Nga Skender Doçi
Dihet nga të gjithë se, sistemet shoqërore, sistemet shtetërore, monarkitë dhe çdo organizim tjetër publik, privat apo çfarëdolloj forme dhe përmbajtje tjetër që mund të jetë, fillon kur ka të organizuar më së paku dy persona.
Ky është grupi në miniaturë, ku fillojnë konceptet e para të drejtimit dhe vazhdojnë deri te organizimet dhe drejtimet gjigante sikurse është shteti, kompanitë apo organizatat e ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Duhet theksuar se, në brendësi të këtij koncepti është edhe organizimi në familje dhe drejtimi i saj.
Për të shpjeguar konceptin e drejtimit në detaje dhe elementët përbërës të tij, sigurisht që duhen shumë libra me shumë faqe, por në kuadrin e një shkrimi, do përpiqem të trajtoj disa parime dhe koncepte të thjeshta të cilat hasen kryesisht në shoqërinë tonë. Nëpërmes krahasimeve dhe problematikave që shfaqen në jetën e përditshme qoftë si individ, qoftë si shoqëri, mund të krijojmë një ide në parim, mbi drejtimin, impaktin dhe ndikimin e tij mbi zhvillimin ekonomik, social e shoqëror të një vendi demokratik.
Ndryshimi i sistemeve shoqërore, politike, shtetërore apo ekonomike në themel ka pasur ndryshimin e drejtimit. Nuk do shumë mend ta kuptojmë se nevoja për ndryshimin e drejtimit në të gjitha rastet ka ardhur si presion i masës së gjerë të shoqërisë dhe në asnjë rast si vullnet i drejtuesve të organizimeve që thamë. Po të ishte në vullnetin e drejtuesve sot shoqëria, ndoshta mund të ishte akoma në sistemin skllavo-pronar, apo më e shumta në atë feudal. E parë në këtë aspekt shoqëria ka ecur përpara falë atyre që drejtoheshin (lëvizje, revolucion, luftëra, etj) e në asnjë kohë apo rrethanë si vullnet i atyre që drejtonin. Me shfaqjen e sistemit demokratik, vullneti i masës së gjerë të njerëzve e bën ndyshimin me anën e votës së lirë, duke mos e pasur si nevojë të domosdoshme dhunën për ndryshimin e drejtimit.
Se sa është vullneti i drejtuesve për të ndryshuar drejtimin, është provuar në shekullin e kaluar me sistemin e diktaturës komuniste. Dëshiroj të theksoj se, është sistemi i vetëm ndoshta në të gjitha kohërat që u rrëzua pa një revolucion apo luftë të brendshme, as nga një sulm i jashtëm. Dikush do thotë, ky pra është vullneti! Joo, ai u rrëzua si i tillë, sepse pjesa tjetër e botës jo komuniste po lulëzonte dhe nga ana tjetër vendet komuniste po rrënoheshin çdo ditë e më shumë për bukën e gojës (dhe në rrethana të tilla ekstreme, arritën ta mbanin për pesëdhjetë vite) si rezultat i këtij presioni, drejtuesit komunistë u detyruan në fund të “vetë-vareshin në litar” dhe ti hapnin rrugë ndryshimit.
Zotërinj, llogariteni sikur të ishte krejt bota komuniste, edhe sot do ishte sistemi i vetëm global, dhe i konsoliduar deri në skaj. Për ta rrëzuar (ndonjëherë) do duhej një betejë e shoqërisë me sistemin, ndoshta, më e madhe dhe më e përgjakshme se të gjitha luftërat së bashku që janë bërë gjatë pesëqind, apo një mijë viteve të fundit.
