Shkrimtarja, Vita Blloshmi, vjen këtë radhë para lexuesve me romanin e saj të parë, për nga lloji , titulluar “Pasqyra e thyer” në të cilin trajton me mjeshtëri e delikatesë temën shoqërore. Romani paraqet historinë e një dashurie të lindur në rininë e hershme, e cila përplaset vazhdimisht me rrethanat familjare, shoqërore dhe historike të Shqipërisë së viteve ’90. Në qendër të veprës qëndron një vajzë e re, jeta e së cilës përshkohet nga dashuria, ndarja, emigracioni, humbja, puna, ringritja dhe fundi i dhimbshëm i saj.
Ngjarjet personale e protagonistes vendosen në një periudhë veçanërisht të rëndësishme të historisë shqiptare, në vitet 1996–1997, kur shoqëria jonë përjetoi tronditje të mëdha politike, ekonomike dhe sociale. Në këtë kuptim, romani nuk është vetëm historia e një gruaje dhe e dashurive të saj, por edhe historia e një brezi që u rrit në një kohë ndryshimesh të thella.
Vlera e romanit qëndron pikërisht në ndërthurjen e historisë intime me realitetin shoqëror. Fati i personazheve ndikohet vazhdimisht nga koha në të cilën jetojnë.
Tema e emigracionit është e rëndësishme, sepse, në rastin tonë Greqia nuk shfaqet vetëm si vend ku personazhet shkojnë për të kërkuar një jetë më të mirë. Ajo bëhet një provë për karakterin e tyre.
Autorja zbërthen bukur psikologjinë e dy protagonistëve të veprës, Laurës dhe Anit, dy të dashuruarve botën nga vijnë, formimin e tyre si dhe rrugëtimin që zgjedhin në jetë.
Temën e veprës autorja e merr nga:Përplasja e dashurisë dhe ëndrrave të të rinjve me realitetin familjar, shoqëror dhe historik të Shqipërisë së viteve ’90.
Krahas kësaj, romani prek disa tema të tjera:
dashurinë dhe pamundësinë për ta jetuar atë lirshëm;
konfliktin midis brezave;
paragjykimet shoqërore dhe dallimet qytet–fshat;
jetën studentore dhe lëvizjet demokratike të viteve 1996–1997;
emigracionin shqiptar; vështirësitë e integrimit në një shoqëri të huaj;
marrëdhënien midis punës, dinjitetit dhe suksesit;
forcën e gruas për të rindërtuar jetën etj.
Vepra spikat edhe për ide dhe mjaft mesazhe të goditura për jetën.
Ideja qendrore e romanit mund të shprehet kështu:
Njeriu mund të përpiqet ta ndërtojë fatin e vet, por jeta shpesh e vë përballë rrethanave që janë më të fuqishme se vullneti i tij.
Megjithatë, romani nuk është thjesht pesimist. Përmes protagonistes përcillet edhe ideja e qëndresës dhe ringritjes. Por, mendoj, romani jep edhe një mesazh tjetër, më të thellë:
Edhe kur jeta ia rrëzon njeriut ëndrrat, puna, dinjiteti dhe forca për të filluar nga e para mund t’i japin kuptim ekzistencës.
Kjo ide mishërohet sidomos te vajza. Ajo humbet dashurinë e parë, humbet të atin, më pas të ëmën, humbet edhe partnerin e parë, përballet me emigracionin, vetminë dhe zhgënjimin, por nuk dorëzohet. Ajo ndërton një jetë të re dhe krijon biznesin e saj të luleve.
Kështu, ajo mund të shihet si simbol i një gruaje dhe një brezi që përpiqet të mbijetojë në një Shqipëri që po ndryshon me shpejtësi.
Subjekti ka një shtrirje të gjerë kohore dhe shoqërore. Ai mund të ndahet në disa etapa:
Dashuria e rinisë, kundërshtimi familjar, Shqipëria e viteve 1996–1997, emigracioni, përplasja mes dy të rinjve, humbjet familjare, ringritja.
Nga mënyra si është ndërtuar subjekti, vajza, Laura, duket se është protagonistja kryesore e romanit, edhe pse historia nis me dy të rinj.
Ajo kalon ndryshimin më të madh psikologjik dhe jetësor.
Pra, romani mund të lexohet edhe si historia e formimit dhe emancipimit të një gruaje.
Kjo është një linjë shumë interesante dhe i jep vlerë veprës.
Ani, i dashuri i vajzës, paraqitet si një personazh kontradiktor.
