Intervistoi: ELIDA DOMI
“Ajo që na bënë të veçantë është se jemi popull i vetmuar në Ballkan e në botë, popull pa asnjë të afërm, çka mbase edhe na shtyn që të bëjmë çmos të na pëlqejnë, të na pranojnë dhe të na mbështesin të tjerët”
Libri “Mëhalla e grave”, është libri juaj më i fundit. Mëhalla juaj i ngjan një qyteti, çfarë të vërtetash fshihen brenda saj?
Si në çdo vendbanim tjetër edhe në këtë mëhallë ka shumë ëndrra, shumë frikë nga e ardhmja dhe shumë mall për të shkuarën. Pra, jeta është si çdokund, me barrën e kujtimeve nga e shkuara si dhe me ëndrra e dëshira për atë që duam të na ndodhë, dëshira dhe ëndrra të zbehura nga trishtimi e fatkeqësitë që do mund të na ndodhin. Edhe banoret e kësaj mëhalle e bartin barrën e ëndrrave për atë që duan ta jetojnë në të ardhmen, por duke e jetuar të tashmen me frikën nga ajo që mund ta sjellë e nesërmja. Kjo mëhallë, ka të bëjë me historinë imagjinare të Shkupit dhe të hapësirave ku jetoj unë, me historinë pa të cilën do mbetej jo e plotë ajo që e lexojmë nëpër librat e historisë.
Si ta definojmë letërsinë tuaj, realitet i kohës ku jetojmë apo i asaj që duam të jetojmë?
Letërsia është bota paralele në të cilën jeton dhe të cilën e ndërton krijuesi. Ky i fundit, do donte që atë botë ta pëlqenin e ta ‘vizitonin’ sa më shumë lexues. Në atë botë, shpeshherë janë të barasvlershme ndodhitë reale me ato që janë pjellë e imagjinatës. Dhe janë të barasvlerëshme sepse punëtoria që prodhon art dhe letërsi, është imagjinata krijuese. Më në fund, jetën e njeriut nuk e përbën vetëm ajo që ndodh, por edhe e imagjinuara, edhe gëzimi apo frika nga ajo që presim të na ndodhë. Pra, letërsia ime është gërshetim i reales dhe ireales, njësoj siç është edhe jeta, përzierje e ndjesive që i shkaktojnë ndodhitë reale dhe ato që i pjellë imagjinata jonë, imagjinata ku mbijnë dëshirat për të ardhmen dhe ku bëjnë gjumë kujtimet nga e shkuara.
Kthehemi pak te fëmijëria juaj? E bukur, e mundimshme, e trishtë? E mbani mend, si ka qenë shtëpia juaj? Me libra, pa libra?
Fëmijëria është stina më e bukur e jetës, stinë kur njeriu, me të gjitha, i takon vetëm vetvetes, kur dashuron e urren pa lajka, kur e shijon gëzimin dhe hidhërimin e pastër, kur e ndien jetën ashtu siç nuk do e shijojë kurrë më pas. Për shumëçka, gjithë stinët e mëvonshme të jetës, janë shtirje që të dukemi ashtu siç do donim të jemi, pra janë orvatje të jemi sa më të pëlqyer nga ata që na duan, apo nga ata që do donim të na donin e pëlqenin. Vetëm në fëmijëri njeriu jeton me fytyrën që ka dhe me aq sa është. Më vonë ai shtiret dhe do që të tregohet më ndryshe dhe më shumë sesa është. Ndoshta, prandaj ne, tërë jetës vuajmë mungesën e shijimeve fëmijërore. Dhe mbase këtu fshihet shkaku pse thuajse të gjithë ne ndihemi mirë kur e rikujtojmë fëmijërinë. Madje edhe atëherë kur atë e kemi jetuar në varfëri e me plot trishtime. Nuk jam rritur ne shtëpi me libra. Në shtëpinë e fëmijërisë sime kishte vetëm një Kuran, të cilin e lexonte babai im. Librat erdhën më vonë, në shkollën tetëvjeçare. Dhe që asokohe, libri mbeti bashkudhëtari im, liria ime, bota ime e përtejme që ma begatonte atë që e jetoja. Dhe jo vetëm atëherë por edhe tani, më shumë i gëzohem leximit se sa shkrimit dhe nuk ndalem së begatuari bibliotekën time me libra të ri edhe pse e di se shumë nga ata do mbeten të palexuar. Pra, qysh si fëmijë ëndërroja të kem atë që kam sot: bibliotekë me plot libra. Dhe piktura që do më ndihmojnë të jetojë këtu e tani, por duke qenë edhe atje e dikur. Më në fund, jeta vlen vetëm aq sa mund ta shmangim ndjenjën se kemi lindur në kohë e hapësirë të gabuar. E këtë ta ofron vetëm libri, i cili të mundëson ta përjetosh kohën dhe hapësirën që nuk të takon.
