Përmes një deklarate të publikuar në profilin e tij facebook, Eduart Ndocaj, ish-deputeti lezhian, i cili 10 vite më parë ishte pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, ka shpallur lajmin e kandidimit të tij në qarkun e Lezhës, që do të garojë nën siglën e Demokratëve Euroatlantikë.
Ndocaj, i bindur në marrjen e një rezultati spektakolar, ka ftuar zgjedhësit e qarkut të Lezhës të votojnë kundër “trekënrëshit të Bermudës”, siç quan ai kastën e vjetër të politkanëve shqiptarëve.
Deklarata:
Të dashur bashkatdhetarë!
Prej më shumë se një dekade jam angazhuar në politikën e drejpërdrejt, duke qenë i bindur se me kontributin tim modest do të ndikoj në një qasje ndryshe sa i takon vlerave të politikbërjes dhe përshpejtimit të axhendës integruese të vendit tonë në strukturat euro-atlantike.
Për fat të keq, euroatlantizmi ynë është cënuar dhe vazhdon të kërcënohet dita-ditës, pasi “trekëndëshi i Bermudës” (Rama, Berisha dhe Meta), në harmoni dhe në sintoni të plotë me njëri-tjetrin, kanë marrë peng parlamentarizmin dhe jetën politike të vendit, duke e zhytur të ardhmen në pashpresshmëri dhe duke i ofruar shqiptarëve të vetmen alternativë-emigrimin dhe ikjen sa më parë nga vendi i tyre.
Përtej pengesave dhe trukeve me kodin zgjedhor, që të vjetrit e politikës shqiptare përdorin në funksion të mbajtjes së pushtetit të tyre 35-vjeçar, 11 Maji është një domosdoshmëri ku çdokush që ndjehet i pastër dhe atdhetar të rreshtohet kundër këtij “trekëndëshi”, me qëllim zhbërjen e kastës që është shndërruar në pengmarrëse të votës dhe demokracisë në Shqipëri.
Duke e konsideruar mision dhe detyrë patriotike, dua të ndaj me ju vendimin tim për të qenë kandidat për deputet në listat e hapura për zgjedhjet e 11 Majit 2025, në qarkun e Lezhës, nën siglën e EuroAtlantikëve dhe partive të tjera të koalicionit.
Të dashur zgjedhës të qarkut Lezhë!
Betejat e mia elektorale nuk kanë synuar asnjëherë përfshirjen në kandidime fiktive, por falë mbështetjes suaj, gjithmonë kanë prodhuar tronditje elektorake tek kundërshtarët, duke dhënë mesazhe të qarta, se kur jemi bashkë dhe i shërbejmë kauzave të drejta, duhet të na konsiderojnë për fuqinë e votës që kemi bashkërisht!
Ftoj zgjedhësit e qarkut Lezhë, të nisim bashkërisht një marshim drejt fitores së padiskutueshme më 11 maj, duke i dhënë zë vlerave të përfaqësimit politik dhe qytetar në Kuvendin e Shqipërisë, i cili është shndërruar në paradën e servilëve dhe lëpërisve të kryetarëve të tyre.
Jam më i motivuar se kurrë për të çuar më tej këtë mision, pasi kandidimi im është nxitur dhe përkrahur nga një numër i madh qytetarësh lezhianë dhe bashkëkombasve që jetojnë e punojnë në Itali.
Asnjë mëdyshje për suksesin e garantuar! Shumë shpejt do vijojmë me organizimin e strukturës elektorale, e cila so të ketë në përbërjen e saj individë dhe ekspertë të njohur të fushave të ndryshme, me të cilët do të bashkërendohet fushata dhe modalitete e saj.
Ju faleminderit!