Nga Skender DOÇI
Njëra ndër kërcënueset e mëdha të lirisë së individit është varësia, kjo e thënë në kontekstin psikologjik dhe atë shpirtëror. Kur flasim për varësi, kemi parasysh varësinë që një individ, grup social shoqëror apo politik nëpërmes metodave të ndryshme përpiqet të realizojë mbi një individ apo kategori sociale tjetër.
Varësitë mund të jenë: shpirtërore, interesi, psikologjike, frike, kërcënimi, nëpërmes ndihmës që dikush të jep në momente të caktuara apo për qëllime të caktuara. Varësia tek dikush tjetër nga naiviteti, padija apo pazotësia që të karakterizon në qënien dhe punën tënde. Dikush të ka marrë “peng” për një gjë të pahijshme të padenjë ose në kundërshtim me ligjin, të cilën ti e ke bërë, dhe ai që të ka vendosur nën varësi e din dhe të kërcënon kohë pas kohe me publikimin e saj (kjo lloj varësie ndodh kryesisht në fushën e politikës).
Ka edhe një kategori tjetër të formave të varësisë si, varësia e tepërt nga familja, prindërit, dashuria, shoqëria, besimi fetar, mentaliteti i krahinës, varësi e tepruar deri në ekstrem nga besimi në Zot, varësia me tepri nga një filozofi e caktuar, varësia që vjen nëpërmes mashtrimit, e dhjetëra arsye dhe metoda të tjera mbi të cilat shfaqet dhe realizohet fenomeni i varësisë.
E thënë ndryshe, varësia të vjen nga dobësitë dhe minuset që t’i ke në qenien tënde si individ, dhe dikush tjetër t’i evidenton dhe ti përdor për të të vendosur ty, nën ndikim apo influencë, dhe në momente të caktuara për të përkeqësuar personalitetin apo identitetin tënd, ose për të të përdorur në mënyra dhe momente të ndryshme për interesat e veta personale apo për të dëmtuar interesat dhe imazhin e dikujt tjetër të cilin ai e ka kundërshtar, ose nuk e don për arsye të ndryshme.
Varësia e personit “viktimë” nga personi që e ka nën influencë, fillon nga metodat, veprimet dhe përdorimet më të thjeshta, deri tek ato ku “viktima” (personi nën varësi) të kryej vrasje apo edhe vetëvrasje. Deri këtu mund të arrijnë veprimet që rrjedhin nga varësia dhe “detyrimet” që mbart personi që vendoset nën influencën e fenomenit “Varësi”. Sigurisht që në kontekstin ku po analizojmë fenomenin, nuk futet ana tjetër e varësisë, e cila është pozitive.
Gjithmonë kjo ka vlerë në kufijtë e normales edhe pse zhvillohet në sensin pozitiv.
A është detyrimi varësi? Detyrimi që vjen nga ligji, pagesa e taksave, respektimi i normave të sjelljes, detyrimet e kontratave legale, detyrimet shoqërore, sociale, atdhetare, humane, dashurore dhe njerëzore janë pjesë e një sistemi rregullator të shoqërisë i cili mbështetet mbi moralin, normat dhe ligjet demokratike, si dhe cilësitë e vlerave njerëzore që mbart secili individ dhe si rezultat shoqëria në përgjithësi.
Të flasësh dhe të analizosh në detaje fenomenin e varësisë (gjithmonë si fenomen psikologjik, shpirtëror dhe shoqëror) duhen qindra faqe e dhjetëra shembuj nga më të ndryshmit.
Në kuadrin e një shkrimi të shkurtër, unë mendoj të ndalem shkurtimisht në shpjegimin e një rasti, se si realizohet një varësi, (me qëllime negative) dhe me çfarë metodash realizohet ajo nga personi përkatës.
Ky fenomen, në shoqërinë tonë gjen zbatim në jo pak raste, sipas rrethanave, metodave dhe qëllimeve të ndryshme në lloj-lloj kategorish social-shoqërore, ekonomike, politike dhe intelektuale.
Shembullin e mëposhtëm, personalisht preferoj ta quaj, “Teoria e Njerkut”.
Një zonjë rreth 35 vjeç ka një vajzë 15 vjeçare. Është ndarë nga bashkëshorti i parë (babai i vajzës) dhe është lidhur në martesë me një burrë tjetër, që për 15 vjeçaren është njerku. Sigurisht zonja është lidhur me burrin e dytë falë një vlerësimi dhe ndjenje që kishte për të në kushtet e një njohje normale. Fatkeqësisht burri i ri, ka qëlluar i djallëzuar dhe debil.