Ai ka disa cilësi pozitive: është i arsimuar; aktiv në jetën shoqërore dhe politike, por më pas shfaqen dobësitë: nuk përshtatet me jetën e emigracionit; refuzon mundësitë e punës; refuzon dashurinë, është i thyeshëm, mbase edhe shfaq shenja xhelozie.
Kjo krijon një kontrast të fuqishëm:
Ai që dukej më i fortë në fillim, dobësohet përballë realitetit; ajo që dukej më e brishtë, bëhet më e fortë. Ky mund të jetë një nga boshtet më interesante të romanit.
Konfliktet jo antagoniste që shfaqen në vepër: individi me familjen, individi me shoqërinë, emigranti me realitetin e huaj, njeriu me fatin, koha dhe hapësira.
Koha është shumë e rëndësishme në këtë roman. Ngjarjet vendosen kryesisht në Shqipërinë e viteve ’90, sidomos në periudhën e trazirave dhe më pas në Greqi. Kështu kemi dy hapësira kryesore:
Shqipëria – vendi i lindjes, familjes, dashurisë së parë, trazirave dhe humbjeve.
Greqia – vendi i emigrimit, punës, përvojës së re, por edhe i ndarjes.
Ndërsa kthimi në Shqipëri nuk është thjesht kthim fizik. Ai mund të interpretohet si rikthim te vetvetja dhe te rrënjët.
Dua të ndalem jo pa qëllim te Motivi i luleve.
Ky është një element shumë të rëndësishëm në roman, nuk e di qëllimin e autores, por , për mendimin tim ,Lulet mund të kthehen në simbol qendror.
Vajza fillimisht punon në mirëmbajtjen e një lulishteje në Greqi. Aty mëson punën dhe fiton besimin e pronares. Më vonë, kur kthehet në Shqipëri, hap biznes lulesh dhe arrin suksesin dhe kënaqësinë e punës. Pra, lulja shoqëron transformimin e saj: nga një vajzë e re në një grua që rindërton jetën.
Lulet mund të simbolizojnë: jetën; bukurinë; dashurinë; shpresën; kujtesën; rilindjen; por edhe brishtësinë. Madje mund të krijohet një kontrast shumë i bukur: Lulet çelin dhe vyshken, ashtu siç lindin dhe mbarojnë dashuritë dhe jetët njerëzore. Nëse ky motiv zhvillohet qëllimisht në roman, i jep veprës një simbolikë shumë më të fuqishme.
Romanin mund ta klasifikojmë, thamë, si: shoqëror, sepse pasqyron problemet dhe transformimet e shoqërisë shqiptare. Por njëkohësisht ka edhe karakter: romantik, për shkak të historive të dashurisë.
Çfarë e bën romanin shoqëror?
Romani nuk tregon vetëm “Çfarë i ndodhi çiftit të ri”. Lexuesi kupton “Çfarë i ndodhi një brezi shqiptarësh?” Kjo e ngre veprën nga një histori personale dashurie në një pasqyrë të një epoke që po jetojmë.
Pra, jeta personale e heroinës bëhet një mënyrë për të treguar ndryshimin e shoqërisë.
Fundi tragjik mund të mos lexohet thjesht si një aksident, sepse vajza ka kaluar gjithë romanin duke luftuar për të jetuar.
Ka humbur dashurinë e parë.
Ka humbur prindërit
Ka humbur emigracionin.
Ka humbur marrëdhënien e parë.
Por çdo herë është ngritur.
Kur më në fund ndërton jetën e vet, krijon suksesin dhe gjen një dashuri të re, me biznesmenin e bukur dhe tepër xhentil, fati e godet në mënyrë të papritur.Kështu lind një pyetje filozofike: A mundet njeriu ta kontrollojë fatin e vet, apo ekzistojnë rrethana që janë përtej vullnetit njerëzor? Kjo e bën fundin më shumë se një ngjarje aksidentale: e shndërron në tragjedi të fatit njerëzor. Mendoj se, titullin e romanit “Pasqyra e thyer”, autorja e ka përdorur si mit apo supersticion dhe shenjat e këqija të lidhura me thyerjen e pasqyrës, si bestytni e trashëguar në breza dhe detaj për të bërë lidhjen e ngjarjeve në subjektin e veprës, një shenjë simbolike që lidhet me fatin dhe të ardhmen e personazhit tonë të dashur, Laurës.
Po pse e vdiqe Laurën?! Sa do të doja të ishte e lumtur bashkë me biznesmenin gjithë kulturë e shumë njerëzor.
Të vlerësoj për veprën . Suksese!
Analiza e romanit: “Pasqyra e thyer”
Përgatiti: Hyrije Bardhi