Cili libër e bëri të njohur Kim Mehmetin?
Qysh me botimin e përmbledhjes së parë me tregime, u ngrit shumë ‘pluhur’ rreth meje. Dhe për çudinë time dhe të të tjerëve, me shkrimet e mia u morën kritikë të njohur të asaj kohe, jo vetëm në hapësirat shqipfolëse, por edhe jashtë tyre. Besoj se tregimet janë ato që e çuan lexuesin ta ulë kokën mbi librat e mi. Aq më shumë kur ata nisën të botohen edhe në gjuhë të tjera. Pastaj erdhën romanet, nga të cilët ‘Vitet e urithit’ është ai që u ribotua disa herë dhe që u shit në tirazh të madh. Kështu që, nëse ribotimi dhe shitja janë masë sa lexuesit e pëlqejnë një vepër letrare, atëherë ky roman ka mbetur i patejkalueshëm për nga tirazhi nga veprat e mia të mëhershme e të mëvonshme.
Letërsia me të cilën na janë kryqëzuar rrugët, në të shumtën e rasteve, na çon në traditën e kulturës së lindjes dhe perëndimit, ju besoni se ka një narracion të tillë që e udhëheqë letërsinë tonë apo kjo jona s’i ngjan askujt?
Shqiptaria nuk është ujëdhesë e ndarë nga bota, përkundrazi, neve na kanë përshkuar edhe puhiza dhe shtrëngata të lindjes dhe perëndimit. Dhe në arkën e trashëgimive tona kulturore e artistike mund të gjesh stoli të ndikuara nga ornamentika e atyre me të cilët kemi bashkëjetuar. Kuptohet, letërsia dhe arti shqiptar në përgjithësi, shenjë njohëse ka sensibilitetin tonë, atë shqiptar. Dhe kjo e bënë atë të veçantë dhe të dallueshëm nga kulturat tjera. Sot, në kohën e internetit, është e pakuptimtë të flitet për pastërti etnike narrative dhe për mospasje ndikimi nga kulturat tjera. Madje sot, janë shlyer kufijtë e traditës kulturore të lindjes nga ato të perëndimit dhe këtë botë e përshkon ylberi shumëngjyrësh i gjithë pasurisë kulturore të kësaj bote.
Lufta më e madhe e shkrimtarit është të jetë neutral, pra, të mos ngjallë urrejtje, ajo që Kadare e quan “objektivitet homerik”. Ku e gjen veten Kimi?
Kam jetuar dhe jetoj në paqe me vetveten dhe të tjerët sepse qysh si i ri e kuptova se si shkrimtar nuk jam në garë me të tjerët por me vetveten. Pra, e kuptova se, krijimtaria ime me asgjë nuk varet nga ajo që krijojnë të tjerët dhe se mua nuk më lartëson krahasimi me më të dobëtit se vetvetja, por me më të mirët. Ku ta dish, mbase vetëgënjehem, por kam arritur t’i gëzohem edhe librit të mirë që shkruajnë të tjerët, sepse ai më pasuron edhe mua. Kuptohet, shkruaj e jetoj me bindjen se prodhoj vlera. Nuk u takoj krijuesve që çdo gjë të veten e flijojnë në altarin e krijimtarisë. Përkundrazi, shkrimit i kam dhënë një pjesë të vogël timen dhe të jetës sime. Kjo jetë ka edhe plot bukuri të tjera që duhen jetuar, andaj edhe jetën e kam të mbushur me përplot shëtitje nëpër botë e nëpër profesione.
Shumë shkrimtarë kanë patur zakone të çuditshme gjatë shkrimit, si psh. thuhet se Viktor Hygo kur shkruante romanin “Katedralja e Parisit”, urdhëroi shërbëtorin e vet që t’i largonte veshjet dhe e shkruajti nudo librin. Por ka edhe të tjerë me huqe të çuditshme, si Nabokovi, Dan Brawn etj. Cili është zakoni/vesi/huqi juaj gjatë shkrimit, mbase me kokë poshtë si D. Brawn?
