Nga Elsa SULA
E dashtuna ime mam’ !
E kam marr forcën e fundit të mbetur , strukur aty në fund të shpirtit tim të copëtuar në miliarda copëza, që shpejt do të bëhen pluhur. E para dhe e fundit herë kur unë nuk mund të hesht, nuk mundem më.
E di sa kohë ka kaluar që sytë e ballit, s’ti kam parë, nuk të kam përqafuar as puth në ballë nuk të kam, jam larg mam’…larg.
N’ tokën e ëndrrave, atje ku bashkëudhëtari yt vendosi më të mirën për të bijën, dritën e vetme të syve, e bekimin e parë, që ishte bekim të lidhte jetën me djalë sojli e të pasur. Mam’ si mundët me fal qenien time, të më tjetërsonit, veçse unë jam bijë e filanit e nuk bën me ia nxi fytyrën babës.
Nuk bën me ia nxi ftyrën babës, ama trupi im le të jetë përjetë i nxirë nga grushtet e shqelmat e një të panjohuri, që në një ditë pasuria e tij u bë epiqendër e lumturisë suaj.
Tuajës, se unë nuk di ç’kuptim ka lumturia, e atë që kisha në strehëzën e zemrës e humba… e humba në ditën e zezë e veshur me të bardha, po,po mam’ atë ditë kur më morën me jehonë e tupana, atë ditë kur me zë të lartë u hap funerali im.
Unë nuk isha plaçkë për të dalë në treg, nuk isha as objekt që për disa ndere të vëllait e babës të meritoja atë, veçse jam bijë e filanit e nuk bën me kthy fjalën dysh.
E meqë dje nuk e bëra fjalën dysh, sot lër të bëhen dysh kockat e mija.
Po mam’ dhëndrri juaj me lek është i fortë e burrë i besës, e mat forcën me mua e vë past me shokët duke më lënë mua peng…
Unë s’jam peng i epshëve kafshërore të një qenie me farë prej djalli, jam një 20 vjeçare e marrë rob nga pashpirtësia e atij mam’.
M’ keni plas shpirtin sa herë më keni thënë se jam bijë e filanit e kurrsesi nuk bën me ia shkel fjalën burrit.
Po si pra mam’ si?
Si me duru fjalën e burrit kur ai më hedh tutje, më plas këmbë më këmbë te meshkujt e tjerë.
Unë nuk jam top futbolli, ku pritet nga çasti në çast të bëhet gol.
Nuk jam as leckë, që duhet të dal nesër në treg t’ rrobave t’përdorura e të marr çmimin më qesharak se i kam kaluar ca duar e nuk kam më vlerë.
Jam njeri, njeri mam’ njeri!
Tregoj babës se nuk jam copë mishi,po se jam vlerë e qenie fisnike unë bija filanit.
Jam edhe sonte mam’ këtu në një qosh të vilës së madhe, jam vetëm e bosh, im shoq nuk e di kurrë orën e kthimit në banesë, ndodh edhe mos të kthehet se atje jashtë është një vajzë më e bukur se unë e pse të harxhojë kohë me dikë që familja e nxorri prej dere shpejt e shpejt?
Këtu bën veç ftohtë, dimër e stuhi është edhe dita më e ngrohtë e vitit,m’ka ngri shpirti mam’.
Në gjithë këtë vorbull të errësirës e kam zënë një shok.
E mbështes kokën mbi të e çliroj shpirtin. I kam larë faqet e tij me lot,por ai prap më dëgjon,i vetmi që më dëgjon e nuk flet,nuk më thotë se është marre me kundërshtu, nuk më thotë as hesht se ti je bija e filanit. I kam rrëfyer historinë time të titulluar “Gërvisht dhe fito”. Mos u trem mam’ jo…se shok kam jastekun.
Nuk e kam thy kuroren e marteses se është marre, unë e di çfarë do të thotë nder.
Po ju?
A e morët vesh se me besu vajzën në duart e një bastardi nuk është nder, por krim.
Po mam’ unë jam viktimë që frymoj e frymë mos paça më kurrë, jo veç unë, por vafshin në djall të gjithë ato që vajzat i konvertojnë rëndomtë në objekte të komandueshme… vajza është turp me fol,me qesh,me kërcy…
me jetu mam’ me jetu.
O mam’ mbaje mend nga bija e filanit se vajzat mund të vdesin për bukë, jo për burrë dhe njerëzit vdesin nga sëmundje,jo nga egot e kthyera në sëmundje.
Njerëzimi shuhet nga kolerja mam’ jo nga mentalitetet e kthyera në kolere e sëmundje të neveritshme t’botës për emacimipim, kurse gratë i vret heshtja dhe jo fjala.
Shënoje këtë natë në kalendar e mbajeni shënim ashtu siç mbajtët ditën kur më nxorret prej derës më të dashur e gjithë farefisit iu mburrët se partneri i vajzës suaj ishte nga familje sojlie,e kishte punuar që i vogël për të jetuar në zemër të Europës,ku nuk pati vetë zemër kurrë. Me djersë balli kishte vënë lekët mullar,ku sot palë mbi palë vë dhembjet e bijës suaj që mbulohem nga djersët e ftohta të dekës.
Po, ishte djalë me vlera e i zoti, ku sot zotësia e tij matet veç me zërin e ngritur ndaj bijës suaj, një vajze naive që ishte shkruar detyrimisht të ndante veç shtratin me të.
Atë prag dere, më të dashurin e fëmijërisë sime, hapmani për të fundit herë se do të vijë e bijë e filanit.
Vajza e mirë, e dashur, e qeshur, studentja që ëndrrat ia preu martesa e ëndërruar në natën më të keqe, nusja e shtëpisë së sojlive, që nuk ia nxorri bojën prindërve, por gjaku i doli boje e iu bë ujë.
Mam’ jam në garë me letrën, cila do të mbërrijë më parë e paketuar …e rëndësishme është ju të ecni krenar në rrugët e qytetit se unë bija e filanit, bija juaj nuk ua bëra fjalën dysh e veç heshta. Unë nuk mund të marr gjak ndaj jush se ju jeni gjaku im. Nuk iu shes,as nuk ju ve çmim të paçmueshmit e shpirtit tim. Babës e vellezërve m’iu percjell bekimet, ua kam bërë hallall, veç qumshtin e nënës mos e paçin hallall kurrë.
Mallkuar qofshin lotët e tyre kur të më përcillni, mallkuar që linda vajzë në një mentalitet ku bija e filanit është gjithçka veçse bijë jo.










