Reshjet e dëborës janë rikthyer gjatë orëve të fundit në zonat juglindore të vendit dhe në qarkun e Elbasanit, kryesisht në lartësitë mbi 1100–1200 metra, duke sjellë përkohësisht kushte tipike dimërore në prag të pranverës. Sipas të dhënave nga terreni, reshjet kanë qenë me intensitet të ulët deri në mesatar, ndërsa në disa zona malore janë shfaqur më të dendura gjatë natës.
Në juglindje, më të prekura kanë qenë aksi Qukës–Qafë Plloçë dhe zona e Qafë Thanës, ku dëbora ka arritur trashësi të konsiderueshme gjatë natës, por ka nisur të shkrijë për shkak të temperaturave relativisht të larta. Reshje janë regjistruar gjithashtu në zonat turistike malore si Dardhë, Voskopojë, Boboshticë, si dhe në qytetet e Leskovikut dhe Ersekës.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në qarkun e Elbasanit, ku reshjet kanë përfshirë zonat malore të Njësive Administrative Gjinar dhe Zavalinë, me intensitet mesatar. Ndërkohë, në zonat e thella të Librazhdit, veçanërisht në Steblevë dhe Qarrishtë, reshjet kanë qenë më intensive, duke sjellë rritje të shpejtë të trashësisë së dëborës. Reshje janë regjistruar edhe në Shkodër, Kukës, Dibër etj.
Autoritetet rrugore kanë ndërhyrë për pastrimin dhe kriposjen e akseve kryesore, duke bërë të mundur mbajtjen e tyre të kalueshme në të gjithë territorin e prekur. Aktualisht nuk raportohen probleme në qarkullim, ndërsa të gjitha rrugët, përfshirë ato rurale, mbeten funksionale.
Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat malore, veçanërisht në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, kur temperaturat mund të favorizojnë ngricat në rrugë.











