Një aksident tragjik është shënuar në aksin rrugor Vlorë–Kotë, në zonën e Drashovicës, përgjatë rrugës së lumit të Vlorës, ku përplasja e dy automjeteve ka rezultuar fatale.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një mjet tip “Benz” me targë FR4044C dhe një “Ford” me targë AB309FL. Dyshohet se përplasja ka qenë kokë më kokë dhe me shpejtësi të lartë, çka ka sjellë pasoja tragjike.
Si pasojë e goditjes së fortë, drejtuesit e të dy mjeteve kanë humbur jetën në vendngjarje, ndërsa një person i tretë, që dyshohet të ketë qenë pasagjer, është transportuar me urgjencë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë automjete të shkatërruara pothuajse plotësisht, duke reflektuar forcën e madhe të përplasjes.
Forcat e policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak mund të jetë bërë shpejtësia e lartë apo manovra e gabuar në rrugë.











