BIRI IM QENIA MË E BUKUR QË KAM NJOHUR
Së shpejti libri me tregime “Tulipanë të vonuar”
“Nuk e kam mposhtur dhimbjen, por luftoj të mos më mposhtë. Unë kam patur fatin të jetoj njëzetë vite me një qenie shumë inteligjente, por mbi të gjitha racionale, gjëra që mund t’i kenë ardhur tim biri edhe nga jeta që ka bërë, mbase edhe nga ndikimi im, si modeli utopik i tij, siç më cilësonte. Ai më kujtoi tek ikte se duke u mposhtur, unë po e fajësoja atë pandjerë për fatin që po më jepte, pra po viktimizohesha, kur viktima e vërtetë e fatit ishte ai. Ai e thuri me një kujdes mahnitës mjedisin e së nesërmes sime, duke më folur përditë e përditë e duke më kërkuar normalitet përditë e përditë”.
INTERVISTOI: ELIDA DOMI
Flutura Açka, këto vite, një emër i gjerë në opinionin publik; të pëlqen kjo gjë, të ka bërë më të sigurtë apo më të frenuar?
Askush nuk mund të thotë se nuk i pëlqen të përkëdhelet, të jetë në qendër të vëmendjes, madje edhe zogjtë në pyje bilbilojnë më fort që të dëgjohen e të bien në sy. Veçmas shkrimtari i kohëve të reja është një personazh më mediatik, pasi duhe t’i përgjigjet një ritmi të ri jete, ku sundon televizioni dhe media sociale dhe kësisoj edhe ana më e sipërfaqshme e jetës. Ky është një kurth i madh i letërsisë, një keqkuptim, kështu e interpreton Borgesi famën, si “forma më e keqe e moskuptimit”. Ndaj jam përpjekur të ve një balancë të brishtë të vetes në këtë lloj jete “të egër”, edhe ngaqë e di se një jetë e tillë, sa ç’të jep “famë” të çastit, aq edhe të nxjerr jashtë lojës letrare, nëse nuk e plotëson vakumin pas së sipërfaqshmes me vepra, me koherencën tënde autoriale, prej së cilës edhe e ke marrë atë të ashtuquajtur emër. Por natyrisht, pas vitesh përballjeje të ideve të mia – edhe ato extraletrare – me lexuesin, ti ndërton edhe një koeficient sigurie, nëse qasja jote ka qenë e sinqertë dhe serioze. Tani pas gati tridhjetë vitesh të përballjeve publike, jam mësuar të eci më çlirët, por droja e bukur e njeriut të përgjegjshëm, do të mbesë plaga ime e pashërueshme deri në fund të jetës.
Kthim në vitet kur nise udhën e letrave, si ndodhi, qe rastësisht, cila ishte goditja e parë?
Ka qenë shumë interesante si histori, që rrallë i ndodh ndonjë shkrimtari, apo një poeti të ri siç isha unë në vjeshtën e vitit 1993 kur botova vëllimin tim të parë poetik “Tri vjeshta larg”. Libri ishte ende në shtyp dhe nuk kishte qarkulluar në vitrina, kur në “Rilindja” e Kosovës u botua një shkrim i shkurtër që paralajmëronte një vëllim të ri poetik dhe një poeteshë premtuese në trojet shqiptare. A ka bekim më të madhe se ky? Ky ishte lajmi, pjesa tjetër e detyrës padyshim ishte e imja, si e çdo shkrimtari në botë. Por në ato vite shkrimtarët e brezave më në moshë se ne, kanë qenë shumë të kujdesshëm me ne, jeta nuk do të më mjaftojë të jem mirënjohëse Ilirian Zhupës, Bardhyl Londos, Natasha Lakos, Dritëro Agollit, Flora Brovinës, Xhevahir Spahiut, dhe shumë të tjerëve. Gati tridhjetë vite më pas pas këtij lajmi kam botuar paprerë, sepse kam shkruar paprerë, pasi kam qenë paprerë në kërkim të lumturisë së fundme, që e kam gjetur vetëm tek ai akt: Shkrimi. Tani sapo botoj një libër të ri, bëhet lajm, por siç thotë Ezra Pound “letërsia është lajm që mbetet lajm”. Pra nuk interpretohet, ajo lexohet ose lihet. Mbase fati ka rezervuar për mua që të lexohem sot, edhe kur të mos jem, që do të thotë që të lind atë ditë që do të shkoj përfare. Ky është për mua shkrimtari, dhe këtë sa jemi në jetë, ne nuk e dimë dhe nuk e vërtetojmë dot. Koha është gjykatësi i qenies sonë “lajmëtare”.
