Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës ka postuar një status në Facebook ku shkruan se Basha gjeti zgjidhje duke përjashtuar delegatët e degës 4 në Tiranë pasi ata firmosën për thirrjen e Kuvendit më datë 11 dhjetor.
“Modeli Basha për PD i zbatuar tek dega 4: nga 114 delegatë, 104 kanë firmosur për thirrjen e kuvendit me datë 11 dhjetor, zgjidhja? Përjashtoi të gjithë.. nuk i quaj…”, shkruan Abi Malltezi.
Pa bërë një orë, Facebook ka fshirë postimin e Malltezit, gjë që ka nxitur një tjetër reagim nga ky i fundit. Ai shkruan se sufllaqexhinjtë e Lulit dhe Hasës e raportuan si postim ku shfaqen të dhëna personale dhe nuk duhej postuar. Më tej ai shton se këta që bllokojnë postimin në Facebook kërkojnë të nxjerrin formulare dhe numra personalë të delegatëve, gjë që e dënon ligji.

Në këtë status ka reaguar edhe Ervin Goxhaj, kryetari i PD-së në njesinë 4 në Tiranë, i cili i konsideron akuzat e Malltezit si shpifje dhe mohon të këtë shkarkuar njeri, duke sqaruar se janë thjeshtë grupe në Whatssapp që hapen e mbyllen sipas funksionit.
“Mendoj se niveli yt është më i lartë sesa postimet e fundit që ke nisur të bësh. Ka nevojë për seriozitet situata, dhe nuk ka nevojë as për shpifje dhe aq më pak për keqinformime. Aq më pak për sulme ndaj kujtdo që nuk mendon si ty. Unë nuk di të jem marrë ndonjëherë me ty, as me të verteta dhe aq më pak me shpifje. E kam sqaruar publikisht që nuk kam hequr askënd dhe nuk heq askënd, grupet në whatsapp hapen dhe mbyllen sipas nevojës. Ai i shtabit të 25 Prillit nuk ka më funksion tani dhe është mbyllur. Sajesat dhe shpifjet nuk të nderojnë dhe nuk janë tregues qetësie. Merre më qetë dhe më shtruar, se me nxitim e me shpifje, rruga del e gjatë shumë, e halli i madh shumë. Të përshëndes”, shkruan Goxhaj.












