Ted Kopliku, një kandidat i ri për deputet në zgjedhjet e 11 majit 2025 ka rrëfyer rrugëtimin e tij politik, motivimet dhe vizionin për të ardhmen e Shqipërisë.
Me një angazhim 20-vjeçar në Partinë Demokratike dhe një pasion të thellë për politikën, kandidati 34-vjeçar, i renditur në listën e hapur në qarkun e Shkodrës, shpalos në një intervistë në Politiko.al arsyet që e nxitën të kandidojë, sfidat që synon të përballojë dhe prioritetet që do të adresojë nëse siguron votat për mandatin e deputetit.
Pasi garoi në procesin e Primareve, ku doli ndër më të votuarit, tanimë ai shpalos një model të ri përfaqësimi për një tjetër sfidë.
Me një përkushtim ndaj parimeve të lirisë, meritokracisë dhe shtetit ligjor, Kopliku thotë se synon të sjellë një qasje të re në politikë, duke ndërtuar ura komunikimi dhe duke ofruar zgjidhje konkrete për t’i kthyer Shkodrës siç thotë ai vetë, madhështinë që ky qytet meriton.
Intervistoi: Suela Gjidede
Ted, si erdhi propozimi për të kandiduar si deputet? Kush ua bëri propozimin?
Përshëndetje, faleminderit për intervistën! Në fakt, propozimet u bënë përmes bazës, si fillim për t’u bërë pjesë e garës së Primareve! Ishte nje rrjedhë logjike e aktivitetit tim politik prej vitesh e sidomos të tre viteve te fundit. Në primare dola më i votuari nga të rinjtë duke kaluar edhe pragun e caktuar si limit, por edhe mes 33 kandidatëve, dola i 4-ti në Bashkinë Shkodër.
Mirënjohës absolutisht çdo anëtari për vlerësimin e dhënë ndaj meje. Më pas ishte kryesia e PD-së, e cila shpalli kandidaturat ku sot jam pjesë e listës së hapur të ASHM në zgjedhjet e 11 majit.

Çfarë ju ka motivuar të kandidoni nën logon e PD në zgjedhjet e 11 majit 2025?
Angazhimi im në PD mbush 20 vite. Më shumë jetë kam në PD se jashta saj. Unë nuk kam patur ndonjëherë logo tjetër dhe Partia Demokratike përbën të vetmen mundësi reale për rotacion, çka përbën edhe qëllimin tim politik sot si qytetar.
Unë vij nga një familje e djathtë dhe jam bindur me eksperiencat, formimin apo rrugëtimin tim që e djathta është zgjidhja. Jam i lindur në 1991, në nisje të demokracisë.
Jam i bindur që politika në përgjithësi kudo është instrumenti më i fuqishëm i ndryshimeve, për mirë apo për keq.
Në Shqipëri edhe më shumë, sepse jemi një vend me probleme thellësisht politike dhe vetëm politike. Ky ndryshim mund të vijë përmes një force politike që i kthehet parimeve të saj themelore: lirisë, meritës, shtetit ligjor dhe dinjitetit njerëzor.
Çfarë mendoni se ju dallon nga kandidatët e tjerë të rinj dhe pse qytetarët duhet t’ju besojnë votën?
Pasioni për politikën. Jetoj me politikën prej vitesh. Mendoj që më dallon fort gjithashtu ndershmëria e trashguar dhe e brumosur thellë ne karakterin tim.
E di që duket fjalë klishe dhe jashtë mode, por shembulli jem më i madh në jetë janë prindërit e mi. Nuk ka qënë kurrë në jetën time synim që të futem në parti për t’u punësuar, sikurse fatkeqësisht është mendësia e shumë të rinjve sot në kampin tjetër.
Pasioni e serioziteti besoj janë cilësi që pasqyrohen në aktivitetin tim dhe jam i sigurt që janë dy elementët që votuesit do vlerësojnë më shumë. Besoj dhe shpresoj që vota e 2025 do jetë mbështetje për modelin e ri në politikë: një të djathti të pakompleksuar dhe të çliruar nga propaganda që ka tentuar ta asgjësojë atë.

Si do të përballeni me sfidat e politikës tradicionale dhe si do të sillni një qasje të re?
Politika aktuale në vendin tonë përballet me një sërë sfidash të thella: duhet ta pranoj që edhe PD ka sfidat e veta.
Si kandidat për deputet, unë jam i vetëdijshëm që ndryshimi nuk vjen vetëm nga fjalët, por nga qasja dhe përkushtimi i përditshëm. Unë synoj të sjell një qasje të re që bazohet në tre shtylla: afërsi me qytetarin, transparencë në veprim dhe politika me ndikim real.
