Nga Elona CASLLI
Në këtë vend kemi parë të bëhet ” porno me bamirësinë”, ” porno me politikën”, ” porno me fenë” dhe ” porno me gazetarinë”.
Çfarë është ” porno me gazetarinë” dhe si realizohet ajo?
Mjafton që në këtë vend të kesh një portal apo një hapësirë televizive dhe ” pornon me gazetarinë” e kryen krejt lirisht.
” Porno me gazetarinë’ synon kryesisht të vrasë individin. Me pak fjalë, ta ekzekutojë atë publikisht. Si realizohet kjo?!
Kur ke një portal, mund të marrësh emrin e një individi që nuk përputhet me politikën e pushtetit dhe ta etiketosh me cilësorë të ndryshëm.
Duke mos pasur asnjë ngjarje konkrete apo dokument konkret që mund ta akuzosh këtë njeri për një veprim që ka kryer, thjesht do ta etiketosh.
Individi i gjendur përballë forcës së portalit apo medias ka këto mundësi; Ose të qëndrojë pa iu dridhur qerpiku, ose të trembet dhe të heshtë nga presioni i opinionit publik.
Nëse individi trembet, atëherë qëllimi është përmbushur.
Shumë pseudogazetarë mendojnë se mund të trembin këdo. Në rastet kur kjo trembje nuk ndodh dhe ka një qëndresë të fortë, ka një zbythje të dukshme nga ana e portalit apo e medias.
Dhe pikërisht se këta pseudogazetarë duhet të kuptojnë se nuk mund të përmendin emrin e dikujt pa mbajtur kurrfarë përgjegjësie, trajtova Dritan Hilën si fenomenin tipik të këtij procesi.
Përtej Hilës në këtë vend, ka zotërues portalesh që jetojnë me metodën e gjobitjes. Si zbatohet kjo metodë?!
Një zotërues portali ka një informacion mbi një politikan apo mbi një drejtor në një institucion të caktuar. Këtij informacioni pseudogazetari i vendos një çmim dhe i thotë të intetesuarit- Ose kaq lekë, ose do ta nxjerr informacionin.
Politikani apo drejtori duke qenë i interesuar të ruajë profilin publik, e paguan gjobën dhe pseudogazetari me lekët e “pornos me gazetarinë” blen një shtëpi dhe një makinë të re dhe të nesërmen rishfaqet në tregun mediatik si gazetar “””profesionist””” në kërkim të gjahut të radhës.
Post Scriptum- Gazetaria nuk është gjobëvënie dhe gjobëvënësit të heshtin se fyejnë gazetarinë teksa e quajnë veten gazetarë.