Në sistemet demokratike drejtimi (shteti) ka tre kolona të palëvizshme të cilat janë të pandryshueshme nga vullneti i drejtuesve, falë të cilave shoqëria dhe individi janë të garantuar në çfarëdolloj rrethane, e para është kushtetuta demokratike, e dyta ligjet e shtetit demokratik, dhe e treta, koncepti i së drejtës, ku që të trija në fokus kanë liritë dhe të drejtat e individit. Pra, në sistemin demokratik, kemi ballë për ballë shtetin (drejtuesi) dhe individin, nëse mund ta themi (i drejtuari), ku secila palë duhet të jet ë e barazlarguar nga tre kolonat e mësipërme që thamë. Ndërsa në shoqëritë jo-demokratike kemi shtetin dhe shoqërinë, secila e dizenjuar sipas oreksit dhe interesit të klasës drejtuese. E thënë ndryshe, kemi drejtuesit të cilët kanë në dorë kërbaçin (shtetin) dhe kulaçin (popullin apo shoqërinë).
Tani në kohët moderne, koncepti i drejtimit në një shtet demokratik sa vjen e përsoset gjithmonë në interesin e individit dhe shoqërisë në përgjithësi.
Në vendin tonë, me demokraci të re, gama e problemeve që rrjedhin nga drejtimi është shumë e madhe.
E para është korrupsioni i cili është shkatërrues për një shtet demokratik, i dyti është militantizmi politik (partiak) edhe ky me efekt të njehsuar me të parin. Po nuk u asgjësuan dy faktorët e mësipërm, harrojeni se ka për të pasur ndonjëherë demokraci të vërtetë në vendin tonë. Por, meqenëse i kam trajtuar më gjerë në një shkrim tjetër, nuk dëshiroj të ndalem prapë.
Secili drejtues, sapo të marrë funksionin shtetëror, publik apo privat, duhet të ketë në vëmendje se para tij në atë vend (drejtimi) ka pasur edhe persona të tjerë të mëparshëm. Si rezultat, masa e njerëzve që drejton që ditën e pare, fillojnë të krahasojnë me drejtuesit e mëparshëm. Por, janë edhe një numër i madh drejtuesish që do të vijnë në të ardhmen objekt krahasimi me të cilët, do të jesh edhe ti.
Sa po të marrësh drejtimin duhet ta mbash në vëmendje çdo ditë, se ka filluar numërimi mbrapsht i ditëve që ti do të jesh në atë funksion. Kjo, asnjëherë në aspektin për të rregulluar punët e tua dhe për t’u pasuruar (personalisht), por në kontekstin çfarë bëra unë për institucionin, kompaninë, njësinë apo dikasterin që drejtova, ku e mora në fillim dhe deri ku e shpura në fund të punës sime. Edhe kjo nëse ti nuk bën krahasime statistika të vazdueshme të tjerët qoftë vartës, punonjës apo jo të tillë, rrinë me “kandar” në dorë, ditë pas ditë, e bën gjithkush dhe instiktivisht, përjashto ndonjë “qorr nga Perendia” apo ndonjë militant të verbër, “edhe ai, është ashtu nga Perendia”
Marrim një shembull të thjeshtë krahasimi.
Shoferin e autobuzit me 40 pasagjerë. Në këtë rast, drejtuesi është shoferi, njësia e drejtimit është autobuzi, të drejtuarit janë pasagjerët, destinacionin e autobuzit po e quajmë “vizioni” pra shoferi do drejtojë autobuzin me 40 pasagjerë nga Tirana me destinacion final Prishtinën.
Në këtë rast detyrat e drejtuesit (shoferit) janë, të ketë në gjendje të mirë teknike mjetin, të ketë karburant të mjaftueshëm për udhëtimin, të jetë i liçensuar dhe i aftë në drejtimin e një mjeti që transporton njerëz, të ketë një marrdhënie strikte dhe standarte me nevojat, pretendimet (në qoftë se ka) të secilit pasagjer dhe grupit në terësi. Duhet të jetë strikt dhe të kërkojë (nëse është e nevojshme) respektimin e rregullores së pasagjerit
Dhe të udhëtimit nga secili, duke ruajtur fort të drejtën dhe barazinë e secilit pasagjer në funksion të grupit dhe udhëtimit. Duhet të jetë pa vese, dhe i vëmendshëm përgjatë udhëtimit ndaj çdo problemi që mund të ndodh më mjetin, brenda mjetit (pasagjerët) dhe gjithçka tjetër jashtë mjetit që mund të cënojë atë personalisht, autobuzin, pasagjerët dhe udhëtimin deri në destinacion.