Kërkoj të ndërtoj ura, jo mure. Kam për qëllim të sjell një model të ri përfaqësimi, ku angazhimi politik ndërtohet nëpërmjet propozimit, jo konstatimit.
Nëpërmjet rrugëdaljes jo komenteve. Nëpërmjet fitores pavarësisht rregullave, deri sa ndryshimi i rregullave të jetë i mundur.
A mendoni se politika shqiptare ka nevojë për një “shkundje” nga të rinjtë?
E kam thënë gjithmonë që konflikti mes të vjetres dhe të rinjve është një konflikt artificial. E vërtetë që ne sjellim energji, ide të reja, kurajo për të sfiduar status quonë dhe një mënyrë më të ndershme për të parë shërbimin publik, por në fund të ditës ne jemi një rini që kemi zgjedhur emigrimin, jo përballjen. Më shumë se politika shqiptare, të rinjtë vetë kanë nevojë të shkunden.
Unë kam vendosur të kandidoj pikërisht sepse besoj se Shqipëria ka nevojë për një model të ri, me shumë se sa një brez të ri përfaqësuesish. Të rinjtë duhet të kenë vend në tryezat e vendimmarrjes, të jenë ajtorë të vërtetë, jo vetëm makiazh dhe kontributor për uljen e moshës mesatare.
Ndryshimi nuk vjen duke pritur , por vjen duke u përfshirë. Patjetër që politika ka nevojë për modele të reja dhe më shumë se te shkundja, besoj tek proçeset.
Mendoj se në PD po ndodh një proçes i tillë. Tre vitet e fundit në veçanti dhe 12 vitet e fundit në përgjithësi, kanë krijuar një brez të ri politikanësh gati për të shkundur kundërshtarin. Idealistë dhe të pa kompleksuar.
Si do të përballeni me presionet nga brenda partisë për të ndjekur linjën tradicionale?
Cilat presione? Në Brain Gain kemi provën e gjallë që në PD të rinjve i krijohet mundësia për të bërë politikë. Politika në përgjithësi është raport force dhe në të njëjtën logjikë si ajo që kam shkruar më lart: “luaj me rregullat e tjetrit , derisa të mundesh t’i ndryshosh ata”. Për çdo linjë që kërkon të ndjekësh, në një parti politike, duhet të synosh dhe të kesh edhe shumë të tjerë pas vetes për ta realizuar.
Cili është vizioni juaj për të rinjtë në Shqipëri dhe si planifikoni ta realizoni atë, në kushtet kur kjo grupmoshë është larguar nga vendi ose synon të largohet së shpejti?
Synoj një vend ku të rinjtë nuk ëndërrojnë të ikin, por të qëndrojnë e të ndërtojnë jetën e tyre me dinjitet. Nëse nuk i japim arsye të forta rinisë që të besojë te e ardhmja në vendin e vet, nuk do të kemi zhvillim afatgjatë, pavarësisht investimeve apo reformave.
Unë jam njëri prej atyre që zgjodha të rikthehem, por mbi të gjitha ta kthejmë Shqipërinë shtëpinë tonë.
Jam i bindur që si unë janë me dhjetëra e qindra, ndaj kemi nevojë për modelin që shkon në parlament. Modelin që përmenda. Të gjithë ne mund ta kthejmë Shqipërinë shtëpinë tonë!
Cilat janë tre prioritetet kryesore që do të adresoni nëse zgjidheni?
Besim plotë në votën e qytetarëve të Shkodrës. Tre prioritetet e mia kryesore do të jenë:
1. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi për të rinjtë. Kjo do bënte të mundur që në Shkodër të mos vish vetëm si turist, por të kesh mundësinë të ndërtosh të ardhmen në këtë qytet.
2. Arsimim dhe shërbime publike dinjitoze duke patur meritokracinë të vetmin aleat. Universiteti i Shkodrës të kthehet qendër rajonale studimi dhe të formojë breza që i shërbejnë qytetit dhe pikë reference për fqinjët tanë apo qytetet e tjera.
3. Rikthimi i sigurisë dhe kthimi në shinat institucionale të shtetit do jenë garant i krijimit të klimës për biznesin dhe mundësi të reja zhvillimi.
Këto tre pika janë në mendimin tim problemet më të mëdha në qytetin tonë. Fokusimi në këto tre drejtime do i rikthente madhështinë qytetit tim, Shkodrën e përjetshme që i mungon qytetarëve në të gjitha dimensionet/ Politiko.al/