Sot është një ditë e veçantë, një ditë kaq e rëndësishme dhe shpirtërore, ditë, ku mikpritës janë flakadanët e lirisë, themeluesit e demokracisë, studentët e Dhjetorit 90!
Historia jonë, ka shumë data, që përfaqësojnë gurin kilometrik për ngjarjet madhore përcaktuese të historisë iliro-shqiptare si perandori, si identitet kombëtar dhe si histori.
Sigurisht, kjo trashëgimi, që të parët na e kanë lënë, mjerisht e përçudnuar, na detyron për ta nxjerrë atë në dritë e për ta vendosur, aty ku e meriton, në altarin e artë të historisë së njerëzimit.
E, një ndër këto data, pa mëdyshje, e këtë e them jo thjesht si studente, që pata fatin të përjetoj vullnetin, kurajon, sakrificën, vetmohimin, dashurinë e, mbi të gjitha, vizionin e brezit tim për liri e demokraci, është data 8 Dhjetor 1990.
Tashmë, duke gjykur me qetësinë e largësisë së kohës nga Dhjetori i 90’, mendoj se brenda nesh, pra brenda studentëve të atij brezi të smeraldtë, unik në historinë e shqiptarëve, ishte grumbulluar vuajtja e pashoqe e shoqërisë shqiptare, tmerret dhe vuajtjet e elitës intelektuale të kohës, kur në pushtet erdhi bolshevizmi sllavo-komunist, ndaj ndodhi shpërthimi epokaliptik nga gjoksi i tyre.
Tmerret dhe vuajtjet e çdo atdhetari, dijetari, nëne, fëmije, burri, fshatari e qytetari, tmerret dhe vuajtjet e çdo kleriku, që adhuronte fenë dhe atdhenë, e deri tek përdhunimi i çdo komunisti idealist, që kishte luftuar, jo për vëllavrasje , por për liri e atdhe, të ideuara nga enverizmi dhe ekzekutuara nga enveristët, tashmë ligjëroheshin nga brohorimat histerike të turmave të trembura, të sterilizuara në tru, dhe ndaj çdokujt, që shpaloste qoftë edhe një fjalë, që binte ndesh me moralin e shtetit vëllavrasës diktatorial, që sundonte magjiplotë.
Ndaj uragani kushtrimtar për liri e demokraci, shpërtheu nga zemrat e studenëve, si elitë, pa paramenduar se pjesa dërrmuese ishin me “biografi të mirë”- pasi, ky ishte kriteri thelbësor i mundësisë për të qënë student në atë pushtet horrorash.
Lëvizja Studentore e 8 Dhjetorit ‘90 shpërtheu nga mali i dhimbjes e vuajtjes dhe, ishte e pandalshme, sepse ishte si llavë dashurie, qytetarie, lirie e si e tillë, u bë vullneti i shumicës së shqiptarëve.
Ishte kohë e mrekullueshme.
Ishte deri në kufijtë e të paimagjinueshmes.
Ishte histori.
Është e papërjetuar për brezat studentorë të sotëm, por dhe ne, kohëtarët e asaj ere diellore ndryshimi, krenohemi, kur kujtojmë fillesën, në një oaz, le pa tanke e topa, por edhe pa latë darke shumëkush, në zemër të një shteti terrorist – militar, të dëgjoje thirrjet
“eja mblidhuni këtu këtu”,
“ eja mblidhuni këtu këtu bashkë me ne”
“ se mjaft në robëri, moj e mjera Shqipëri,
‘o djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje, ja liri”,
“ e duam Shqipërinë si gjithë Europa”,
“ e duam Shqipërinë si gjithë Europa”,etj.
e të përjetoje momentet, kur djemtë e vajzat dilnin si shqiponja nga godinat, fjetoret e tyre në qytetin e tyre, qytetin ‘Studenti’, dhe pse natë, dhe të bindur, se çfarë dhune prej errësire i priste.
E tmerrshme dhuna, që skërmiti dhëmbët ndaj nesh, por i hyjshëm bashkimi ynë, kurrajoja jonë deri në sakrificë, vullneti ynë i pamposhtur, dashuria deri në vetëfljim për liri e demokraci.
Ishin minuta, orë, që bënë ndryshimin e madh, ndryshimin historik.
Ishin minuta, orë, që përjetohen veç një herë, jo thjesht në historinë e jetës së një njeriu, por ndoshta në histori brezash.
Ishte 8 Djetor 1990.
Lavdi të përjetshme Lëvizjes Studentore 8 Dhjetor 1990 – 22 Mars 1992 – vite, ku veç dhunës çnjerëzore mbi lajmëtarët zgalem të fjalës së lirë e demokracisë, u derdh dhe gjak studentash, nga kriminelët pushtetarë komunist.
Mbeten për ne, të paharruar përjetë, heronjtë tanë, viktima të terrorit të 2 Prillit 1991, Arbeni ynë i shenjtë me shokë, siç kujtojmë me nderim përjetë çdo viktimë, që mbijetoi nga ai terror, midis të cilëve dhe legjendën e gjallë të asaj dite, mikun tonë Harris Murana.
Mirënjohje e lavdi të përjetëshme tribunit të Lëvizjes Studentore, vëllait tonë, Azem Hajdari.
Mirënjohje të gjithë shqiptarëve, që përkrahën lëvizjen tonë paqësore, për liri e demokraci.
Mirënjohje çdo studenti pjesëmarrës në protestat studentore të kohës, e zgalemëve studentë, që përhapën lajmin e lirisë, e guximshëm krijuan strukturat e saj, cep më cep të Shqipërisë.
Mirënjohje studentëve të Dhjetor ’90, që ditën të ruajnë, ndër dekada, të pacënuar, vlerat dhe dinjitetin e tyre të lirë dhe të papërlyer, që kultivuan durimin, dhe patën kurrajon të mos uleshin në tavolinat, ku mungoi respekti për kauzën e tyre, kauzën për të cilën sakrifikuan jetën, treguan pjekurinë e pashoqe për të mos rënë pre e grackave të errëta të politikës së babëzitur nga epshi për pushtet, ndonëse të varfër, por faqebardhë, ata sot janë të zotë, të gatshëm dhe të vendosur për të vazhduar me dinjitet të ndjekin me përgjegjësi ëndrrën e Dhjetorit për një Shqipëri jo të hajnave, jo të klaneve, jo të horrave me pushtet, jo të kthimit mbrapa, por të progresit, të mirëqënies, për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri të shqiptarëve.
8 Dhjetori është reflektim !
Irena PROGNI
Nënkryetare e Grupimit Dhjetor ’90.