Qeveria ka miratuar rritjen e pagës për punonjësit e administratës shtetërore.
Shtesa do të mund të përfitohet prej 1 korrikut ndërsa janë 7 kategori që do të kenë rrogën më të lartë.
Ministri i financave shprehet se synimi është arritja e një page mesatare prej 105 mijë lekësh.
“Me miratimin e vendimeve ditën e sotme avancojmë fazën e dytë të politikës së rritjes së pagave, nisur në vitin 2023, nga e cila përfitojnë rreth 135 mijë punonjës te administratës. Përmes zbatimit të kësaj politike paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105mijë lekë. Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me një kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për ketë 6 mujor të dytë të vitit dhe me një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh.”