Ndërthurja e eksperiencës politike, e eksperiencës profesionale dhe e të rinjve me integritet, janë tre shtyllat kryesore mbi të cilat janë bazuar demokratët për hartimin e listave të 25 prillit. Drejtori i fushatës elektorale, Alfred Rushaj, në një intervstë për televizionin ‘Klan’, e ka konsideruar këtë listë fituese dhe që i përfaqëson të gjithë.
“Lista për Tiranën është një ndërthurje e eksperiencës politike, e eksperiencës profesionale dhe e të rinjve me integritet. Strategjia jonë në hartimin e listës ka qenë që të nxjerrim një listë fituese, ku të gjithë qytetarët që për 8 vite janë ndjerë të dhunuar e të lënë pasdore, të shohin veten e tyre. Një listë që t’u flasë njerëzve, të krijojë besimin se profesionalizmi do të mbizotërojë gjatë qeverisjes sonë”, tha Rushaj.
Pika e fortë sipas tij në emrat e kandidatëve për deputetë të demokratëve, është ndërthurja e vlerave, që për Rushajn nuk gjendet te lista e PS-së. Kjo sipas tij është dhe pika më e fortë e demokratëve në këtë garë,
“Ajo çfarë bie në sy te lista jonë është ndërthurja ndërmjet vlerave, Ne kemi paraqitur një listë ku qytetarët e dhunuar gjejnë përfaqësinë e tyre, një listë që jep garanci se ajo që thuhet do të bëhet. Kandidatët e listës tonë nuk janë peng i krimit të organizuar”, shtoi ai.
Ndryshe nga kryeministri Rama, i cili sot në një konferencë të mbajtur komentoi listat e PD-së duke i cilësuar ato si katastrofë, Rushaj nuk pranoi të jepte asnjë koment lidhur me listat e partive kundërshtare.
“Unë takoj shumë njerëz. Një zonjë që pata mundësinë ta takoja, më tha që ne nuk kemi nevojë për ndryshim, por për përmbysje, e cila më pas do të na sjellë ndryshim të madh për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë.”, përfundoi Rushaj.
Alfred Rushaj është një emër i njohur për demokratët, i cili ka mbajtur poste të rëndësishme në qeverinë Berisha. Rushaj përveç se drejton fushatën elektorale, është edhe pjesë e listës së PD-së, e cila u dorëzua dje në KQZ. Ai renditet i treti në këtë listë dhe është një nga pretendentët kryesorë.