Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka reaguar lidhur me skandalet e infrastrukturës në vend.
Ai thekson se zv.kryeministrja Belinda Balluku me një fond rekord prej 3.8 miliardë euro që ka pasur në dorë , duhet të kishe sjellë revolucion në infrastrukturë, por kanë vjedhur taksat e shqiptarëve.
Statusi:
3.8 miliardë euro në dorën e Ballukut për 2 vite, puna flet vetë…!
Një fond rekord prej 3.8 miliardë euro ka pasur në dorë Belinda Balluku për rrugët vetëm në dy vitet e fundit. Një shumë e tillë, në një vend të vogël si i yni do të kishte sjellë revolucion në infrastrukturë.
Por çfarë ndodh në realitet? Sot kemi gjithë Juglindjen të bllokuar pa akses sepse rrugët kanë rënë. Gjithë Veriu ngec në rrugën e ngushtë Milot-Shkodër, zgjerimi atje nuk nisi kurrë. Disa kilometra nga Tirana në Kashar po bëhen 2 vite që nuk mbarojnë, dhe rruga për në Durrës kthehet në ferr.
Çdo fundjavë ka radhë kilometrike në dalje e në hyrje të Elbasanit, ku mbaron autostrada.
Ku shkuan vallë 3.8 miliardë euro të administruara nga Balluku për rrugët në këto 2 vitet e fundit?
Këto 3.8 miliardë euro janë pasuria, janë taksat dhe puna e shqiptarëve. Ato nuk janë lekët e Ramës dhe Ballukut.
Kuptohet, janë bërë të tyret nga hajdutëria. Sa herë futen duart e vidhen fondet, njerëzit duhet ta dinë se atyre u mohohet diçka.
Korrupsioni është shkelësi më i madh i të drejtave që kanë shqiptarët për të pasur rrugë, shërbim shëndetësor, paga e pensione më të mira.
Qytetarët duhet të ngrenë zërin, të bashkohen në shesh me 28 shkurt, e të kërkojnë llogari për paratë që u janë marrë atyre e kanë përfunduar në llogaritë e pushtetarëve të rilindjes!











