(Vështrim rreth librit me poezi të përzgjedhura DHEMBJE MALLI, të poetit Gëzim Ajgeraj)
- Në vend të prologut
Emri i Gëzim Ajgerajt në letrat shqipe është paraqitur që nga vitet e 90-ta, ku, krahas, aktiviteteve të çështjes kombëtare, merrej edhe me shkrime.
Nga pushtuesi serb ishte i detyruar ta lëshonte atdheun dhe të emigronte në Zvicër. Nga atje nuk ka reshtur duke vazhduar aktivitetin në shërbim të çështjes kombëtare, e, rrjedhimisht, edhe në botimin e librave letrarë.
Ka botuar një numër të madh të librave letrarë në të gjitha gjinitë dhe zhanret letrare, si: në prozë, në poezi, në dramë, në studime letrare, në ese, në publicistikë, si dhe në etnokulturë, si mbledhës e studiues i folklorit, i etnologjisë, i historisë e i gjuhësisë.
Ka mbledhur e shkruar shumë materiale nga folklori, nga historia, nga etnologjia, nga gjuhësia, si: prozë popullore, lirikë popullore, leksiku i së folmes së Vërrinit, etj. Në këtë aspekt ka shkruar libra të shumtë, si:
“Urti popullore të Vërrinit 1”, Katundi e bon luftën, sheri e ngrà bajrakin”, (Urti popullore e Vërrinit 2), “Festat dhe ahengjet në këngët e vajzave të Vërrinit”, “Unë po e thej qafën, po shkoj n’ darsëm”, “Anekdota nga Vërrini”, “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit – 1“, “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-2, “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-3, “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit- 4”, “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-5, “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-6, “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-8”, etj.
Në lëmin e historisë ka shkruar punime e libra, si:
“Masakra e Tuzsuzit”, “Xhevat Berisha – Legjenda e Vërrinit”, etj.
Ka shkruar studime letrare për libra të autorëve të ndryshëm, si:
“Arti poetik i Ibrahim Skënderit nën optikën e rivlerësimit”, “Të jesh shkrimtar…!1”, “Ah, ky art i shkrimit… 2”, “Arti e metafora 3”, “Metafora e lirisë” , “Metafora e fjalës”, “Poetët për poetin”, etj.
Ka botuar dhe drejtuar dy revista: “Metafora” e “Vërrini”, ku janë botuar punime të shumta në lëmi të ndryshme të artit, të kulturës e të shkencave albanologjike.
Gëzim Ajgeraj shkruan si për të rritur, ashtu edhe për fëmijë, në prozë, në poezi e në dramë.
- Poetika
Në poezi ka botuar një numër të konsiderueshëm të librave letrarë, si: “Klithmë malli”, “Ëndrra për parajsë”, “Qiellit po digjem”, “Flakë në plagë”, “Balada e Vërrinit” (poemë), “Lulëkuqet e Vërrinit”, “Kthimit furtunat m`i bëjnë prita”, “Nxitoj të kthehem me dritë”, “Degë e thyer”, “Etje në fjalë”, “Çaste alpine”, “Duhemi sikur…”, “Larg pikon malli”, “Mbi rima bie shi”, “Larg pikon malli”, “Notesi i poetit mërgimtar”, “Fjalë e mall”, “Zemërimi i fjalës”, “Kënga e zogut”, “Diellnxënësit”, “Kronikë e udhëve”, “Në karantinën alpine”, “Nostalgji e mall”, “Dritëhijet e fjalës”, “Drithërimë mendimi”, “EH GURI”, “STREHËT PIKOJNË MALL”, “ANTISIMBIOZË”, “Magma e shpirtit”, “Vegimet e heshtjes”, “Agmia e fjalës”, etj.
Gama e interesimit të temave për të cilët ka shkruar Gëzim Ajgeraj është e gjerë. Por, vokacioni i tij krijues në sferën e poezisë, është orientuar veçmas në temën e dhembjes, mallit, kurbetit, që ka lënë plagë të pashlyera në shpirtin e popullit tonë e, rrjedhimisht, edhe në shpirtin e poetit Gëzim Ajgeraj. Si rrjedhojë, kjo temë është dominante në krijimtarinë e tij poetike.
