Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka bërë me dije se më 24 mars do të publikohet lista e kandidatëve për deputetë të partive politike. I ftuar në emisionin “Real Story”, ai sqaroi se kjo është data e fundit për dorëzimin e listave në KQZ.
Gjithashtu, Celibashi theksoi se edhe Diaspora do të presë këtë afat përpara se të nisë procesin e votimit për përfaqësuesit e saj të preferuar.
“Fillimisht duhet të përmbyllet procesi i regjistrimit të partive politike dhe kandidatëve. Data 24 mars është afati përfundimtar për depozitimin e listave në KQZ,” tha ai.
Sa i përket kostove të votës së Diasporës, Celibashi u ndal te shpenzimet për shërbimin postar, duke bërë të ditur se qeveria ka akorduar një fond prej 5 milionë eurosh për dërgimin dhe kthimin e fletëve të votimit me postë.