Prej disa vitesh, proza jote po i rri karshi poezisë tënde, dashurisë së parë, së fundi dhe publicistika, si qëndrojnë këto në shtratin e Fluturës?
Faleminderit që e vëreni këtë, dhe mendoj se të trija janë përbërësit më me peshë dhe më të dukshme të ruzares së jetës sime. Ndonjëherë e ndiej se gjuha ime prej publicisteje, është më e thukët e më e thartë sa ç’pranojnë kufijtë e kritikës ndaj politikës dhe plagëve shoqërore tonat, por mbase kjo “liri” e tepruar më vjen nga jeta që bëj mes dy kulturave. Në Holandë nuk ka droja të tilla, sepse shoqëria nuk funksionon me klube interesash dhe as politika nuk ka fuqi ligjore e morale për “hatërmbetje” që të hakmerret. Kjo gjë, të qenit edhe publiciste shpesh ka patur kosto për mua si shkrimtare, më ka përjashtuar gjithë jetën nga fondet, nga çmimet, nga protokollet, a gjëra kësidoresh që duket se e grasatojnë jetën e shkrimtarëve këtu. Por kaq, pjesa tjetër ka qenë një marrëdhënie solide me publikun, ku pjesën më të madhe e marrin lexuesit e librave të mi, ndjekësit e mi të përhershëm, të cilëve u është dashur të jenë edhe kritikët e mi, edhe gjykatësit e mi, edhe mbrojtësit e mi, por edhe engjëjt e mi. Poezia është shtrati im, proza është tryeza ku dergjem, publicistika ecejaku i zhurmshëm. Poezia është dhimbja ime e kokës, proza rrugëtim në nirvanë dhe rrugëtim nëpër fantazi, publicistika është ethja për të drejtën, për një botë të bukur, si ajo e fantazisë sime. Unë bëj jetë me përfytyrime, pasi e di se përfytyrimi e bezdis dritëshkurtësinë. Kjo është pak a shumë arkitektura e jetës sime.
E fillove letërsinë në Elbasan. A kishte qyteti juaj një klimë frymëzuese, kishe ti një pikë frymëzuese? Cili ka qëne lexuesi yt i parë?
Po kam qenë fëmijë atëherë kur kam shkarravitur për herë të parë në qytetin tim të lindjes në Elbasan, një qytet me traditë të spikatur edukimi dhe shkrimi. E mbaj mend veten një trembëdhjetëvjeçare që kishte shkruar një poemë të gjatë e frymëzuar nga “Re në pantallona” të Majakovskit. Atëherë kam lexuar edhe Migjenin, që vazhdon edhe pas dyzet vitesh të më trondisë njëlloj. Kjo “vepër e madhe” e një vogëlusheje e kuturisi time më, lexuesen time të parë, të merrte redaksitë nëpër Tiranë në kërkim të konfirmimit të talentit të së bijës. Ajo lexonte libra, më blinte libra dhe revista, m’i fshihte disa prej librave të ndaluar, të cilët, në kohën kur ajo ishte në punë, i lexoja me mahnitje, edhe pse disa nuk i kuptoja fare. E kam thënë njëherë, isha mbase 11 vjeçe kur lexova “Tej fasadës” dhe ishte një fragment ku dikush trokiste në portën e personazhit dhe ku i thanë se nuk është më dhe kur mori shtegun që i sugjeruan, ai përfundoi në varreza. Këtë nuk e kuptova fare, pasi atëherë kuptimi im për vdekjen ishte fare i zbehtë, isha ende fëmijë. Lexuesja ime e parë, vazhdon të mbetet lexuesja ime e parë. Ngaqë ajo jeton në Firenze, librin tim të fundit “Biri”, e lexoi në telefon në PDF, shumë më përpara se të botohej. Prej të tillë lexueseje, sqimatare, unë jam ndier përherë më e sigurtë në ujërat e mia.