- Struktura
Poezia e Gëzim Ajgerajt është shkruar në varg të lidhur, por edhe në varg të lirë. Gëzim Ajgeraj në vargun e tij vazhdimisht e kërkon fjalën, prandaj edhe e rrok trishtimi kur e takon heshtjen. Poezia e Ajgerajt mbështetet në realitetin, duke kërkuar që ky realitet, që në të shumtën e herëve nuk është i mirë, të ndryshojë. Pra, përmes vargjeve, poeti kërkon ndryshim. Bën thirrje për ndryshim:
Vijat e udhëve
Kanë hapur shtigjet e reja
Motet i kanë vizatuar
Vragët e ikjeve
Ndryshimi s’ i ngjan njëri – tjetrit
Ditët tek rrokullisin
(Portreti yt)
Ajgeraj nuk eksperimenton me poezinë e tij. Temat i merr nga gjendja e rëndë, që e ka kapluar popullin shqiptar, e, që, këto tema janë bërë vokacion krijues i Ajgerajt. Prandaj, artin e tij e vë në funksion të idesë; duke dhënë mesazh; duke e ruajtur formën individuale të shprehjes; duke i dhënë vargut gjak që edhe kur është në varg të lirë të ketë ritëm të brendshëm.
Edhe në rastet e poezive përkushtimore, vërehet një eksplikim i të rrëfyerit. Ajgeraj arrin ta mënjanojë elementin e vjetruar të fjalës, duke e përvetësuar të renë, duke arritur kështu të realizojë ligjërim të rrjedhshëm poetik, strofa të rrjedhshme dhe tërësi të poezive impresive.
Autori, sikur luan me fjalën, e kërkon fjalën, fjala është e shenjtë për të. Me të kërkon mendimin, me të kërkon rregullsitë, me të bën luftën me mendimet zhvillimore. Me fjalën jep besën, mban atdheun mbi vetull, kërkon gatishmëri sakrifikimi. Me fjalë e lufton smirën, të keqen, xhelozinë, që jo rrallë ndërgjegjja e ndryshkur e përdor prapa shpine kundër përparimtares, progresives, pozitives, zhvillimores. Prandaj, sikur poeti thotë: “Nëse i verbëri nuk e sheh diellin, kjo nuk d.m.th. se dielli nuk ekziston”.
Vargu i Ajgerajt shkëlqen edhe kur kamgjikos dukuritë devijante, jepet si ngazëllim, si observim kritik.
Ajgeraj paraqitet si poet i ndjenjës e mendimit, i pajisur me një botë të pasur shpirtërore. P.sh.: kur shkruan për atdheun…
Edhe nëpër shpatën e stërgjyshit e katragjyshit plot plagë të gjeta
Shekujt kishin zbritur korba, hëna si drapër priste koka
U desh t’i jepnim këngë, gjak e asht maleve për dritën tënde
Ta nxirrnim jashtë zjarrin nga gjiri të ndezë nëpër shekuj
Për të vrarë terrin e zi që na kishte verbuar qiellin tone
(ATDHEU I ËNDRRAVE TË MIA)
Pra, vargun e Ajgerajt e karakterizon fryma origjinale dhe veprimi i pandërprerë i fjalës. Ajgeraj, pra, është poet me ndjeshmëri, çiltërsi e spontanitet. Poetin e preokupojnë fati historik, plaga shekullore e kurbetit, e cila temë i është bërë obsesion krijues, pastaj fati tragjik i popullit, vuajtjet, krenaria kombëtare, që e bëjnë autorin të shohë dhe të kërkojë ndryshime radikale të kësaj gjendjeje. Dhe, poeti duke qenë edhe vetë veprimtar, jo vetëm i pendës, shpreson dhe është i bindur për këtë ndryshim.
