Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga mbledhja e Këshillit Bashkiak foli për marrjen në pyetje për 5 orë nga SPAK për hetimin pasuror.
“Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një Nesti Angoni. Ky person nuk ekziston, e dimë çfarë emri dhe kulture linçuese përfaqëson ky stil. Është një kurth i sajuar. Jam sulmuar nga Nesti Angoni për të na kthyer pas te praktika e letrave anonime. Disa që nuk na mundin në betejë, kthehen te zanati i letrave anonime. Nesti Angoni nuk ekziston, dihet se kë përfaqëson.
Kryetari i bashkisë ka në zotërim regjistrin civil dhe verifikon që është një kurth. Kam qenë gjithmonë bashkëpunues. E di gjithë Tirana ku jetoj, ku banoj, ku isha përpara zgjedhjeve dhe ku do të vazhdoj. Nuk hyj te ajo racë politikanësh që nuk i thotë SPAK-ut ‘SKAP’. Nuk kam bërë antiprotesta dhe nuk kam përdorur letra anonime. Nuk i them SPAK ‘plaç’ kur shkon me letra anonime.
Këtu do të jemi, në maj do t’ju mundim, pavarësisht letrave anonime. Këtu do të jemi, në këtë sallë”, tha Veliaj.
Pas fjalimit të tij, kryebashkiaku Veliaj u largua nga salla, çka solli dhe reagimin e opozitës.