Më 28 nëntor të vitit 1912 njëzetepesëvjeçari krutan, njëri prej tetëdhjetë e tre delegatëve nga trojet shqiptare, u ndal në Vlorë për të hedhur firmën e tij në Aktin e Pavarësisë.
I fshirë nga historiografia komuniste për gjysmë shekulli, firmëtari i Pavarësisë, kryeministri i Shqipërisë, themeluesi i Institutit të Studimeve Shqiptare, historiani e gjuhëtari iu kthye vendlindjes së tij, Krujës në prag të kremtimeve të 112 vjetorit tëPavarësisë.
I shtrënguar të jetojë në mërgim, pa pasur mundësi ta shohë mëvendin për të cilin u përpoq ta shihte të lirë e të bashkuar, i ndarënga jeta në Ujëvarat e Niagarës, Mustafa Merlika-Kruja erdhi i përjetësuar në një bust bronzi në një prej shesheve pranë pazarit të vjetër, ndërsa pas tij duket kalaja e Krujës.
Një dëshmi se e vërteta e gjen gjithnjë rrugën. Edhe nëse vonon.
Vendosja e shtatores erdhi si përmbushje e përpjekjeve të gjata të familjes Merlika, që për tri dekada kanë luftuar të heqin baltën mbi patriarkun e tyre dhe mbi një prej personaliteteve të shquara të historisë, politikës e studimeve albanologjike.
Botimet e veprës së Mustafa- Merlika Krujës në fushë tëhistorisë,publicistikës e gjuhësisë, konferencat e simpoziumet shtruan rrugën që historia t’i hapë vend kësaj figure.
Firmëtari i pavarësisë, Sekretari i parë i qeverisë së Vlorës,
Prefekti i Vlorës, pjesëmarrës në Kongresin e Durrësit, ërfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, deputet në Parlamentin e parë shqiptar dhe kryeministër i vendit, Mustafa Merlika- Kruja ka qenë gjithmonë aty ku caktoheshin fatet e Shqipërisë.
Një prej trashëgimtarëve të tij ishte vetëm tre vjeç, kur gjyshi qëe mbante në krahë do të largohej për të mos e parë kurrë më. Por ai nip, sot një intelektual fisnik nuk u lodh për ta çuar te shqiptarët veprën e Mustafa Merlika Krujës si studiues e historian.
“Sot është një ditë madhore e veçantë, jo vetëm për familjen e fisin Merlika, por edhe për qytetin e Krujës dhe gjithë Shqipërinë. Është treguesi më i saktë i ndërrimit të kohëve e mendësisë së tyre, një fakt absolutisht pohenik, për të cilin asnjë prej nesh nuk do të kishte guximin të vinte një bast sado të vogël vetëm 35 vite më parë”, do të shprehej nipi i tij, Eugjen Merlika.
Dorëshkrimet e letrat, të cilat familja i ka bërë të njohura publikut shqiptar që nga viti 2006 e deri në vitin 2023, nëpërmjet rreth njëzet vëllimeve, të cilat sipas Eugjen Merlikësdhe familjarëve të tjerë kanë ndihmuar në njohjen e jetës e veprës së Mustafa Krujës, duke nxjerrë në shesh të vërtetën historike e duke e njohur atë si firmëtar të pavarësisë me nënshkrimin “Mustafa Asim Kruja”. Pasojë e kësaj ishte edhe nderimi i tij më 2012-n, në njëqind vjetorin e Pavarësisë, me urdhrin “Nder i Kombit” nga presidenti i asokohe Bamir Topi.
“Duke u nisur nga fakti se vlerësimi i vitit të njëqindvjetorit të Pavarësisë, me dhënien e çmimit “Nder i Kombit” dhe ai i këtij viti me miratimin e vendosjes së bustit, janë vendime që burojnë nga konsiderata historike afërsisht të ngjajshme, edhe se të dy administratave të ndryshme, përsa i përket përkatësisë politike, veç falënderimeve që u shkojnë me shumë respekt nga ana jonë të dyjave, urojmë me gjithë zemër që për të tilla tema që kanë të bëjnë me të kaluarën historike të Kombit, politika të jetë e një mendimi, duke dalë me vlerësime që respektojnë më shumë ndihmesën reale, sipas periudhave, në dobi të interesave t’atdheut”, do të shprehej Eugjen Merlika në ceremoninë e vendosjes së bustit të Mustafa Krujës.