Pse vendose të jesh edhe botuese, jetohet në Shqipëri vetëm nga libri?
Sepse nuk di të bëj punë tjetër, sepse është një ingranazh që shkon në të njëjtin kahje me lëvizjen e makinerisë mentale të jetës sime, e ndihmon atë të pasurohet me letërsinë më të mirë në botë, e frenon dhe përkujdeset për cilësinë e veprës sime. Unë jam ekonomiste në profesionin e parë dhe kjo më ndihmon të kujdesem siç duhet për biznesin e librit, por pjesa tjetër është pasion, gati i marrë, për librin. Çfarë do të ishte jeta ime pa këtë objekt magjik? Pa këtë “ves vetmie”, siç thotë Llosa.
Mendon se një shoqëri gjysmë e civilizuar si e jona, krahasuar me gjysmën tjetër ku ju jetoni, atje në Holandë, ka lëndë më tepër joshëse për letërsinë?
Duket se ka, por thjesht në aciditetin e temës, jo në larushinë e saj; bota kudo ka pamje të shumta që vijnë nga faqet e shumta të prizmit të jetës ku thyhet drita e shoqërisë ku jetojmë. Kam njohur në Holandë shkrimtarë që kanë shkruar romane se si nuk kanë mundur dot të shkruajnë romane, pra të shkruajnë një histori për “Writers block”, një fenomen që bie më shumë në sy në letërsinë perëndimore. Të jetuarit me zhgunin e Shqipërisë përsipër në ikjet e mia, qofshin edhe ato letrare, e ka bërë më të vërtetë letërsinë time, fundja një lexues holandez, dhe jo vetëm, kërkon nga rrëfimi im temat dhe lokalitetet që ai nuk i njeh, që e argëtojnë atë me të tjera “erëza dhe aroma” të ndryshme nga ç’është mësuar ai prej të tjerëve. Të shkruaja për tema holandeze (edhe kjo gjeografi dhe kjo qasje është dukshëm në librat e mi), nuk ishte shumë e këshillueshme për mua, pasi Holanda nuk ka nevojë për mua t’ia përshkruaj Holandën, por Shqipëria po, dhe letërsia është një mënyrë që ta bësh vendin tënd të lëvizshëm, të dukshëm, të pranishëm.
Shkrimtarët e sotëm në Shqipëri sipas optikes suaj, kanë letërsi të afërta apo të njëjta me perëndimorët e traditës?
Ky është një debat shumë i gjatë dhe kërkon ca më shumë rreshta për një shpjegim të drejtë. Letërsia e sotme shqipe ka ende në mënyrën e rrëfimit të saj besnikërinë e atyre pak “shkollave” letrare që njeh, ka njolla të forta lokale dhe mjedise përshkrimore të mbyllëta dhe pa dritare. Pa folur këtu pastaj për aliazhin “realizëm socialist” që iu vesh si kapriatë bajate strukturës së letërsisë realiste. Por në tridhjetë vitet e fundit, kur një pjesë e shkrimtarëve shqiptarë jetojnë jashtë atdheut, kjo gjeografi dhe atmosferë ka ndryshuar. Kanë hyrë në temat e tyre çështjet dikotomisë së identitetit, të bikulturës, të një fryme kritike dhe mbi të gjitha të një cilësie në stil, në frazë e në leksik. Përplasja mes mendësisë lokale të shkrimit dhe ruajtjes së atmosferës lokale të shkrimit, është beteja më e vështirë e letërsisë sot. Edhe romani “Unë” po gjen gjithnjë e më shumë terren, një trend që shquhet për notat e tij depresive dhe reflektim të personales në rrëfim. Letërsia shqiptare sot është një një fazë ende të paqëndryshme, tranzitive, por e sigurtë është që një shpurë e re, vërtet e talentuar, po ravijëzohet; kjo valë besoj shumë se do ta mbështesë fort letërsinë që bëmë e po bëjmë ne, të themi, të pas vitit 90-të dhe do të krijojë shtratin e fortë të lumit letrar që dukshëm na mungon. Brezi ia lë brezit, ne ketë nuk e kemi bërë. Pse?
