Opozita ka paralajmëruar protestë sot, e cila do të nisë në orën 17:00 dhe do të zgjasë 3 orë, si dhe do të zhvillohet në 5 akse kryesore.
Bëhet e ditur se tubimi do të mbahet te bashkia, te rreth rrotullimi Zogu i Zi, Rruga e Elbasanit, Sheshi Willson dhe te Pallati me Shigjeta.
“Në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Sekretari Organizativ i subjektit politik “Partia Demokratike e Shqipërisë” ka paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 26.11.2024, në disa akse rrugore kryesore në Tiranë, konkretisht: Unaza e vogël, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë i ka kthyer përgjigje subjektit politik se organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat”, njofton policia.
“Gjithashtu, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka bërë me dije Sekretarin Organizativ të Partisë Demokratike se bllokimi i rrugëve është vepër penale dhe se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtuesi i tubimit dhe pjesëmarrësit në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale”, thuhet më tej në njoftim.
Policia e Shtetit thotë se garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cënuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.
Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.