Si fillim, burri bën një sjellje model karshi bashkëshortes së tij dhe vajzës së saj.
Gjatë kësaj kohe të dyja krijojnë një besim dhe një lidhje shpirtërore me të.
Kur vajza shkon rreth 18 vjeç, njerkut (të keq) i lind ideja për të kryer marrëdhënje seksuale edhe me vajzën. Fillon e ndërton një strategji pune që këtë qëllim ta realizoj kur vajza është 20-21 vjeçare.
E din se, vajza ka marrëdhënie shumë të mira me nënën e saj, me njerëzit e nënës dhe njerëzit e babait të saj.
Njerku si fillim, me metoda dhe skema të kujdesshme fillon ta prish e ta konfliktojë me njerëzit e babait të saj, në këtë pjesë është kujdesur që më parë, të fitojë edhe përkrahjen e bashkëshortes që gocën ta largojnë nga njerëzit e burrit të parë, këtë plan ai e realizon për një vit.
Vitin tjetër fillon ta largojë vajzën me njerëzit e së ëmës duke luajtur në mënyrë teje të pistë, midis vajzës e nënës, dhe njerëzve të saj nga babai dhe njerëzve nga nëna. Këtë pjesë të planit ai e realizon gjatë vitit të dytë të qëllimit të tij (tre vjecar).
Tani, në vitin e tretë, është realizuar mbi 80% e qëllimit, pasi vajza si pa e kuptuar dhe në të “drejtën e saj” është prishur me njerëzit e nënës dhe njerëzit e babait të saj të cilët kanë filluar ta largojnë, të flasin keq dhe deri diku ta përçmojnë, gjithashtu dy fazat e para nuk kanë kaluar pa krijuar një krisje edhe në marrdhëniet e vajzës me nënën e saj, – kanë filluar e nuk dalin shumë bashkë, nuk i ndajnë muhabetet dhe shqetësimet si më parë por secila i ndan muhabetet me “dirigjuesin e së keqes së tyre”.
Njerku përgjatë veprimeve qëllim-keqe të dy viteve të para iu ka afruar “përkujdesje personale” maksimale si vajzës ashtu edhe nënës së saj (bashkëshortes). Tani fillon me kujdes ti fryjë konfliktit dhe mosmarrëveshjeve midis nënës dhe bijës dhe ti lidh me ndonjë të afërm apo të njohur të tij, të cilin e ka të njohur e të besuar, ose me saktë pjesë e të zezave dhe veprimtarisë së vet. Personi në fjalë e ndihmon si palë e jashtme për ti fryrë konfliktit midis nënës dhe bijës dhe për ta afruar akoma më shumë vajzën me njerkun.
Tani vajza ndjehet e vetme, e braktisur dhe e kontestuar nga të gjithë. I vetmi njeri i ka ngelur njerku. Mes dëshpërimit, stresit, vuajtjes shpirtërore dhe marrëdhënjeve të acaruara me të gjithë njerëzit që e rrethojnë, vajza fillon të “ndjejë diçka që s’thuhet” për njerkun. Momentet e dobëta vijnë duke iu shtuar shumë, që do të thotë që është vetë-dorëzuar, dhe pret hapin e fundit nga njerku.
Pra, njerku e arriti qëllimin dhe vajza ra viktimë në pamje të parë vetë si rezultat i rrethanave të jetës që “ashtu i erdhën”.
“Njerku” s’ka qenë kurrë më gati t’ia plotësojë edhe këtë nevojë të fundit dhe finale, në moshën 21-vjeçare.
A e përdhunoi seksualisht njerku vajzën? –JO
Më parë i përdhunoi mendjen, shpirtin, ndjenjat, dhe të gjitha marrëdhënjet, pastaj seksualisht s’kishte nevojë për dhunë.
Tani, në të njëjtën kohë ka ndodhur deri diku edhe fenomeni që njihet me termin “Dashuria e viktimës për Xhelatin” e cila vjen nga varësia e djallëzuar që të krijon një individ apo grup shoqëror nga:dhuna, frika, intriga pse jo edhe nga interesi.
Sigurisht, shembulli që mora për të shpjeguar fenomenin, është shumë i rrallë në jetën e përditshme, por metoda dhe skema të ngjashme për arritjen e qëllimeve seksuale, ekonomike, politike dhe përfitimeve të tjera në mënyrë të poshtër janë të shpeshta në shoqërinë tonë, e cila karakterizohet nga marrëdhënie shoqërore jo aq të kultivuara.
Ndryshe nga marrëdhëniet në shoqëritë perëndimore, ku identiteti dhe individualiteti i njeriut janë të spikatura dhe të shenjta.
Skender Doçi
13 Mars 2021