Profesori dhe analisti politik, Blerim Latifi, ka komentuar lidhur me përurimin e një xhamie të re që është bërë dje në Tiranë e ku ka marrë pjesë edhe presidenti turk, Recep Tayip Erdogan. Një ditë pas kësaj vizite, Erdogan ishte në Beograd ku foli për një bashkëpunim më të thellë në fushën e armatimeve.
Latifi shprehet se Erdogan po investon në Serbi miliona euro, ndërkohë që shqiptarëve po u ndërton xhami të stilit otoman.
“N’Beograd Erdogani paska thanë se “marrëdhëniet e Turqisë me Serbinë janë në një epokë të artë”. Sigurisht, ky është termi më i saktë për të përshkruar faktin për miliarda investime që shteti turk ka bërë në Serbi, ndërsa marrëveshjet dypalëshe përfshijnë të gjitha fushat, përfshi edhe industrinë e armatimeve.
Ndërkaq, shqiptarëve u ndërton xhami dhe investime në restaurime të objekteve të periudhës otomane. Një aforizmë e moçme thotë : Budallës mos i zbrit as teposhtë!”, shkroi Latifi në reagimin e tij.