Nga Elsa Sula
Gjuha amtare është shprehje e historisë sonë, identitetit tonë kombëtar dhe vlerave kulturore që na karakterizojnë. Përmes saj, transmetojmë pasurinë tonë të trashëgimisë së folklorit, letërsisë, muzikës dhe traditave të tjera që formojnë esencën kombëtare. Ruajtja e gjuhës së nënës nuk është vetëm një akt kulturor, por para së gjithash një veprim për të mbrojtur themelet e identitetit tonë, të cilat mund të preken nga deformimi dhe varfërimi i gjuhës, fenomen që po përhapet gjithnjë e më shumë.
Në kohën kur ndryshimet teknologjike dhe globalizimi kanë ndikim të thellë në rrezikimin e gjuhëve është koha për të ndërmarrë masa të rëndësishme. Deformimi dhe varfërimi i gjuhës shqipe paraqesin një emergjencë për të gjithë ne, ndaj çdo individ ka detyrën të kontribuojë në përmirësimin e kësaj situate.
Le të mos pranojmë dokumente zyrtare që nuk respektojnë normat e drejtshkrimit të gjuhës sonë dhe duhet të refuzojmë të gjitha materialet shkrimore në të cilat nuk gjendet në të ë dhe ҫ. Këtu fillon ndërgjegjësimi dhe mbrojtja e gjuhës tonë amtare.
Nuk duhet të falim asnjë nxënës apo student që nuk shkruan drejt, që nuk përdor fjalët e duhura shqipe për çdo përdorim të huaj, që ngatërrojnë germat ҫ me q, xh me gj në shkrim, që bën shkurtore në komunikimet sociale. Gjuha jonë amtare nuk është virtuale, por përfaqëson një realitet të rëndësishëm kombëtar.
Duhet të kultivojmë shkrimi e dorës përpara atij të shtypit. Dhe mbi të gjitha, të mos falim asnjë mësimdhënës të ҫdolloj fushe që nuk di të flasë e të shkruajë gjuhën amë.
Ua kemi borxh shqipdashësve mësimin e drejtë të gjuhës e përdorimin e drejtë të saj dhe vetëm atë ditë do të kemi arsye për të gëzuar shqip.