Mendon se ka ndryshime të ndjeshme mes dy gjinive në letërsi. Pra, ti si gjinia me delikate (grua) mund të thuhet se e ke letërsinë më të brishtë apo kjo nuk ka lidhje? Në Shqipëri gratë krijuese promovohem më pak, e para sepse, gratë s’i duan gratë e talentuara, i shohin si rrezik dhe e dyta, shoqëria nuk u beson fort grave në letërsi, ose lufton me mendimin, janë apo s’janë shkrimtare/poete. Mendimi Juaj dhe si mendoni cilat janë gratë e sotme të letërsisë?
Po, shumë të ndjeshme, faleminderit që përdorët fjalën e duhur për ta përcaktuar ndarjen – në të vërtetë, hendekun – mes dy gjinive në letërsinë tonë. Shihni reagimin e medias, kur kanë botuar “miqtë” e tyre burra, ndonjëherë edhe vepra shumë të dyshimta, i kanë dhunuar lexuesit me publicitetin për to në të gjitha faqet e para të gazetave. Keni parë ju ta bëjnë për ndonjë shkrimtare? E pra, po ju them se shkrimtaret zonja sot janë më aktive në zë edhe në numër mes shkrimtarëve shqiptarë, në prozë dhe poezi padyshim. Nuk po jap listë se mund të harroj ndonjërën pa të drejtë, por edhe sepse lista është e gjatë. Shkrimtaret shqiptare me vetmohim kanë bërë atë që Fernando Pessoa e quan “mënyra më e pranueshme e shpërfilljes që u ka bërë jeta”, pra shoqëria në rastin tonë.
Si arrite ta mposhtësh fatkeqësinë, me vullnetin e vazhdimësisë së jetës apo me forcën e shkrimtarisë? Kam parasysh që së fundmi keni sjell librin “Biri”, një libër që po pritet mirë nga publiku, si vendosi Flutura të ulet për ta hedhur këtë rrëfim shpirti për Birin?
Nuk e kam mposhtur, por luftoj të mos më mposhtë. Unë kam patur fatin të jetoj njëzetë vite me një qenie shumë inteligjente, por mbi të gjitha racionale, gjëra që mund t’i kenë ardhur tim biri edhe nga jeta që ka bërë, mbase edhe nga ndikimi im, si modeli utopik i tij, siç më cilësonte. Ai më kujtoi tek ikte se duke u mposhtur, unë po e fajësoja atë pandjerë për fatin që po më jepte, pra po viktimizohesha, kur viktima e vërtetë e fatit ishte ai. Ai e thuri me një kujdes mahnitës mjedisin e së nesërmes sime, duke më folur përditë e përditë e duke më kërkuar normalitet përditë e përditë. A mund ta tradhëtoja unë qenien më të bukur që kam njohur? Kështu u shkrua “Biri”, në këtë betejë mes respektit racional që të drejton shpinën dhe dhimbjes që të çon në sjellje irracionale të thyerjes. Kështu do të jetë deri në fund të jetës sime.
Lexuesit çfarë duhet të presin më tej nga Flutura?
Po punoj për një vëllim me tregime, shpresoj ta kem gati vitin e ardhshëm. Kam shkruar shumë në vite, por e mahnitur nga romani i gjatë, e kam lënë në anë. Ka ardhur koha të kujdesem për to, t’i mbledh ku janë e ki s’janë, duke e përdorur këtë kohë edhe si një pushimore mentale dhe përgatitje për romanin e ardhshëm. Nuk kam drojë ta shpall edhe titullin, dhe e shpall për herë të parë tek ju: “Tulipanë të vonuar”.
Faleminderit për bisedën!