Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij këtë të enjte në Kuvend bëri thirrje që të votohet rezoluta për Kosovën por kryeparlamentarja Elisa Spiropali iu drejtua duke i thënë se kjo kërkesë është përdorim i papërshtatshëm i momentit, dhe se do të jetë një seancë tjetër ku do të diskutohet mbi këtë çështje.
Replikat Berisha-Spiropali, sot në Kuvend
Berisha:
“Të ndërprisni menjëherë punimet, të sillni këtu rezolutën për denoncimin e gjenocidit serb në Kosovë, se përndryshe ulja juaj në parlamentin e Kosovës është më e largët si përfaqësues të Shqipërisë dhe më e afërt si përfaqësues të Serbisë.
Sepse, ju keni refuzuar rezolutën. Votoni sonte rezolutën e dënimit të gjenocidit serb në Kosovë, në mënyrë që të shkoni nesër si përfaqësues të shqiptarëve, dhe jo si ata që nuk njihni krimet e shëmtuara.
Unë, po ju them ju këtu, që në librat e gjenocidit ato janë të përshkruara si krimet më të padëgjuara ndonjëherë në histori, dhe ju e hidhni poshtë këtë.
Prandaj, zonjë, çfarë të të them unë ty. Merr, silleni rezolutën ta votoni. Të votoni një ndjesë publike për sanksionet që i vutë Kosovës të parët në Europë.
Të votoni një ndjesë publike për ndalimin që i bëtë himnit për Adem Jasharin “Mora fjalë”, dhe u fsheh pastaj se zëvendësuan me një këngë shumë të bukur, nuk e mohoj, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, për Shqipërinë, por nuk zëvendësohej se, ajo e zuri vendin.
Shkurte Fejzën e ftuan, ishte në stadium dhe tani u erdhi telefoni i kuq nga Beogradi dhe e hiqni ju atë. Si do shkoni ju atje?
Hidhe në votë propozimin tim. Moj zonjë, hidhe në votë propozimin tim, kaq.
Jeni dakord, të ndërpresim seancën dhe të sjellim rezolutën, apo s’jeni dakord? Këtë kërkoj unë!”
Elisa Spiropali:
“Ne jemi të ftuar si Kuvend i Shqipërisë nga Kuvendi i Kosovës për mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve, që kemi nesër zoti Berisha. Ky është përdorim i papërshtatshëm i këtij momenti zoti Berisha. Jepjani mundësinë Kuvendit të zhvillohet pa këtë përdorim të tillë të elementëve politik. Deklarata e përbashkët do të jetë e qartë.”