Nga Red VARAKU
Që SHBA e mbështet minischengenin kjo nuk ka diskutim, sepse është një marrëveshje që u firmos në Washington në praninë e Presidentit Trump.
Por edhe që BE është kundër minischengenit edhe kjo nuk ka diskutim , ndryshe nuk shpjegohet bllokimi i integrimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë .
Pra, nga njëra anë kemi SHBA-në aleatin tonë më të rëndësishëm strategjik, i cili mbështet minischengenin rajonal në të gjitha kuptimet deri në bllokimin me dhunë të rrotacionit në Shqipëri , madje deri dhe në shpalljen nongrata të kundershtareve të këtij projekti.
Ndërsa, nga ana tjetër kemi BE-në , e cila është kundër minischengenit rajonal dhe e kushtëzon integrimin tonë në BE me refuzimin e këtij projekti.
Pra, aktualisht kemi dy qëndrime të Perëndimit në lidhje me zgjidhjen që ofrohet për konfliktin Kosovë -Serbi.
Njëri është qëndrimi tradicional i BE-së ku vendeve përkatëse i bëhet presion përmes integrimit, tjetri është qëndrimi i SHBA që sheh si mënyrë pajtimi integrimin ekonomik të këtyre vendeve në një hapësirë të përbashkët.
Këto dy qëndrime kanë prodhuar dhe dy realitete politike në Shqipëri dhe Kosovë. Njëri përfaqësohet nga Rama-Thaçi dhe mbeshtetet fuqishëm nga SHBA, ndërsa tjetri nga Basha-Kurti që mbështetet fuqishëm nga BE , kryesisht nga Gjermania.
Të parët janë pro qasjes amerikane, e cila fatkeqësisht për ne mbështet një rikonfigurim të forcave në Ballkan, që përforcon pozitat e Beogradit në rajon dhe e kthen atë në një fuqi të vogël rajonale, ndërsa të dytët janë për qasjen tradicionale të zgjidhjes së konfliktit përmes njohjes reciproke ku të gjitha shtetet janë njëkohësisht të rëndësishme dhe ku faktori shqiptar ruan pozicionin aktual në rajon.
Deri këtu gjithçka është e pranueshme. Sekush është në të drejtën e tij të marrë qëndrimin që beson.
Problemi fillon kur ti këmbëngul në këtë qëndrim edhe pasi në Kosovë pati një votim historik me mbi 50-% kundër minischengenit të firmosur në Washington .
Problemi fillon kur ti investohesh për të mbajtur në pushtet me dhunë, përkundër vullnetit të qytetarëve shqiptarë, një të superkorruptuar si Rama, për të shtyrë një projekt gjysmak që jo vetëm është refuzuar nga shqiptarët në të dy anët e kufirit, por nuk gëzon as mbeshtetjen e gjysmës së shteteve të BP.
Është pikërisht kjo anomali që ti kërkon të realizosh një projekt duke injoruar vullnetin e qytetarëve, që e ka vendosur Shqipërinë në një udhëkryq shumë të rrezikshëm.
Nëse zgjedh minischengenin siç edhe ka bërë, përmes një procesi zgjedhor të grabitur, ajo duhet t’i thotë lamtumirë projektit të integrimit në BE. Kjo e kthen rajonin në një hapësirë krejt të pasigurtë dhe njëkohësisht lehtësisht të destabilizueshëm.
Por, nëse zgjedh BE-në, situata në rajon do të vijë duke u përkeqësuar dhe mund të përshkallëzohet deri në konflikt të armatosur, konflikt për të cilin Serbia është gati dhe jo rastesisht po armatoset çdo ditë.