Nuk kam ndonjë shprehi që do mund të ishte e veçantë. Kurrë nuk kam mundur të shkruaj asnjë resht të vetëm letrar gjatë verës. Dhe kurrë nuk kam mundur të shkruaj në qetësi të plotë. Pra, kur shkruaj, domosdo dua të dëgjoj muzikë ose zhurmën e fëmijëve të mi.
Vijmë te raportet me letërsinë. Si ju duket trendi i letërsisë shqipe? Po letërsinë e huaj keni mundësi ta ndiqni me zhvillimet e reja?
Kemi krijues të mirë dhe bibliotekë të begatë kombëtare. Kuptohet, jo aq sa thuhet që, çdo libër i botuar shpallet si i munguar në letërsinë tonë, por gjithsesi, letërsia shqiptare e ka pasuruar me veprat e veta edhe bibliotekën botërore. Lexoj në disa gjuhë, kryesisht sllave, me çka më bien në duar edhe veprat e huaja të përkthyera në këto gjuhë. Dhe jam i mirëinformuar me letërsitë e huaja. Por nuk u takoj atyre që posa shohin ndonjë titull të përkthyer nga ndonjë gjuhë e huaj, përnjëherë i japin përparësi përballë veprave shqiptare. Sidoqoftë, e pranoj që, kohëve të fundit gjithnjë e më rrallë gjej libra që do më çonin ta flijoja gjumin për ta. Por kjo ndoshta nuk do të thotë se janë rralluar librat e mirë, por pse mosha në të cilën jam, më ka bërë më gjumash.
Të jesh shkrimtar nën diktaturë dhe të jesh shkrimtar në demokraci. Çfarë e bën shkrimtarin, liria apo mungesa e lirisë?
Shkrimtarin e bën shkrimtar vetëm dora e Zotit! Dhe jo rastësisht nuk ka shkollë për t’u bërë shkrimtar. Krijimtaria është çështje individuale dhe ke aq definicione për të sa çka edhe krijues. Ke nga ata që pohojnë se lëndë e parë e krijimtarisë së tyre është vetmia, vuajta, apo malli për një jetë ndryshe. Sa më përket mua, mund të krijoj vetëm kur i kam të gjitha. Edhe shqetësimi më i vogël e paralizon shkrimtarin në mua dhe e zgjon lexuesin.
Një pyetje ndryshe: Bota, përherë me çështje të pazgjidhura, me përplasje, luftëra dhe përgjakje. Cili është gjykimi juaj, mbi sistemin global, por edhe mbi psikologjinë e popujve?
Në njëfarë mënyre, rraca njerëzore ecën përpara duke u mbështetur në pakënaqësitë e veta për atë që është dhe atë që ka. Pra, gjinia njerëzore ka pasur për qëllim ta arrijë të përsosurën, të pamundurën, atë që mbase edhe nuk ekziston. Por kjo nuk do të thotë se duhet hequr dorë nga ëndrrat për ta arritur rendin ideal shoqëror, sepse duke e synuar atë, ne mund ta arrijmë të mundshmen. Pra përderisa do ekzistojë gjinia njerëzore, do ketë edhe çështje të pazgjidhura, siç do ketë edhe ideale, ëndërrimtarë dhe të pakënaqur nga rendet shoqërore. Në të vërtetë, është e pamundur të gjendet kohë apo rend shoqëror nga i cili njerëzimi ka qenë i kënaqur. Dhe mbase edhe nuk do ekzistojë diçka e tillë.
Populli shqiptar – i etiketuar, i përfolur, i artikuluar si me defekte etj. Keni një qëndrim?
Populli shqiptar nuk ka asnjë të metë shtesë që nuk e ka çdo popull. Por ai ka veçoritë e veta, që i ka shtresuar mbi të e shkuara dhe rrethanat historike. Ajo që na bënë të veçantë është se jemi popull i vetmuar në Ballkan e në botë, popull pa asnjë të afërm, çka mbase edhe na shtyn që të bëjmë çmos të na pëlqejnë, të na pranojnë dhe të na mbështesin të tjerët. Edhe sot, ne jemi më ‘evropianë’ se të gjithë perëndimorët e tjerë, mbase pse e jetojmë vetminë tonë, vetmi e cila ndoshta na bën që të duam të jemi më të pëlqyerit dhe më besnikët e të fortëve, por na verbëron të mos shohim se të gjithë sunduesit që erdhën e shkuan, vepruan njësoj, na dhanë vetëm aq sa ne mund të paguanim me heqjen dorë nga shqiptaria.