Eshtë folur kohët e fundit për nivelin e parlamentit pas ikjes së deputetëve të opozitës. Eshtë thënë se janë të blerë deputetët e opozitës së re. Nga të gjithë deputetët të cilët kanë hyrë nga listat kohët e fundit, shumica as që meritojnë të jenë përfaqësues, pavarësisht se kryeministri i përdor për shantazh ndaj deputetëve të tij kritikë brenda PS-së.
Rudina Hajdarin e kemi parë se si flet, deputetë të tjerë i kemi dëgjuar se ç’nivel kanë, bile kur i dëgjon duhet të marrësh vrapin. Përveçse parlamenti, pas ikjes së opozitës reale, është jo legjitim, por tashmë u kthye dhe në sallë estrade.
Këtë të enjte ishte live në news24 deputeti Kujtim Gjuzi.
Deputeti Kujtim Gjuzi (i futur nga listat e deputetëve të PD), i pyetur nga Ylli Rakipi në emisionin të “Të PaEkspozuarit” në lidhje me Edi Ramën se si e njeh, deputeti tha se në vitin 1982 e kam vënë Edi Ramën, për një bast 200 lekë, mu në majën e kalit të Skenderbeut. Bile deputeti Gjuzi, theksoi se kam 7 dëshmitarë për këtë.
Ylli Rakipi me zor e mbante të qeshurën dhe vazhdoi më tej bisedën me deputetin për situatën politike. Rakipi e pyeti se “pse nuk e merr t’i Kujtim qeverinë në dorë”, por deputeti insistoi se nuk është momenti. Më pas deputeti akuzoi live kryeministrin Rama se shkon në zyrën e Gramoz Ruçit dhe rri me këmbë përpjetë! Insistimit të moderatorit Rakipi për këtë punën e këmbëve përpjetë, deputeti Gjuzi lëshoi disa akuza, të cilat ishin sfiduese për kryeministrin. Bile deputeti e kërcënoi publikisht kryeministrin Rama që nuk do ta lejojë të kryejë veprime të tilla, ndonëse Rama është intelegjent.
Po kështu deputeti i ri Kujtim Gjuzi shtoi se si mund të zgjidhet situata në Shqipëri, se si mund të përfundojë Bashkimi Europian, se pse Presidenti amerikan mbetet më i miri, etj. Ai sugjeroi se si mund të zgjidhet kriza. Mendimi i deputetit kishte të bënte se Rama edhe mund ta mbajë, por edhe jo postin e kryeministrit!
Në fund deputeti Gjuzi tha se Edi Rama na ka premtuar neve në vitin 2013 se Presidentin e Republikës do të na e jepte si parti, por ai nuk e mbajti fjalën.
Pra edhe pas kësaj interviste live kuptohet se në çfarë gjëndje është parlamenti sot!