Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra një 31 vjeçar me funksion Specialist në Komisariatin e Policisë Gramsh pasi akuzohet se ky punonjës ka vjedhur sendet personale të një shtetasi të arrestuar.
Nga hetimet ka rezultuar se efektivi duke shpërdoruar detyrën, ka vjedhur sendet personale të një shtetasi të arrestuar.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë Nënkomisar G. C., 31 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Gramsh, i dyshuar për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Nga hetimet e kryera nga AMP janë grumbulluar fakte dhe prova që krijojnë dyshimin se ky punonjës policie, duke shpërdoruar detyrën, ka vjedhur sendet personale të një shtetasi të ndaluar/arrestuar.