“Sivjet e kemi çuar notën mesatare për t’u pranuar në programe të ndryshme të mësuesisë në 7.5, me idenë që vitin tjetër do ta çojmë në 8. Unë kam nisur punën në ministri në 2017 dhe sugjerimi im ishte që menjëherë të vendosej mesatarja 8.
Por kolegët thanë që kjo lëvizje të bëhet gradualisht, që të adaptohet sistemi me ndryshimet e reja”. Kështu, maturantët që aspirojnë programet e edukimit duhet të mendojnë që tani për të kapur notën mesatare për të fituar të drejtën e garimit.
Nga vendimi i qeverisë për rritjen e notës mesatare nuk preken vetëm ata që aspirojnë një program mësuesie, por edhe maturantët e tjerë, për të cilët kufi nuk do të jetë më nota 6 këtë vit, por 6.5. Arsyeja është e njëjtë. Vetëm ata që kanë bazat kryesore të shkollimit mund të shkojnë në universitet.
Të tjerët mund t’u drejtohen programeve profesionale 2-vjeçare dhe të dalin më shpejt në tregun e punës. “Ata që janë të dobët në shkollën e mesme nuk kanë si të përfitojnë nga studimet bachelor.
Nuk kanë nevojë të shkojnë në studime të thelluara akademike. Nota mesatare është e domosdoshme, me qëllim që të orientohen dhe vetë nxënësit te programet ku mund të përfitojnë”.

PSE KY VENDIM
“Mbështetja e strategjive në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të mësuesve, zhvillimin e arritjeve akademike të studentëve të mësuesisë dhe mbështetja e nismave të ndërmarra në funksion të zhvillimit të arsimit profesional”. Janë këto tri arsyet që i perifrazoi ministrja Shahini, të cilat detyruan qeverinë të rrisin notën mesatare për ata që duan të bëhen mësues. Sipas saj, në Shqipëri ka mësues në sistem që s’janë në nivelin e duhur.
Për këtë, sipas ministres që ka vetëm dy vjet në dikasterin e arsimit, përgjegjës janë paraardhësit e saj, kundërshtarë politikë. “Arsyeja se përse mësuesit performojnë shumë dobët është sepse në kohën kur PD-ja ka menaxhuar sistemin arsimor ka shkatërruar tërësisht figurën e mësuesit, duke punësuar mësues në baza partiake dhe kanë hapur universitete kioska që kanë prodhuar mësues, nganjëherë pa qenë asnjë ditë në shkollë”.
Duke mos pasur një mekanizëm për heqjen e mësuesve të dobët nga sistemi, MASR ka vendosur të kujdeset së tepërmi për ata që futen, edhe pse e vetëdijshme se kjo masë e vetme nuk mjafton.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm se kush duhet të bëhet mësues, si përgatiten dhe si punojnë në shkollë. Por kjo nuk mjafton. Politikën e më të mirëve e kemi reflektuar edhe në pranimet në universitet. Fillimisht po rritim notën mesatare për profilet e mësuesisë, që të çojmë porosinë se mësues do të jenë ata që janë më të mirët”.