Ama dhe ati – ahtimi në amshim,
Trinia, tabernakulli dhe totemi,
dheu më i ëmbël në rruzullim,
etnosi dhe eteri që epet kah Edeni.
Fushat, rruginat, kodrat me ullinj,
kujtimet që flenë në varret e të parëve,
shpesët vetmitarë që struken në shkëmbinj,
ëndërra e fundit – amaneti i luftëtarëve.
Himni i mëngjeseve të mia je atdhe,
frymim i kombit në amzën e lashtë,
në dashuri e gëzim, në dhimbje e vuajtje,
me dritën tënde të paqtë.