Në këtë ceremoni folën studiues e historianë si Nevila Nika, Qerim Lita, Gjet Ndoj, Enriketa Papa, Rovena Vata, Besim Morina, shkrimtari Marçel Hila e studenti i historisë KlajdiLulollari. Ceremoninë e përshëndeti edhe publicisti TomëMrijaj, i cili e zhvillon veprmtarinë e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët u ndalën në shumë dimensionet e figurës sëMerlika-krujës dhe kontributet e tij në ccështjen e Kosovës, bashkimin kombëtar, përpjekjet për të ravijëzuar një shtet shqiptar modern e europian, por edhe në hedhjen e themeleve tëshkencës shqiptare.
Gjatë administratës së qeverive në kohën e Princ Vidit qe këshilltar i arsimit publik dhe inspektor i arsimit në Elbasan dhe, më 1940 qe nismëtar për themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare dhe drejtues i saj. Me vepra si “Antologji historike”, “Fjaluer kritik i Shqipes”, “Lashtësi shqiptare” e të tjera ai ka dhënë kontribut të vyer në studimet albanologjike, të cilat për fat të keq si për komunitetin e studiuesve ashtu edhe lexuesin e gjerë janë bërë të njohura pas vdekjes së tij.
“Po të na detyronte fati të zgjedhim njërën nga të dyja: të humbim Kosovën, apo pavarësinë, ne do të dëshironim të humbnim pavarësinë sepse të bashkuem me Kosovën, pavarësinë do ta rikthenim ndonjë ditë”, shprehej Merlika-Kruja, ndërsa nipi i tij, Eugjen Merlika tha se dita më e lumtur e gjyshit ishte ajo e prillit 1941 kur u njoftua bashkimi i trojeve shqiptare.
“Data e sotme me këtë ceremoni në sallën e pallatit të kulturës së Krujës së tij, e përurimin e bustit të tij në sheshin e atij qyteti, do të mbetet dita e rilindjes virtuale të figurës së tij poliedrike gjithmonë në shërbim të interesave të vërteta të Shqipërisë”, u shpreh Merlika.
Bashkimi i Shqipërisë etnike ishte dita më e lumtur e MustafaMerlikës ndërsa 24 nëntori 2024 do të jetë i familjes së tij, me vendosjen e bustit në Krujë.
Shtatorja, që u bë e mundur falë familjes dhe shoqatës “Trojet e Arbrit”, e rikthen Mustafa Krujës përgjithmonë në shtëpi, shtëpinë e atdheun që nuk pati mundësi t’i shohë në të gjallë, me brengën për vendin e për familjen që vuajti tmerret e regjimit komunist në burgje e kampe përqendrimi vetëm pse ishin pinjollë të një prej politikanëve më të shquar deri në mesin e shekullit XX.
Kryetari i shoqatës “Trojet e Arbrit” Nue Oroshi vlerësoi me certifikata mirënjohjeje familjarë të kryeministrit Merlika-Kruja, i 23-ti në krye të qeverive shqiptare. Nipi i tij Eugjen Merlikadhe nusja e të birit, Klara Merlika-Mirakaj u vlerësuan si shembuj qëndresë për vuajtjet dhe persekutimet nën regjimin komunist.
Mustafa Merlika Kruja do t’i mbyllte sytë larg, shumë larg vendlindjes 27 dhjetorin e vitit 1958, por qytetarët e Krujës e çdo kalimtar do të ndalet e përshëndetet me shtatoren e birit të këtij qyteti që më shumë se gjithçka e desh Shqipërinë të lirë, të pavarur e të bashkuar.
Historia qoftë e drejtë me burrat e kombit!