Kreu i PD-së, Sali Berisha u paraqit këtë të hënë në SPAK. Ish-kryeministri pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, nisi sulmet ndaj këtij institucioni, si edhe drejtuesit të saj, Altin Dumani.
Në fjalën e tij para mbështetësve dhe medieve, Berisha paralajmëroi se Dumani do të ketë fundin e tij, si të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë.
“Çfarë turpi, e kanë rrethuar me policë. Frikacakë. Ju asgjë s’po bëni. Organizata kriminale e skapit të partisë, e kryesuar nga Altin Lala, do të ketë atë fund që kanë pasur të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë. Do përfundojë në koshin e plehrave të historisë. Të vazhdojmë këtë betejë, ata do kenë atë fat që meritojnë dhe shumë shpejt. Kohërat nuk janë për diktaturat”, deklaroi Berisha.
Kujtgojmë se kryetari i PD është në hetim nga SPAK në lidhje me çështjen e ish-kompleksit “Partizani”.
Gjykata e Apelit konfirmoi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, gjithsesi, paralajmëroi se nëse Berisha nuk respekton këtë masë, organi i akuzës mund të kërkojë një masë sigurimi më të rëndë.