Sharto pemën e shpresës
Në trungun e lisit tënd
Fryti i saj sado i vogël të jetë
Ka ëmbëlsinë e tokës sate
(ETJES SHKURTOJA GJUNJËT)
- Atdhedashuria
Te poezia e atdhedashurisë, ku Gëzim Ajgeraj ka shkruar për shumë dëshmorë e ngjarje historike, në këtë libër prezantohet me disa poezi, si ajo për Xhevat Berishën, etj…
E di se ke zemërim
S’ e shtrëngon nagantin sa herë bën furtunë
E tërbohet veriu i zi
S’ e harroj porosinë as shikimin tënd
Dhe grykën e pushkës andej
Kujdes atdheun
Se prapë zgjohemi nga varret
E këndojmë maleve
Heu, Xhevat Berisha
Sa dhimbshëm më ther klithma e idealit tënd
Veç unë ta njohë guximin e militantizmin
Sa e madhe ishte etja e lirisë
(POEZI PËR XHEVAT BERISHËN)
Pastaj për Prizrenin, ku shpreh:
Më fton përmallshëm plot lule në verë
Nën hije bliri ëndrrat frymojnë
Buzë Lumëbardhit ku çmallemi përherë
Dashurinë njëri-tjetrit lirshëm ia shpalojmë
Dhe çlodhim ditët e arratisë
Çmallim përmallshëm mungesën tonë
I mbledhim çastet e largësisë
Njëri me tjetrin tek përqafojmë
(PRIZRENI)
Pastaj për krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku thotë…
Përballë një shesh ku burrat mblidhen e kuvendojnë
Për besën e atdheut për përballjen me furtuna
Ku fjala bëhet hallkë e dora dorën shtrëngojnë
Për hartën e atdheut nga të gjitha skajet mblidhen burra
(RIZGJIMI I KUJTESËS, NË SHTËPINË E LIDHJES)
- Përkushtime
Te poezitë përkushtuese, poeti futet thellë në botën e brendshme të heroit lirik. Poeti nuk qëndron indiferent ndaj preokupimit, luftës, çlirimit, po as problemeve të tjera, si pandemia e Covidit, si një e keqe globale së cilës i kushton, madje, një libër të tërë me poezi.
Sa të nevojshme e ndjej
Ngrohtësinë e diellit të kësaj pranvere
Dhe takimin me njerëzit e mi që s’ po i shoh
Ditët e karantinës alpike
Na paskan mbytur mallit i them mikut
Tek e takoj në shëtitje fushës së gjelbëruar
Të mbajmë distancën sot
Përqafimin do ta lëmë për nesër
Motoja që duhet respektuar
I them mikut me buzëqeshje plot mall
(TË MBAJMË DISTANCËN SOT, PËRQAFIMIN DO TA LËMË PËR NESËR)
Kundër ndarjes kombëtare, gjithashtu, i përkushtohet me zell dhe në krijimet e tij nuk i mungon as mesazhi për bashkimin kombëtar.
Nëpër dëshirat e etjeve tua diellit tënd tek kërkoj
Pos qepjes së hartave tua dritë tjetër s’ shikoj
Koha na do të zgjuar zgjimit t’i himnizojmë
Trupit tënd të copëtuar zogynë
këngën e bashkimit ta këndojmë
(PËR TY KA VETËM NJË DIELL)
- Ironia
Ironia, gjithashtu, është e shprehur në krijimtarinë e Ajgeraj përmes së cilës fshikullon në mënyrë kamgjikosëse ndaj së keqes dhe dukurive devijante në shoqëri.
Atdheun e keni futur në xhep
E me sjellje sharlatani
Hidhni hirin e mashtrimit
E në pikë të ditës
Na tregoni ëndrra të bardha
Për të nesërmen
Tek po na e nxini të sotmen
(MOTE USHUJZASH)
- Kurbeti
Plaga e kurbetit është më së shumti e theksuar në krijimtarinë e Ajgerajt. Ai është i lidhur me vendlindjen e tij, me atdheun e tij, me qytetin e Prizrenit. Poeti ndjen dhembje e mall të pashuar për këtë plagë shekullore. Prandaj, ai përmes vargjeve artistike, troket në ndërgjegjen e lexuesit, që të mendojnë për vendlindjen, që të mos e harrojnë dhe të bëjnë përpjekje për të investuar në vendlindje, për të mos u asimiluar fëmijët shqiptarë, në vende të ndryshme anekënd botës.
Me flakën e përmalltë
Të kujtimeve
Digjen ditët e largësive
E largësia i shkruan letër mallit
Duke i pritur ditët e kthimeve
Që po vonojnë
(MALL E LARGËSI)
Edhe vetë autori i është nënshtruar kurbetit, por kurbetit të dhunshëm. Ndërkaq, shumë bashkatdhetarë të autorit e më gjerë – anekënd Kosovës, i janë nënshtruar kurbetit social. Dhe, atë që nga periudha e monizmit.
