Nga Aleks KAPLLAJ
Kur me datën 12 shtator të 2020, shkruajta artikullin me titull: “Rama do ti vjedhë përsëri votat”, kisha synim denoncimin e përgatitjes së strategjisë disa vjeçare të industrisë së deformimit të vullnetit të shqiptarëve nga ana e kryeministrit të sotëm, me qëllim marrjen e mandatit të tretë, duke përdorur të gjitha instrumentet që ai kishte në dispozicion të ligjshme e të paligjshme për arritjen e tij.
Shumë sondazhe e nxirrnin opozitën me 87 mandate dhe kjo e vuri në lëvizje makinën e sistemit antidemokratik të ngritur nga kryeministri që kur erdhi në pushtet në 2013-n. Në këtë moment Rama u ul në tavolinë dhe me skemë të detajuar planifikoi përmbysjen e kësaj tendencë për ndryshim që e kishin bindje shumica e shqiptarëve.
Pesë muaj para datës së zgjedhjeve, artikulli fillonte me konstatimin pragmatik te masave të marrjes dhe ruajtjes së pushtetit autokratik të përqendruar në dorën e një personi: “Në gati tetë vite qeverisjeje, Rama, ka punuar për të krijuar një sistem pa institucione që mbrojnë demokracinë dhe kontrollojnë qeverinë e tij. Njëkohsisht, ka investuar për të pasur çdo segment të administratës lokale e qëndrore, në shërbim të pushtetit dhe mbajtjes së tij, kuptohet me mbështetjen e një parlamenti” monist e jokostitucional, sipas disa eksponentëve të opozitës.
Në artikull, kisha radhitur të gjitha masat që mori Rama, që më reformën administrative si dhe atë zgjedhore dhe të drejtësisë, që u votuan nga parlamenti monist, me qëllim akumulimin e konsensusit për partinë e tij që paraqitej e vetme në zgjedhje.
Mbyllja e dosjeve 184 dhe 399 ku bandat kriminale, (“struktura” territoriale të partisë socialiste) dhe eksponentë të partisë socialiste, përdorën të ardhurat e drogës dhe autoritetin e pushtetit, për të blerë e terrorizuar votuesit shqiptar, të gjitha këto të publikuara në shtypin e vendit dhe të huaj, ishte një mesazh që jo vetëm nuk ndëshkohet asnjë, por ishte një ftesë për të bërë të njëjtën gjë, ata dhe të tjerë, në zgjedhjet e ardhshme, të sigurtë që drejtësia politike e korruptuar e Ramës, do të punojë jo për të ndëshkuar fajtorët, por për t’i mbrojtur ata dhe promovuar me poste në administratën moniste.
Por nuk kisha parashikuar se ai për të garantuar në mënyrë antiligjore një mandat të tretë, do të arrinte deri aty sa në krimet zgjedhore të 25 prillit të përdorë të dhënat personale në E-Albania, të 910 000 shqiptarëve për qëllime politike elektorale të partisë në pushtet, si dikur Gestapo dhe KGB dhe vetëm për këtë, partia socialiste duhet të dënoncohet në të gjitha institucionet europiane dhe rrezikon të përjashtohet nga Partitë Socialiste Europiane, sepse kjo shkelje është e patolerueshme nga partitë Socialdemokrate europiane dhe efektet janë të pariparueshme.
Por Rama nuk u ndal me kaq. Ai do të arrinte deri aty sa do të përdorte fondet dhe kreditë e Rindërtimit nga dëmet e tërmetit për fushatën elektorale ku u përdoren 69.1 mln euro nga 25 marsi deri më 25 prill nga fondi i rindërtimit në kundërshtim me ligjin elektoral dhe këto shkelje dënohen nga 4 deri në 12 vjet.
U përdoren mjetet dhe forcat e policisë për të bërë fushatë elektorale për PS dhe duke penguar opozitën me pretekstin se ishim të mbyllur nga Pandemia, (kuptohet duke e ditur që prilli ishte një muaj që do të vazhdonin kufizimet edhe data e zgjedhjeve u vendos qëllimisht me 25 prill), meqënëse një vit më parë, me 17 maj në kulmin e Pandemisë, 1000 policë në orën 4 e 36 rrafshuan për tokë Teatrin Kombëtar.
