“Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.” (Nënë Tereza).
Kjo sentencë filzofike e Nënë Terezës, duket se shërben si lajmotivi kryesor i shoqatës “Tomorrow Starts Today” ( TST) me qendër në Bushat, Vau-Dejës, ku ka mjaftuar veç disa ditë nga aktiviteti i saj i parë për të dëshmuar fuqinë e saj solidare në mbështëtje të familjeve në nevojë.
Askujt nuk ia merrte mendja që një nismë vullnetmirë e kësaj shoqate, pa mbështetjen e asnjë instance shtetërore apo të ndonjë donatori, të kapërcente kufijtë lokalë dhe të ofrontë mbështetjen e pakursyer të saj deri në skajin jugor të vendit, duke dëshmuar qartazi karakterin human dhe angazhimin serioz në misionin e saj.
Pasi ne publikuam para 3 ditësh aktivitetin e parë të kësaj shoqate në ndihmë të dhjetëra familjeve në nevojë në bashkinë Vau-Dejës, portali “InfoPressAlbania”, përmes faqes zyrtare të bashkisë Memaliaj, mësoi se me kontributin modest të shoqatës “Tomorrow Starts Today” ( TST) , janë shpërndarë pako ushqimore në mbështetje të 30 familjeve në këtë bashki, duke dhënë kështu një mesazh me vlera të shumëfishta, që në kontekstin aktual përkthehet si mision i njerëzve me zemër të madhe dhe me shpirt human.
Nuk ka se si të ndodhë ndryshe, kur në krye të shoqatës është Ermir Shimaj, djali i heshtur i një treve që trashëgon dhe ofron shumë nga bujaria e saj, që me vlerat dhe shpirtin e tij human, po përcon këto ditë të vështira, solidaritet dhe mbështetje të pakufishme njerëzore.
Rrethanat dhe arsyen e kësaj mbështetje në bashkinë e largët të jugut të Shqipërisë, i sqaron në një koment plot ngazëllim dhe emocion përgjegjësja e zyrës së integrimit europian në bashkinë Vau-Dejës, njëkohësisht dhe një pikë mbështetëse e shoqatës, znj. Entela Kolaj, e cila duke evidentuar rolin mjaft pozitiv që po luan kjo shoqatë, angazhimin epik të kryetarit Shimaj, ka përcjellë dhe apelin e saj, ku në emër të solidaritetit njerëzor kemi të nevojshme të bëjmë përthyerje barrierash dhe kapërcime kufijsh, pasi kështu do mund t’ia dalim së bashku sfidave dhe vështirësive të ndryshme.
Miqtë e mi të TST, pamjet që shihni më sipër, nuk janë marrë në Bashkinë Vau-Dejës, as në Bushat, janë në Bashkinë Memaliaj. Në foto ështe kolege e imja, Xhuvana. Ajo drejton zyrën e integrimit atje. Prej ditësh e deëhpëruar kërkonte ndihmë dhe sëbashku me Ermirin dhe Jolandën, e cila kërkoi të kontribuonte si anëtare TST, të dërgojmë 30 pako. E gjitha ndodhi dhe makina e dërguar nga Memaliaj erdhi drejt Bushatit, ku me humanizëm TST-ja dorëzoi 30 pako. A ia vlejti? Shikoni fotot …! Varfëri ekstreme.
TST kaloi kufijtë territorial. Kjo krizë, kufirin e së cilës nuk e dimë, nuk mund të zgjidhet duke vendosur barriera midis nesh. Vetëm duke ndihmuar njëri-tjetrin ne mund të ndihmojme veten! Solidariteti midis rajoneve, qyteteve është një gjë e jashtëzakonshme.