Cilido qoftë lloj i kurbetit, prapa lë pasoja të mëdha: shtëpi të braktisura, të boshatisura, tokën e shkretë, lumin e lotëve…
Forma më e rëndë ishte kurbeti i dhunshëm, sepse nuk mund të ktheheshin në vendlindje për shkak të ndjekjes, që po i bënte pushtuesi serb veprimtarëve e, sidomos, rinisë së Kosovës. Dhe, qëllimi dihej: zbrazja e Kosovës, dhuna…
Kam njëqind vjet
që mbi shpinë
m’i kanë ngarkuar dhimbjet
dhe korbën përmbi
e nga këmisha e copëtuar
më pi gjakun
e currilave të damarëve
korba e veriut
(EH, KËMISHA IME COPË-COPË!)
Lufta për ta siguruar ekzistencën është gati preokupim i secilit krijues. Por, Ajgeraj, duke qenë edhe vetë kurbetçi, sikur me vargjet e tij ua ndien frymëmarrjen të gjithëve, ua lexon brengat në rrudhat e ballit e në duart e qara. Ajgeraj është bërë pjesë e halleve, brengave, dëshirave dhe ëndrrave të tyre.
Ndonjëherë kjo dhembje e ky mall merr nota pesimizmi e zhgënjimi njerëzor, për shkak të pamundësisë për ta ndryshuar gjendjen e realitetit. Kjo plagë për poetin s’ka se si të mos përjetohet si tragjik njerëzore.
Po ç’po ndodhë me ty, fisi im i lashtë sa toka?
Në ç’rrënjë i ushqejnë pipat e tu të verbuar vesës
… së mashtrimit
Heu, trungu im, sa poshtë të kanë vënë degët e tua!
Ti rrënja ime e lashtë ushqe bimën me lëngun e moçëm
Mbi vesën e furtunave të së sotmeve plot mjegull
Ringre farën e lashtësisë tënde për pipat e së nesërmes
Mos të të thyejnë erërat e acarta të mëngjeseve të turbullta
(Ç’ PO NDODH ME TY, MALLI IM?)
- Lirika intime
Poeti Gëzim Ajgeraj është në lartësinë e duhur artistike edhe kur shkruan për lirikën e dashurisë. Në lirikën e dashurisë autori shpreh ndjenjën e pastër të dashurisë, dhembjen kur është larg së dashurës dhe bën thirrje për ruajtjen e pastërtisë së ndjenjës intime.
Kujtimet e së djeshmes po bien
Si gurët e një kalaje në rrënim
Gjithçka po zbehet pritjes
Tanimë kujtimeve për ty
U ka mbetur vetëm nostalgjia
Si melhem që herë pas here
Ta shërojë shpirtin e përvëluar
Eja të duhemi edhe pak
Sa s’na ka mbirë
Bari i harrimit mbi gurë!
(EJA TË DUHEMI!)
- Në vend të epilogut
Me rastin e përzgjedhjes së poezive të prezantuara në këtë libër, kemi pasur parasysh, pos kriterit estetik, kemi dashur të paraqesim edhe atë tematik, që sipas mendimit tonë janë reprezentues të krijimtarisë së Ajgerajt. Çdo titull libri, në fakt, ka mbetur titull cikli i një libri të ri, në këtë rast aq sa kemi mundur ta quajmë libër reprezentativ.
Më duhet të theksojmë se disa libra fillestarë, sidomos, para lufte, autori nuk ka mundur t’i ruajë, sepse pothuaj të gjitha shtëpitë e Vërrinit janë djegur, e si rrjedhojë janë djegur edhe librat e tij. Prandaj, e kemi pasur të pamundur që të bëjmë përzgjedhje nga këta libra, për shkak të mungesës së tyre, si për shembull: “Klithmë malli”, “Ëndrra për parajsë”, “Qiellit po digjem”, “Flakë në plagë”, “Lulëkuqet e Vërrinit”, “Degë e thyer”, “Duhemi sikur…”, etj.
Të shpresojmë se dikush në qytetin e Prizrenit, i ka ruajtur librat e tij dhe në të ardhmen do t’i kompletojë edhe ato për ta bërë ribotimin e tyre.
Rrjedhimisht, edhe përzgjedhjen e poezive nga këta libra, për ta paraqitur kështu sa më të kompletuar veprimtarinë poetike të Gëzim Ajgerajt, duke e vënë në spikamë në mënyrë kronologjike edhe rrugën e zhvillimit poetik të poetit Gëzim Ajgeraj.
Prishtinë, shtator 2022