Vrasja e Klodian Rashës nga efektivi i policisë një javë më parë nxiti protesta në të gjithë vendin.
Reagimet ishin të shumta dhe nga personazhe të njohur, ndërkohë që së fundmi mbi këtë çështje ka vendosur t’i thotë dy fjalë dhe Eva Murati.
Në një reagim në rrjete sociale, moderatorja shprehet e indinjuar ndaj personave që reaguan për djegien e pemës së Krishtlindjeve, duke i cilësuar si persona që kanë qymyr në vend të zemrës.
Më tej, Eva shkruan se ky reagim në fakt është një mllef i akumuluar ndër vite. Ajo shtron disa pyetje kur thotë se ndërsa ka një reagim në tillë për një pemë, në fakt asnjëri nga këto nuk ka reaguar mbi çështje dhe padrejtësi që iu janë bërë qytetarëve shqiptarë ndër vite.
“A nuk e kuptoni që jemi të gjithë të lënduar dhe DHUNA PO SJELL DHUNË! Kush mban përgjegjësi për gjithë këtë dhunë? Kush mban përgjegjësi për gazin lotsjellës që po thith çdo banor, i madh i vogël, i Tiranës? E urrej vandalizmin po realisht treguat veten që keni një grusht qymyr në vend të zemrës ju që reaguat për pemën para jetës së një të riu!
E gjithë kjo situatë na ka tmerruar por edhe na ka zgjuar! Ky është mllef i akumuluar për padrejtësi ndër vite!
Po si kemi ardhur deri këtu?
A kemi reaguar kur e shohim qartë se pjesa me e madhe e intelektualeve po shkojnë në mërgim? Po kur dëgjojmë se në Europë shqiptarët kanë statusin e dealerit të drogës? Po që jemi vend që prodhojmë naftë dhe sërish kemi çmimin më të lartë të naftës në rajon?”, shkruan ndër të tjera Eva.

