Sali Berisha i është bashkuar mosbindjes civile. Për herë të parë pas lirimit nga ”arresti shtëpiak” pas 11 muajve, Berisha iu bashkohet militantëve në protestë. Kreu i PD-së doli nga selia blu dhe iu bashkua protestës në rrugën e Elbasanit.
”Është një revoltë e qytetarëve kundër narko-diktatorit. Është një dimër i vështirë si për argatin e Tiranës ashtu edhe padronin e Beogradit. Në Beograd studentët po dridhin nga themelet diktatorin, edhe në Tiranë, argati nuk ka të ardhme”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, ai përshëndeti qytetarët e Tiranës dhe i siguroi se kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari të Tiranës dhe Shqipërisë. ”Nuk do të ndalojmë deri sa të realizojmë objektivat tona: Qeveri teknike dhe zgjedhje të lira”, tha Berisha.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Edi Rama nuk pranon kërkesat e opozitës, Berisha tha se ai do të rrëzohet. ”Do të rrëzohet me mosbindjen civile. Kemi aplikuar 15 forma të mosbindjes civile. Këta do të përfundojnë shumë keq”, tha Berisha.