Në qoftë se autobuzi del nga rruga, apo arrin shumë vonë në destinacion, fajtor nuk mund të jenë asnjëri nga pasagjerët, përkundrazi janë të dëmtuarit. Shoferi është fajtor për çdo ndodhi që vjen si rezultat i drejtimit të autobusit nga ai dhe defekteve teknike që mund të pësojë mjeti.
Llogariteni tani sikur shoferi të përpiqet të vjedh naftë nga serbatori. Të rregulloj ndonjë të njohur në pjesën e përparme të autobuzit në kurriz të vendeve respektive të secilit janë paracaktuar në biletë, të ngacmojë me shikime apo me fjalë pasagjeret femra, ti ftojë për kafe apo bisedë kur të zbresin, të ketë fobi apo bullizëm për ndonjërin nga pasagjerët kushdo dhe sidoqoftë ai. Kur të arrijë në Prishtinë të bëj pazare me ndonjë servis sikur mjeti ka problem dhe të marrë lekë pranë kompanisë. Të kërcënojë pasagjerët se unë kam në dorë jetën tuaj se mund edhe t’u rrëzoj, t’i kërkoj ndonjërit ushqime nga çanta apo t’i kërkoj t’i paguaj kafen apo drekën në funksion të asaj që ky ka në dorë (drejtimin e mjetit). E llogarite se nëse autobuzi ka ndonjë avari apo e nxjerr nga rruga, si e si të shpëtoj vetë dhe pasagjerët në “t’sëmës”.
Të hapte syte çfarë mund të harrojnë pasagjerët në autobuz, dhe në vend që t’i kujtoj, i fsheh plaçkat që po të kthehet mbrapsht t’i thotë se nuk ke lënë gjë në autobuz.
T’u bëjë karshillëk pasagjerëve të ndryshëm me forcën e tij, karakterin, temperamentin, dijen, zotësinë, burrin seksi, modestin, apo personin që iu ka marrë përsipër, iu ka në dorë dhe do iu shpëtojë, unë po bëj për ju, e dhjetëra gjëra e gjëra të tjera me natyrë të tillë.
Çfarë do të thonim në këtë rast për shoferin dhe për drejtimin e mjetit nga ai???
Nga ky shembull secili mund të bëjë vetë-vlerësimin si drejtues dhe çdo vartës apo punonjës vlerësimin e drejtuesit të tij, drejtues autobuzash të tillë ka shumë pak, por drejtues me mentalitet të tillë nëpër dikastere të ndryshme ka goxha shumë.
Në shembullin e mësipërm kemi për të shkruar personalitetin e një drejtuesi mjeti në mënyrë të njëanshme, sigurisht nuk kemi folur për vizionin, kreativitetin, aftësitë menaxheriale lidhur me problemet në drejtim dhe burimet njerëzore, anën profesionale, ndërtimin e marrdhënieve njerëzore dhe të sinqerta me vartësit dhe punonjësit, të cilat janë të domosdoshme në personalitetin e një drejtuesi (jo shofer autobusi).
Mund të bëjmë një paralelizëm midis drejtimit dhe artit, është një dhunti ku në bazë ka formimin personal dhe profesional, etikën dhe moralin, vizionin, idetë dhe aftësitë menaxheriale për t’i realizuar, punën këmbëngulëse dhe kurajon për të bërë gjëra ndryshe nga paraardhësit e tjerë deri aty sa rreziku dhe fati shkojnë paralel dhe falë aftësive të gjithanshme kur të bëhet ndarja mes rrezikut dhe fatit, ty të bie fati.
Skender Doçi
7 Korrik 2020