Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar këresën e kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili kërkonte shfuqizimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Posaçme dhe e konfimruar nga Apeli,
Kjo padi ishte bërë nga Berisha në kohën kur lideri demokrat ndodhej ende nën këtë masë sigurie, teksa sipas Kushtetuese, kërkesa është rrëzuar për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.
Përmes një komunikate, Kushtetuesja bën me dije se prentendimi në lidhje me procedurën parlamentare për dhënien e autorizimit nga Kuvendi është i pabazuar.
Në aspektin substancial. Kushtetzuesja thotë se Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit ne shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë.
Gjykata e Posaçme vendosi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” ndaj Berishës më 30 Dhjetor të vitit 2023, pasi lideri demokrat nuk zbatoi masën e mëparshme “Detyrim paraqitje”, duke e konsideruar si antikushtetuese pasi sipas tij, duhej të merrej autorizim nga Kuvendi.
Lexo edhe:
Masa ndaj Berishës u mor në kuadër të hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ku ai tashmë është marrë i pandehur bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Berisha qëndroi në izolim deri më 27 Nëntor të vitit 2024, kur gjyqtarja e GJKKO, Flojera Davidhi revokoi të gjitha masat e sigurisë ndaj tij. Por, SPAK e ankimoi dhe Apeli i Posaçëm më 3 Janar të këtij viti vendosi ndaj Berishës masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dy herë në muaj në Prokurorinë e Posaçme, masë të cilën lideri demokrat po e respekton.
Kujtojmë që më 21 Nëntor, Gjykata Kushtetuese dha vendimin ndaj Sali Berishës në lidhje me padinë për masat e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”, ku si në shumicën e rasteve mori një vendim që i shkonte për shtat mazhorancës dhe e la në atë kohë në izolim kreun e opozitës.]
Kushtetuesja arsyetonte në atë vendim se si për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” nuk përbëjnë kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit.
Për dosjen “Partizani”, Berisha është marrë i pandehur për akuzën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij Jamarbër bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Njoftimi i plotë
Në datën 17.01.2025, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Sali Berisha, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 520, datë 30.12.2023 dhe nr. 521, datë 27.12.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-667 (94), datë 09.04.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Gjykata, pasi shqyrtoi fillimisht kriteret e legjitimimit të kërkuesit, arriti në përfundimin se: ai legjitimohet si për kundërshtimin e vendimeve gjyqësore për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, ashtu edhe për kundërshtimin e procedurës së ndjekur nga Kuvendi për dhënien e autorizimit për caktimin ndaj tij të masës së arrestit në shtëpi.
Gjykata vlerësoi se pretendimet në lidhje me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave të posaçme për shkak të ligjit nr. 95/2016 nuk mund të merret në shqyrtim pasi përbën gjë të gjykuar.
Po kështu pretendimet në lidhje me parimin e sigurisë juridike për shkak të paqartësisë së dispozitave procedurale penale që lidhen me kohën e ekzekutimit të masave të sigurimit, nuk mund të merren në shqyrtim pasi kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike.
Për sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë argumentet, parashtrimet dhe prapësimet e palëve, Gjykata vlerësoi se:
1. Në lidhje me pretendimin për procedurën parlamentare për dhënien e autorizimit nga Kuvendi, sipas nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, Gjykata me shumice votash çmoi se ky pretendim është i pabazuar
2. Në lidhje me pretendimet për cenim të lirisë personale (neni 27 i Kushtetutës), të lidhur me te drejtën për t’u zgjedhur ( neni 45 i Kushtetutës), Gjykata i vlerësoi ato në dy aspekte: në aspektin procedural dhe aspektin substancial.
A) Në aspektin procedural, Gjykata vlerësoi procesin gjyqësor në të cilin ishte vendosur zëvendësimi i masave të sigurimit me atë të arrestit në shtëpi në drejtimet e mëposhtme:
i) parimi i paanshmërisë së gjykatës i lidhur me të drejtën e mbrojtjes efektive;
ii) së drejtës së aksesit të lidhur me standardin e arsyetimit të vendimit.
Gjykata me shumicë votash vlerësoi se këto pretendime nuk janë të bazuara.
B) Në aspektin substancial Gjykata vlerësoi proporcionalitetin e masës së arrestit ne shtëpi në drejtim të nevojës, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë.
Gjykata bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.
Në përfundim Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.