Shpetim Axhami, kryetar i PLL
Ardhja e së djathtës në pushtet duhet të jetë një proces dinjitoz dhe i mbështetur në vullnetin e lirë të elektoratit. Teoritë që përpiqen të etiketojnë popullin shqiptar si “të majtë” janë jo vetëm të pabaza, por dhe të dëmshme, pasi krijojnë një minorancë psikologjike për të djathtën, duke dobësuar frymën e saj të natyrshme.
Kjo mazhorancë dhe qeveri duket qartazi se kanë humbur besimin e qytetarëve dhe janë të detyruara të hapin rrugën për ndryshim. Zgjedhjet janë të domosdoshme për rotacion dhe ndryshim, përmes tyre mund të garantohet një proces transformues në të mirë të shoqërisë dhe në interes të qytetarëve.
E djathta nuk duhet të kërkojë pushtetin thjesht si një alternativë ndaj së majtës, por si një domosdoshmëri për të kthyer shpresën dhe për të ndërtuar një Shqipëri të drejtë dhe të qëndrueshme. Kjo kërkon një reformë zgjedhore demokratike, një program të detajuar dhe një angazhim të sinqertë për t’i dhënë fund tranzicionit politik dhe ekonomik.
Opozita ka një detyrë të qartë: të rrisë optimizmin tek elektorati, veçanërisht tek ai i djathtë, i cili shpesh ndjen zhgënjim dhe pasiguri. Duhet të tregohet se e djathta përfaqëson shumicën reale në bindje të qytetarëve dhe është e gatshme të qeverisë me përgjegjësi dhe vizion. Kjo kërkon unitet, energji dhe një angazhim të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
Një frymë e re dhe e fuqishme e së djathtës është e nevojshme për të adresuar dëmet që i janë shkaktuar vendit nga e majta përgjatë viteve. Ky proces kërkon përballje me të keqen, shmangie të përçarjeve dhe prioritizim të interesave kombëtare mbi ato partiake. Në këtë mënyrë, e djathta mund të fitojë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve, duke ardhur në pushtet si një alternativë e natyrshme dhe e nevojshme për Shqipërinë.