Mediat vizive që mbulojnë korrupsionin e qeverisë Rama dhe bashkpunimin e tij me PPP, që janë si dy vazo komunikuese me Partinë Socialiste në fushatë elektorale, i dhanë 60% hapësirë qeverisë dhe për opozitën kishte vetëm goditje dhe që u shndërrua në një faktor vendimtar në prishjen e ekuilibrave dhe rregullave të pluralizmit.
Ato ditë, top story me porosi të Ramës, po përgatiste gjyqin mediatik model i luftës së klasës kundër opozitës me titull “Bisneset e Partisë Demokratike”, tipik i gjyqeve publike që bëheshin dikur nga organizata kriminale e Partisë se Punës kundër shqiptarëve të lirë.
Ndoshta faktori më vendimtar i ligjerimit të krimeve zgjedhore është bërë me bekimin e mediave që i shërbejnë një qeverie të korruptuar e që bashkpunon me bandat e narkotrafikut.
Mjafton të kujtojmë Engjëll Agaçin, sekretarin e përgjithshëm të kryeministrit Rama, që i kërkoi Becchettit shprehimisht: “Duhet të flasësh me Enkelejd Jotin, drejtorin e përgjithshëm të Top Channel.
Francesco Becchetti: “Përse duhet të flas me z. Joti, i cili nuk është një zyrtar publik, por drejtori i përgjithshëm i një televizioni privat?”
Engjëll Agaçi: “Nuk është ide e mirë t’i bësh opozitë shtetit” dhe për këtë kërcënim, gjykata e arbitrazhit ndëshkoi Shqipërinë me 140 mln euro për mbylljen e këtij televizioni.
Pra Agon Channel TV, u mbyll qëllimisht për t’i mbyllur gojën kritikës ndaj qeverisë dhe për të eliminuar konkurencën e mediave vizive, që janë në shërbim të kryeministrit shqiptar. Me 4 maj, 9 ditë mbas zgjedhjeve Top Channel Story trasmeton një “histori” për Bizneset e PD, duke hedhur baltë mbi Partinë Demokratike.
Por partia socialiste nuk u mjaftua me kaq, ajo vuri dorë mbi votat e shqiptarëve duke bërë të pavlefshme 84000 skedë votimi me qëllim që të eliminonte votat për partitë e opozitës.
Por partia socialiste bëri njëkohësisht atë që kishte bërë edhe më parë: njerëzit e saj i vuri të votojnë disa herë në disa qendra votimi në të gjithë Shqipërinë siç u konfirmua në disa qarqe të Shqipërisë.
Ajo shkoi përtej imagjinatës së djallëzuar të çdo të inkriminuarit, duke bërë të votojnë edhe imigrantët që nuk kishin hyrë aspak në Shqipëri. Vajzat e Gjergj Thanasit, kandidat me ABOEK, kishin votuar të dyja për partinë socialiste edhe pse ata jetojnë në Itali dhe Gjermani e nuk kishin ardhur në Shqipëri, e per çudi nuk kishin votuar për babain e tyre.
Por plani i krimeve të zgjedhjeve siç i quan prokurori i përgjithshëm Çela, shkoi më larg duke vendosur si avokat të këtyre krimeve njerzit e tij në KAZ (Komisioni për Ankimet Zgjedhore) për të hedhur poshtë të gjitha denoncimet që ka bërë opozita dhe Partia Demokratike me fakte dhe prova të pakontestueshme ku gjurmët në skenën e krimeve zgjedhore janë të njerëzve të Ramës&Co.
Vetëm duke ndëshkuar krimet e zgjedhjeve në të gjitha nivelet e saj, mund të rivendoset autoriteti ligjor i sistemit të zgjedhjeve dhe të institucioneve pluraliste e demokratike në Shqipëri.