Pas vendimit të Apelit që i dha vulën Berishës, baza e demokratëve ka nisur të bashkohet dhe të unifikohet në qëndrimet dhe aksionin e saj politik. Një shembull i tillë vjen nga demokratët pukjanë, të cilët edhe pse më 14 maj ishin të gjithë bashkë, duke patur një ndikim të madh në zgjedhjet lokale, deri para pak ditësh kanë funksionuar të ndarë në dy linja; mbështetësit e PD zyrtare dhe mbështetësit e “foltores”.
Me bashkimin e tyre, sot është shënuar një ngjarje politike e rëndësishme, ku këshilltari i dalë më 14 maj nga PD-ja e Lulzim Bashës, z. Gjon Gjoka është zgjedhur kryetar i Këshillit Bashkiak.
I mbështetur nga këshilltarët e tjerë të djathtë dhe me miratimin e plotë të strukturave lokale dhe drejtuesve të “foltores”, tashmë drejtues të PD-së Pukë, kryetari i ri u zgjodh pas mocionit të bërë ndaj ish-kreut Eduart Gjoka që vinte nga radhët e PSD-së së Tom Doshit.
Ky akt dëshmon qartësinë dhe pjekurinë politike të strukturave lokale të PD-së Pukë, të cilat përgjatë këtyre tre viteve kan shpërfillur sherret e qendrës dhe kanë qenë gjithnjë të bashkuar.
Po kush është kryetari i ri i Këshillit të Bashkisë Pukë?
I lindur më 6 janar 1974 në fshatin Kaftallë të njësisë administrative Luf, Gjon Gjoka, është një kontribuotor i hershëm i PD, drejtues strukturash dhe këshilltar në këshillin bashkiak për disa mandate.
I diplomuar në Jurisprudencë, z. Gjoka është një sipërmarrës i sukseshëm dhe një veprimtar i njohur në komunitet, duke qenë përherë një zë i fuqishëm në promovimin e vlerave të vendlindjes dhe kundër padrejtësive sociale.