodhi më pas, gjatë më shumë se tre dekadave të jetës së tij, Ikonomi dëshiron t’i rrëfejë në vëllimin e tretë, duke kompletuar kështu një figurë me dritëhijet e veta, jo aq të kontestuar ndër vite, por as pa ‘mëkate’.