Kreu i PD-së Lulzim Basha ka zgjedhur që këtë të shtunë të ndalet në 9 qytete të vendit, që simbolizojnë dhe numrin që kjo forcë politike mban në fletën e votimit. Takimi i parë i Bashës është ai në Sarandë, dhe më pas do të vijojë nga jugu në veri të vendit.
“Mirëmëngjes Shqipëri, nga perla e Shqipërisë, perla e Mesdheut, Saranda e shpresës, e bujarisë dhe e punës, sot është një ditë e veçantë, u nis sot rrugëtimi nga Saranda. Sot do të jem në 9 qytete të Shqipërisë, nga Saranda në Tropojë, anembanë vendit, aty ku entuziazmi është i jashtëzakonshëm. U falenderoj nga zemra për mirëpritjen tuaj, ditën që do të nisë javën drejt të dielës së 25 Prillit, ku fitorja do ti takojë çdo shqiptari”, u shpreh Basha gjatë fjalës së tij në Sarandë.
Gjatë ditës së sotme kryedemokrati Basha do të përshkojë Shqipërinë nga Jugu në Veri. Në mënyrë simbolike, ky rrugëtim nga skaji më jugor në atë më verior të vendit, do të ketë 9 ndalesa, aq sa është dhe numri i PD në fletën e votimit.
Kjo është hera e parë që një forcë politike zgjedh një menyrë të tillë për të finalizuar ditët e fundit të fushatës elektorale.
Burime nga selia e demokratëve bëjnë të ditur se turi i kryetarit Basha, përfshin 9 ndalesa. Udhëtimi “9 PËR NDRYSHIM” kalon nëpërmjet Sarandës, Delvinës, Tepelenës, Levanit, Shijakut, Krujës, Kurbinit Miredites dhe finalizohet në Tropoje.











